Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Ai do të më thërrasë nënë”: Rrëfimi i gruas nga Gaza që...

“Ai do të më thërrasë nënë”: Rrëfimi i gruas nga Gaza që po rrit një jetim

Në mes të shkatërrimit dhe humbjeve të pafundme në Gaza, Maha al-Rubaie gjen një arsye për të jetuar duke u bërë nënë për një foshnjë jetim. Jeta e saj sot është e mbushur me përkujdesje të pandërprerë, sakrifica të heshtura dhe një përkushtim të thellë ndaj një fëmije që u bë shpresa e vetme në mes të dhimbjes

Maha al-Rubaie zgjohet pak çaste para agimit, në klasën e dikurshme të një shkolle, tashmë të lagësht dhe të ftohtë, e cila është shndërruar në strehën e saj të përkohshme. Ajo shtrin dorën ngadalë dhe me kujdes për të prekur gjoksin e foshnjës që fle në krevatin metalik pranë saj. Ndien ritmin e qetë të frymëmarrjes së tij – ngritjen dhe uljen e butë të kraharorit dhe pastaj shtrihet sërish në dyshekun e hollë, jo për të fjetur, por për ta vëzhguar me dashuri dhe përkujdesje.

Maha flet me një zë të ulët, të ngrohtë dhe të butë. Ajo buzëqesh shpesh dhe lëviz me hapa të ngadaltë e të kujdesshëm, sikur çdo hap të jetë i menduar mirë. Në moshën 56-vjeçare dhe e pamartuar, ajo kurrë nuk e kishte imagjinuar se një ditë do të bëhej nënë. Megjithatë, fati e solli që tani ajo të jetë “nënë” për Hamzën, një foshnjë jetim që nuk pati mundësinë të njohë kurrë prindërit e tij.

Sytë e mëdhenj dhe kureshtarë të Hamzës enden nëpër dhomë, duke vështruar çdo cep, dhe kur ndalen tek Maha, ai buzëqesh me pafajësinë e një foshnje.

“Kur ai hap sytë dhe më shikon mua, lëviz buzët sikur të thotë ‘mama’”, thotë ajo me një buzëqeshje të turpshme dhe të ndrojtur. “Jam mësuar që nipërit e vëllait tim të më thërrasin ‘teta’ apo ‘gjyshe’, por ai… ai do të më thërrasë ‘mama’”.

Maha është tezja nga ana e babait e Omar al-Rubaie, babait të Hamzës. Ajo dhe motra e saj, Huriya, e rritën Omarin që nga mosha 15-vjeçare, së bashku me dy vëllezërit e tij, pasi babai i tyre u vra gjatë luftës në Gaza në vitin 2008 dhe nëna e tyre u rimartua.
“Unë e rrita babanë e këtij fëmije kur ai vetë mbeti jetim, dhe tani po rris djalin e tij pasi edhe ai u bë jetim”, shpjegon Maha, duke e hedhur vështrimin plot dhimbje drejt foshnjës.

E gjithë familja e afërt e Hamzës u vra gjatë luftës së gjatë dhe shkatërruese në Gaza.
Më 18 mars 2024, ndërsa Maha po përgatiste ushqimin së bashku me nënën e Hamzës, Dianën, për iftarin e Ramazanit, një bombë goditi shtëpinë e tyre pesëkatëshe në Qytetin e Gazës.
“Pluhur i zi, rrënoja dhe copëza shpërthyese mbushën ajrin kudo”, kujton Maha me zë të rënduar.

Ajo, Diana dhe Omari vrapuan me nxitim drejt katit të sipërm, aty ku tre fëmijët e çiftit po luanin me kushërinjtë e tyre.
“Ishin të varrosur nën rrënoja… nuk kishte asnjë zë, asnjë lëvizje”, thotë ajo, me një hidhërim të thellë që i dëgjohet në zë.

Diana dhe Omari humbën fëmijët e tyre – Dimën tetëvjeçare, Anasin gjashtëvjeçar dhe Mohammedin trevjeçar – në atë sulm, së bashku me vëllain e Omarit, gruan e tij dhe dy fëmijët e tyre.
“Nëna e Hamzës u shkatërrua plotësisht shpirtërisht”, thotë Maha.

Pas kësaj tragjedie të rëndë, Diana ra në një depresion të thellë dhe të zgjatur, ndërsa Omari, i mbingarkuar nga dhimbja dhe pikëllimi, nuk arrinte as të hante. Pas disa muajsh, ata vendosën të përpiqeshin sërish për të pasur një fëmijë. Ditën kur u konfirmua shtatzënia e Dianës, “Omari dhe Diana shpërthyen në lot të pakontrollueshëm, të kapur mes dhimbjes së madhe për fëmijët që kishin humbur dhe gëzimit të brishtë për jetën e re që po vinte”, kujton Maha.

Ardhja në jetë e Hamzës

Në mes të urisë dhe mungesës së thellë të ushqimit, çifti priste me shpresë ardhjen e foshnjës së tyre. Ata blinin rroba sa herë që kishin mundësi dhe ëndërronin për një familje të madhe, duke folur për të pasur më shumë fëmijë në të ardhmen.
“Ata nuk e dinin se do të vriteshin dhe se nuk do ta shihnin kurrë fëmijën e tyre”, thotë Maha, me sytë e mbushur me lot.

Më 4 shtator 2025, Diana ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë kur tenda e tyre u bombardua pranë shkollës ku strehohej Maha me pjesën tjetër të familjes. Nëna e Dianës u vra në atë sulm, ndërsa çifti, i plagosur rëndë dhe në gjendje kritike, u dërgua me urgjencë në spital. Në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar jetën e foshnjës, motra e Dianës iu lut mjekëve që të bënin gjithçka të mundur. Një operacion urgjent cezarian u krye në korridorin e spitalit, vetëm pak çaste pasi Diana kishte vdekur.

“Imagjinoni pak, data e lindjes së tij është e njëjtë me datën e vdekjes së prindërve të tij… njerëzve të tij më të dashur”, thotë Maha, ndërsa zëri i dridhet dhe i thyhet nga mërzia. “Në të njëjtën kohë morëm një certifikatë lindjeje dhe dy certifikata vdekjeje”.

Menjëherë pas lindjes, foshnja e sapoardhur në jetë u transferua me urgjencë në një spital tjetër për kujdes intensiv neonatal, pasi kishte vështirësi serioze në frymëmarrje dhe gjendja e tij ishte e brishtë.
Maha e pa për herë të parë brenda inkubatorit, ndërsa mjekët po i vendosnin një tub për ta ndihmuar të merrte frymë.
“Pas pesë ditësh, fytyra e tij filloi të përmirësohej dhe ne vendosëm ta quanim Hamza”, tregon ajo, duke shpjeguar se Omari kishte dashur një emër ndryshe nga ata të fëmijëve që kishte humbur, ndaj zgjodhën emrin Hamza – një emër që ai e donte shumë.

Maha e kujton qartë momentin e parë kur e mbajti në krahë.
“Fytyra e tij ishte e bukur, rrezatuese… Ta shihje atë ishte sikur të të hiqej një pjesë e dhimbjes dhe e pikëllimit nga zemra, në mes të gjithë mjerimit që na rrethonte”, thotë ajo.

Maha dhe motra e saj kishin kohë që kujdeseshin për familjen e Omarit, dhe Huriya, 58 vjeçe, tashmë po rritë edhe kushëririn tetëvjeçar të Hamzës, pasi motrat dhe prindërit e tij ishin vrarë bashkë me vëllezërit e Hamzës.
Pa hezitim dhe me një vendosmëri të menjëhershme, Maha vendosi që do ta rriste vetë foshnjën. “Abdulsalami është përgjegjësia jote, ndërsa ky fëmijë do të jetë i imi”, i tha ajo motrës së saj.

Kujdesi për Hamzën

Kur Hamza ishte vetëm rreth 20 ditësh, një operacion tokësor izraelit në veri të Gazës dhe shkatërrimi pothuajse total i sistemit shëndetësor e detyruan Mahën të largohej drejt jugut, duke marrë me vete foshnjën e saj të vogël. Ai kishte kriza të përsëritura dhe ajo ishte e dëshpëruar për t’i siguruar kujdes mjekësor.

Ndërsa jetonte në tenda së bashku me familjen, ajo e çonte Hamzën në spital çdo ditë. Ai iu nënshtrua analizave për 18 ditë rresht, ndërsa mjekët përpiqeshin të kuptonin problemin e tij shëndetësor. Maha ecte në këmbë përgjatë rrugëve të shkatërruara, duke e mbajtur djalin në krahë çdo ditë, sepse nuk kishte asnjë mjet transporti në dispozicion.

Ajo kishte frikë të madhe se mund ta humbiste edhe Hamzën.

Mjekët përfundimisht përcaktuan se ai do të kishte kriza neurologjike periodike si pasojë e mungesës së oksigjenit gjatë lindjes. Ai kishte nevojë për medikamente të rregullta dhe për kujdes të specializuar, dhe gjendja e tij mund të stabilizohej me trajtimin e duhur. Por për shkak të shkatërrimit të sistemit shëndetësor nga lufta, Maha nuk ka arritur të sigurojë të gjithë trajtimin dhe barnat që i duhen.

Pas fillimit të një “armëpushimi” në tetor, ata u kthyen sërish në veri të Gazës, në shkollën ku strehoheshin më parë.

Jeta e Mahës sot është e mbushur me net pa gjumë, lodhje të vazhdueshme dhe një përkujdesje të pandërprerë e vigjilencë të përhershme.
Çdo ditë ajo ngroh ujë mbi një zjarr me dru, i cili prodhon tym të dendur që i rëndon frymëmarrjen dhe mushkëritë, vetëm që të përgatisë qumështin, ta lajë Hamzën dhe t’i pastrojë rrobat.

Maha vuan nga probleme nervore dhe shpesh nuk ka forcë apo ndjeshmëri të mjaftueshme në duar për ta ngritur dhe për ta mbajtur fëmijën, apo për të kryer detyrat e përditshme. Ajo ëndërron të ketë lodra për të dhe një karrocë, sepse krahët i janë lodhur nga mbajtja e vazhdueshme e djalit të vogël.

Maha dhe Hamza jetojnë së bashku me Huriyan dhe Abdulsalamin. Dy vëllezër dhe motra të tjera dhe një nip ndajnë të njëjtën hapësirë me ta, duke ndihmuar sa herë që munden, ashtu si edhe të afërm të tjerë që jetojnë përtej një cope pëlhure që shërben si derë ndarëse.

Natën, Maha qëndron zgjuar, gjithmonë në gatishmëri për ta qetësuar dhe ushqyer Hamzën përpara se ai të fillojë të qajë. Gjatë ditës, shpesh ndien nevojën të shtrihet dhe të pushojë, por ai e shikon me pritje dhe shpresë.
“E detyroj veten të ngrihem dhe të luaj me të”, thotë ajo, ndërsa e shikon në sy dhe qesh bashkë me të.

“Nuk mund ta duroj ta shoh të trishtuar. Mjafton ajo që ka kaluar edhe pse ende nuk e kupton”, shton ajo me një ndjenjë të thellë dhembshurie.

Shtëpia e Mahës dhe shumë nga anëtarët e familjes së saj nuk ekzistojnë më.
“Por ky fëmijë mbeti,” thotë ajo, ndërsa i afron djalit të saj të adoptuar shishen e qumështit. “Hamza më ka dhënë një arsye për të jetuar”.

Ajo përpiqet t’i largojë nga mendja mendimet për shëndetin e saj të brishtë, duke u lutur që të jetojë mjaftueshëm gjatë “për ta rritur dhe për të ecur me të në rrugëtimin e jetës së tij”.

Ajo ëndërron ta rrisë në një vend të sigurt dhe t’i ofrojë një arsim të mirë e një të ardhme më të ndritur.
“Dua që ai të rritet, të krijojë familjen e tij dhe të martohet, që të mos ndihet kurrë i vetmuar”, thotë ajo me shpresë.

“Uroj që Zoti të ma zgjasë jetën, që të mund ta shoh fëmijërinë dhe gëzimin e tij”.

Përktheu: Blerta Haxhiu /koha

Exit mobile version