Një herë, Aliu hyri në shtëpinë e tij dhe gjeti Fatimen me dy djemtë, Hasanin dhe Husejnin të ulur në prehërin e saj duke qarë. Aliu e pyeti Fatimen:”Çfarë kanë që qajnë?”
Fatimeja i tha:”Qajnë për shkak të urisë. Nuk kemi asgjë për t’u dhënë për të ngrënë.”
Atëherë Aliu doli nga shtëpia i mërzitur dhe duke menduar se si do i ushqejë fëmijët e tij që qanin nga uria. Ai e luste Zotin që t’a furnizojë dhe t’ia lehtësojë të gjejë një punë. Ndërkohë që po bridhte rrugëve i mbytur në mendime, sytë i ranë mbi një dinar floriri në rrugë. Ai e mori menjëherë dhe me të vajti tek gruaja e tij Fatimeja, të cilës i tregoi menjëherë.
Ajo i tha:”Shko tek filan shitës çifut dhe blij miell.” Aliu vajti menjëherë dhe solli miellin para Fatimes.
Ajo i tha përsëri:”Tani shko dhe na blij mish tek filani.” Pasi Aliu e solli dhe mishin, Fatimeja filloi menjëherë të gatuajë. Pasi përfundoi nga gatimi i bukës dhe gjellës, i vendosi ato përtokë dhe të gjithë u grumbulluan rreth ushqimit. Fatimeja ndau një copë bukë dhe ia dërgoi Profetit a.s, babait të saj.
Pa filluar akoma të hanë, u bë një pyetje:”A na lejohet të hamë nga ky ushqim, ndërkohë që e dimë që është blerë me një dinar të gjetur në rrugë?” Para se të fusin gjë në gojë, ata pyetën dhe Profetin a.s, i cili i tha Aliut dhe Fatimes:”Jo.”
Ndërkohë që ata ndodheshin në dhomë dhe po debatonin rreth kësaj çështjeje, dëgjuan nga jashtë një zë që thërriste:”Më ka humbur një dinar. Kush e ka gjetur?”
Kur e dëgjoi këtë zë Profeti a.s, i tha Aliut:”Shko tek kasapi dhe kërkoji dinarin dhe premtoji se do ia kthesh sa më shpejt të jetë e mundur.” Menjëherë Aliu u nis bashkë me burrin tek kasapi, të cilit i kërkoi dinarin dhe atë ia dorëzoi burrit që e kishte humbur.” Ndërkohë që kasapit i premtoi se do ia shlyejë dhe për këtë ishte garant vetë Profeti a.s.
Ne e studiojmë jetëshkrimin e të përgëzuarve me xhenet, me qëllim që të përfitojmë nga mënyra e edukimit të tyre, konceptin që kishin për pasurinë dhe çfarë vendi zinte ajo në zemrat e tyre.
Ne sot jemi dëshmitarë që jo vetëm individë dhe familje, por ka shtete të cilat rrënohen plotësisht për shkak të pasurisë haram.
Ata ishin të interesuar që të mos ushqeheshin veçse me hallall. Vetë Profeti a.s i kishte edukuar me këtë frymë, duke i porositur se:”Çdo organ që rritet me ushqim haram, meriton zjarrin.”
Për këtë, Aliu ishte i kujdesshëm që as vetë dhe as familja e tij të mos ushqeheshin me ushqim të fituar në rrugë haram.
Nëse një njeri ushqehet me haram, ai nuk do të ketë bereqet në rizkun, kohën, jetën dhe madje as në marrëdhëniet bashkëshortore dhe edukimin e fëmijëve.
Hoxhë Hasan Baftijari
