Ballina Artikuj Aktrimi i ministrit të Millosheviqit në skenën e OKB-së

Aktrimi i ministrit të Millosheviqit në skenën e OKB-së

Dr. Bashkim Aliu

Me 23 Maj 2024, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, miratoi rezolutën e cila e shpall 11 Korrikun ditë ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Më 11 korrik të vitit 1995, në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës, që ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, forcat serbe të udhëhequra nga krimineli Ratko Mlladiq, vranë mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë.
Rezoluta u miratua me 84 vota pro, 19 votuan kundër, dhe 68 abstenime. Të gjitha vendet që ishin pjesë e ish Federatës Jugosllave, me përjashtim të Serbisë, votuan për miratimin e rezolutës. Bashkë me Serbinë, kundër rezulutës votuan Kina, Rusia, Bellorusia, Koreja Veriore, Kuba, Siria dhe disa shtete tjera që janë nën ndikimin rus.
Rezoluta për nga teksti nuk i drejtohet konkretisht Serbisë, dhe nuk e apostrofon ate si përgjegjëse për gjenocidin, por në shënjestër i ka vetëm autorët e gjenocidit.
Hapja e debatit për këtë rezolutë, e lëvizi estabilishmentin serb, të cilët nuk lanë gur pa lëvizur për ta neutralizuar miratimin e kësaj rezolute, e cila edhe pse tekstualisht nuk i drejtohet Serbisë, megjithatë, fryma e saj qartë e ngërthen damkosjen e serbëve si përgjegjës kryesorë për krimet e bëra në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, dhe për rrjedhojë, këmbana e shëmtuar e krimit dhe gjenocidit do të qëndrojë e varur përgjatë gjithë historisë në qafën e shtetit amë të serbëve-Serbisë, i cili i mbështeti ata ushtarakisht, materialisht dhe politikisht gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në vende tjera të hapësirës ballkanike, gjë që rezultoi me krime më të egra që ka përjetuar kontinenti i Evropës pas luftës së dytë botëtore.
Presidenti i Serbisë, përndryshe ish minsitri i propagandës së ish presidentit të Serbisë, diktatorit dhe kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, nuk pushoi së thirruri me plot zë që rezoluta të rrëzohet dhe mos të votohet, pasi sipas tij, nuk do t’i ndihmojë pajtimit të popujve, dhe i akuzoi fuqitë e mëdha se kanë ushtruar presion ndaj vendeve anëtare të cilat nuk do të votonin për ta miratuar rezolutën. Në fakt, ish ministri i propagandës së diktatorit Millosheviq, e ka dertin se kjo rezolutë ka një simbolikë të madhe në renditjen e bijve të “Sveti Savës” në grupin e kriminelëve të cilët kanë kryer gjenocid. Në fakt, kjo rezolutë, me këtë epitet të merituar që po i karakterizon ata në historinë e njerëzimit, nuk është se ka shpikur diçka të pa njohur, ngase vitet e nëntëdhjeta, pa mos u futur në periudha tjera historike, shënojnë periudhën e përdhosjes së gjenit serb për ta realizuar projektin megaloman “Naçertania”, që rezultoi me luftëra të përgjakura në Ballkan, ku popujt fqinjë të serbëve, u sulmuan dhe u shndërruan në cak legjitim të kokave të helmuara me apetitet serbomadhe për t’i zhdukur të tjerët, e për të jetuar vetëm ata të zotë të tokës së Ballkanit.
Miratimi i rezolutës në selinë e OKB-së në Nju Jork, u përcoll edhe nga skena cirku ku performoi aktori i dëshmuar komik, ish ministri i Millosheviqit, dhe kryetari aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Si në raste të tjera gjatë takimeve në Bruksel me udhëheqësit e BE-së dhe të Republikës së Kosovës, po ashtu edhe në selinë e OKB-së, Vuçiqi bëri skena teatrale duke u mbështjellur me flamurin serb dhe duke bërë lëvizje trupore dhe me mimikë që ia ka zanat e i shkojnë për dore, për t’u shitur si viktimë, por që nuk i ecin, pasi është demaskuar.
Serbia mban përgjegjësi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në gjithë Ballkanin, në veçanti në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Republikën e Kosovës, dhe skenat teatrale të luajtura nga Vuçiqi, nuk është se mund ta mashtrojnë botën. Kjo që u miratua në OKB për Srebrenicën, është një nga damkat që i është vënë në fytyrë Serbisë para botës dhe para brezave të ardhshëm përgjatë historisë. Por, asaj duhet vënë edhe damka e krimeve në Republikën e Kosovës, pasi dora e saj kriminele ka bërë krime kundër njerëzimit edhe në Kosovë. Shfaqjet e aktorit komik Vuçiq për tu shitur viktimë, duke qenë kriminel, nuk do të kalojnë dhe nuk do të mund ta neutralizojnë solidarizimin me viktimat e krimeve serbe. Shpirti njerëzor nuk do të mund të jetë i qetë derisa bile edhe simbolikisht nuk ua var bartësve të projektit famëkeq të Garashaninit, Rankoviqit, Andriqit, Çosiqit, etj., këmbanën e shëmtuar të gjenocidit mbi njerëzimin, e që këta e meritojnë plotësisht.
Miratimi i kësaj rezolute, hap horizonte për nderimin e viktimave të të gjitha krimeve të kryera kundër njerëzimit, si dhe identifikimin e kriminelëve si titullar të gjenocidit dhe kirmeve kundër njerëzimit gjatë gjithë historisë.
Aktori tragjiko-komik i Beogradit, do të duhet të përgaditet edhe për skena tjera komike, pasi e presin edhe titujt të tjerë të shëmtuar.

Bashkim Aliu

Exit mobile version