Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka riaktivizuar përpjekjet për të shqyrtuar ligjin e Gjuhës që kufizon zbatimin e gjuhës shqipe në vendin fqinj.
Pas këtij vendimi të Kushtetueses, ka reaguar kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili përmes një letre të hapur, ka theksuar se statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut është i panegociueshëm dhe pjesë e pandashme e rendit kushtetues të shtetit.
Në reagimin e tij, Ahmeti vlerëson se shtetet e qëndrueshme ndërtohen mbi parime të qarta, marrëveshje politike të mëdha dhe respekt të ndërsjellë mes qytetarëve.
Ai nënvizon se çështje të tilla si përdorimi i gjuhës shqipe nuk duhet të bëhen objekt i debateve të përditshme politike apo rivaliteteve partiake.
Duke iu referuar Marrëveshjes së Ohrit, ai thekson se kjo marrëveshje përbën themelin e shtetit dhe se çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje rrezikon të ardhmen e tij. Sipas tij, gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë e garantuar me Kushtetutë.
Ahmeti shprehet se barazia gjuhësore është thelbësore për bashkëjetesën dhe stabilitetin, duke shtuar se shqiptarët nuk e kanë kontestuar asnjëherë gjuhën maqedonase apo identitetin maqedonas.
Përkundrazi, sipas tij, ata kanë kontribuar në ndërtimin e një shteti të përbashkët, euroatlantik dhe demokratik.
“Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje. Shqiptarët në këtë vend nuk e kanë kontestuar asnjëherë gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas; përkundrazi, janë përcaktuar vazhdimisht për një Maqedoni të përbashkët, unitare, euroatlantike dhe evropiane. Kjo është e vërteta që duhet thënë qartë: barazia e shqiptarëve nuk e ka dobësuar shtetin, por e ka forcuar atë. Nuk e ka cenuar bashkëjetesën, por e ka bërë më të drejtë. Nuk e ka lëkundur orientimin perëndimor të vendit, por e ka bërë të mundur. Një shtet që nuk u flet qytetarëve të vet në gjuhën e tyre, nuk është shtet i barabartë. Shqipja nuk është barrë për shtetin, është realitet i tij dhe pjesë e pandashme e identitetit të tij institucional. Prandaj, çdo përpjekje për ta relativizuar, reduktuar apo dobësuar statusin e gjuhës shqipe nuk është thjesht debat juridik. Është prekje e një ekuilibri të ndërtuar me shumë mençuri politike, me shumë përgjegjësi dhe me shumë përkushtim për të ardhmen e përbashkët. Të reduktosh të drejtat gjuhësore do të thotë të reduktosh besimin. E kur cenohet besimi, dëmtohet vetë kohezioni i shtetit”, thuhet në letër.
Në letër ngrihen shqetësime edhe për qasjen e institucioneve, veçanërisht të Gjykatës Kushtetuese, për të cilën Ahmeti thotë se në disa raste po reflekton një mendësi majorizuese etnike, në kundërshtim me frymën e bashkëjetesës dhe barazisë.
Ai përmend edhe vlerësimet e Komisioni i Venedikut, duke sqaruar se ky institucion nuk ka konstatuar papajtueshmëri të ligjit për gjuhët me Kushtetutën, por ka theksuar nevojën për përmirësim të zbatimit praktik.
“Me shqetësim po ndiqen edhe qasje të caktuara institucionale, e veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, që krijojnë bindjen e palëkundur se në çështje të ndjeshme për marrëdhëniet ndëretnike nuk mbizotëron argumenti profesional e kushtetues, por një mendësi majorizuese etnike, e tejkaluar nga koha dhe e papajtueshme me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo është arsye për kujdes serioz shtetëror. Sepse institucionet, sidomos ato kushtetuese, duhet të jenë gardiane të barazisë, jo hapësira ku vihet në pikëpyetje ajo që është fituar si standard i bashkëjetesës demokratike. Edhe kur flitet për vlerësimet e Komisionit të Venedikut, duhet thënë e vërteta e plotë dhe jo ajo pjesë që i shërben një narrative politike. Komisioni nuk ka konstatuar se ligji për përdorimin e gjuhëve është në kundërshtim me Kushtetutën apo me standardet ndërkombëtare. Por vlerësimet për zbatimin praktik kanë të bëjnë me nevojën për kapacitete, organizim administrativ dhe mbështetje financiare. Këto janë detyra të institucioneve përkatëse. Në asnjë demokraci serioze, siç thekson edhe vetë Komisioni i Venedikut, vështirësitë e zbatimit nuk përdoren si argument për të delegjitimuar vetë parimin e sundimit të së drejtës”, thuhet në letër.
Në fund, Ahmeti apelon për përgjegjësi politike dhe institucionale, duke paralajmëruar se çdo tentativë për të kufizuar përdorimin e gjuhës shqipe përbën regres të rrezikshëm dhe cenon besimin ndërmjet qytetarëve.
“Barazia nuk është opsion, është detyrim. Sot problemi nuk është ligji, por mungesa e vullnetit për ta zbatuar atë. Ligjet nuk zbatohen vetë, zbatohen nga institucione dhe nga njerëz që duhet të mbajnë përgjegjësi. Askush nuk ka të drejtë të bllokojë apo të injorojë zbatimin e një të drejte kushtetuese. Kjo nuk është vetëm shkelje ligjore, është shkelje e besimit të qytetarëve”, thekson Ahmeti në përfundim të letrës së tij.
