Ballina Artikuj Allahu është Krijuesi

Allahu është Krijuesi

Thelbi i artikullit

Është një thirrje e thellë shpirtërore për ta kuptuar, ndier dhe jetuar me emrin e Zotit El-Halik – Krijuesi, duke medituar mbi procesin e krijimit të gjithësisë dhe të vetë njeriut. Teksti përshkruan madhështinë e Krijuesit që ka ekzistuar përpara çdo gjëje dhe që e krijoi gjithësinë me urtësi, qëllim dhe gradualitet, si një përgatitje për ardhjen e njeriut. Ai përmend se çdo gjë në univers – qiejt, toka, engjëjt, xhindët, krijesat e tjera – janë shfaqje të fuqisë dhe mëshirës së Zotit. Njeriu, ndonëse krijuar nga dheu, është nderuar si përfaqësues i Zotit në tokë, por duhet të qëndrojë i përulur, sepse gjithçka që ka, i përket Krijuesit. Meditimi mbi këto të vërteta, thekson teksti, na ndihmon të ndiejmë afërsinë me Allahun dhe të mbushim zemrën me adhurim, ndërgjegjësim dhe përulësi ndaj Tij.

Njeriu është një krijesë e nderuar nga Allahu, i krijuar me dorën dhe mëshirën e Tij, duke marrë shpirt prej Tij dhe duke u bërë mëkëmbës në tokë. Kjo pozitë e lartë e njeriut kërkon që ai të jetë i vetëdijshëm për qëllimin e krijimit të tij: adhurimin e Allahut dhe marrjen e përgjegjësisë për tokën me punë, mendim dhe drejtësi. Teksti thekson dashurinë dhe mëshirën e madhe të Allahut për njeriun, pavarësisht gjynaheve të tij, dhe e fton atë të reflektojë mbi krijimin, që të mos harrojë Krijuesin e vet dhe detyrën që ka ndaj Tij. Adhurimi nuk kufizohet vetëm në rituale, por përfshin çdo vepër të sinqertë që synon kënaqësinë e Zotit.

Krijuesi i gjithësisë, Allahu i Madhërishëm, ka krijuar çdo gjë në mënyrën më të përkryer dhe origjinale, pa mjete, kallëpe apo nevojë për përmirësime të mëvonshme. Njeriu përpiqet të imitojë krijimet hyjnore – nëndetset imitojnë peshqit, aeroplanët zogjtë, kamerat syrin – por asgjë nuk i afrohet përsosmërisë së krijimeve të Tij. Ndryshe nga prodhimet njerëzore që vjetërohen dhe kërkojnë modifikime, krijesat e Zotit mbeten gjithmonë të bukura, funksionale dhe moderne, pa asnjë nevojë për ndryshim. Nga shikimi i qiellit e deri te gjethet e pemëve, çdo krijesë ka vulën e Krijuesit të saj dhe dëshmon për fuqinë e pakufishme të Zotit. Çdo fytyrë njeriu, çdo gjethe, çdo peshk, është unik dhe i veçantë. Natyra na jep dëshmi të përvitshme të ringjalljes, si pranvera pas dimrit, duke na kujtuar fuqinë e Allahut për të na ringjallur në Ditën e Kijametit. Ai ka krijuar gjithësinë për njeriun, duke bërë që çdo gjë të jetë në harmoni me nevojat tona, dhe kjo është dëshmi e dashurisë së Tij për ne. Dashuria ndaj Krijuesit është detyrë dhe përgjigje ndaj gjithë kësaj madhështie. Të dashurit e Zotit, si Ibrahimi, Musai e Muhammedi (a.s), jetuan për Atë dhe u përkushtuan plotësisht në adhurim dhe dashuri. Dashuria ndaj Allahut është parajsa e kësaj bote dhe përkushtimi ndaj Tij është lumturia e përhershme. Ai që nuk shijon dashurinë për Allahun, ka humbur më të mirën e kësaj jete. A mund ta duash Ti Krijuesin tënd, ashtu siç të do Ai? Ai thotë: “Ai i do dhe ata e duan Atë”, dhe “Ai është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të.” Dashuria e Zotit fillon me Të, ndaj të jetosh me emrin e Tij El-Halik është të vëresh krijimet me mendim dhe të lidhesh me Atë me gjithë qenien tënde.

Për një pasqyrë më të gjerë dhe të argumentuar, ju ftojmë të lexoni tekstin e mëposhtëm:

Emrin që do të trajtojmë në këtë temë, e kemi mësuar që kur ishim të vegjël. Është për të ardhur keq kur themi se është emri i parë mbi të cilin kemi dëgjuar, por që nuk e kemi përjetuar si duhet. Ky emër është El-Haliku (Krijuesi). Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Allahu është Krijuesi i gjithçkaje.”[1]

Të krijosh, do të thotë të sjellësh diçka në ekzistencë nga asgjëja. A të ka ndodhur ndonjëherë që, kur ke dëgjuar emrin Krijues, të rrënqethet mishi? A të ka ndodhur ndonjëherë të kërkosh të veprosh një gjynah dhe ke kujtuar Krijuesin dhe të ka ardhur turp prej Tij? A je mirënjohës ndaj Krijuesit që të solli në këtë botë nga asgjëja? A e ke pyetur veten ndonjëherë, cili është qëllimi i krijimit tim?

Kjo temë përbëhet nga pesë pika kryesore:

1 – Hyrje.

2 – Si ta ndiej dhe si të jetoj me emrin e Zotit, El-Haliku?

3 – Shpirti dhe qëllimi i krijimit tonë.

4 – Krijesat e mrekullueshme të Zotit në gjithësi.

5 – Si të reagojmë dhe t’i përgjigjemi emrit El-Haliku?

Hyrje

Le të fillojmë me hyrjen e përgjithshme. Njerëzit janë dy lloje në njohjen e Krijuesit: Lloji i parë dëshmojnë dhe besojnë mbi ekzistencën e një Krijuesi. Në këtë lloj bëjnë pjesë pothuajse të gjithë njerëzit, muslimanët dhe të krishterët, i miri dhe i keqi… të gjithë besojnë në ekzistencën e një Zoti. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an rreth idhujtarëve të Mekes: ”Dhe nëse i pyet kush i krijoi qiejt dhe tokën, do të thonë Allahu.”[2]

Kurse lloji i dytë i njerëzve që e njohin Zotin, janë ata njerëz që, përveçse e besojnë, e duan Atë, e adhurojnë, u vjen turp dhe u binden urdhërave të Tij. Janë pikërisht këto kritere dhe ky lloj besimi, ai për të cilin do të flasim në këtë temë.

Me qëllim që të përfitosh sa më shumë nga kjo temë, duhet që çdo ajet që do të përmendim, ta kalosh më parë nga zemra dhe nga mendja jote. Jeto me ajetet që do të lexosh dhe medito rreth tyre.

Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe Ai është Garantuesi i çdo gjëje.”[3]

Ky ajet pohon se çdo gjë që ekziston, përveç Zotit, është e krijuar.

“A mos i bënë Allahut shokë (idhuj) dhe ata zota krijuan siç krijoi Ai dhe atyre u është bërë i ngjashëm (i paqartë) krijimi (e nuk po dinë se cili është krijim i Zotit, e cili i idhujve)? Thuaj: “Allahu është Krijues i çdo sendi, Ai është i vetmi Ngadhënjyes!”[4]

A mund të krijojë dikush tjetër përveç Zotit? Nëse je i bindur se askush tjetër nuk mund të krijojë, atëherë: ”Atij i takon krijimi dhe urdhëri.”[5] Ai që krijon, Ai urdhëron dhe vetëm Atij duhet t’i bindesh: “O ju njerëz, adhurojeni Zotin tuaj që u krijoi…”[6]

O vëlla, a ke medituar ndonjëherë rreth krijimit të vetes tënde? A ke medituar ndonjëherë se si je pajisur me shpirt? A ke medituar ndonjëherë se si mund të lëvizësh, si flet, si dëgjon, si ndien…

Në arabisht kemi tre emra që tregojnë mbi krijimin: El-Haliku (Krijuesi), El-Bariu (Shpikësi) dhe El-Musavviru (Formëdhënës). Këto tre emra përmenden në suren El-Hashr: ”Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formëdhënësi. Të tij janë emrat më të bukur.”[7]

Këto tre emra janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, pasi që të tre flasin mbi procesin e krijimit. Kështu, emri El-Halik (Krijuesi), si e thamë edhe më sipër, është Ai që krijon diçka nga asgjëja. El-Bariu është Ai që e krijon gjithçka në mënyrë të përshtatshme me rolin që do të luajë dhe e pajis me mjetet e nevojshme për rolin dhe misionin që do të kryejë. El-Musavviru është Ai që jep formën përfundimtare të krijesave. Çdo krijesë që ekziston, ka një formë të caktuar. Elefanti, milingona dhe gjithçka tjetër e krijuar kanë forma të ndryshme nga njëra-tjetra. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Është Ai që u jep formë në mitër, ashtu siç dëshiron.”[8]

Kështu, tre emrat e lartpërmendur, flasin rreth procesit të krijimit.

Qëllimi ynë me këtë temë, është që Krijuesin të mos e njohim thjesht me gojë. Qëllimi ynë me këtë temë është që emrin El-Halik ta përjetojmë në jetën tonë. Duke e përjetuar, do të na shtohet dashuria për All-llahun e Madhërishëm. Kjo do bëjë të na vijë turp prej Tij, gjë që do të na shtojë përkushtimin, adhurimin, modestinë… Të gjitha këto do të na japin forcë për të zbatuar porositë dhe udhëzimet e Tij. Do të na ndihmojnë të çojmë në vend misionin për të cilin jemi krijuar.

Si ta ndiej dhe si të jetoj me emrin e Zotit, El-Haliku?

Si të arrij të më rrjedhin lotë kur të kujtoj emrin e Tij, El-Haliku? Si të arrij në atë gradë që, sa herë të zgjohem nga gjumi, të meditoj rreth Krijuesit, i Cili ma ktheu shpirtin përsëri? Si ta kujtoj Krijuesin tim, sa herë që dua të bëj një gjynah? Për këtë, le të jetojmë me detajet e krijimit të gjithësisë. Ai që na ndihmon për të ditur se si u krijuam dhe si u krijua gjithësia, është vetë libri i Zotit të Madhërishëm, Kur’ani.

Para se të krijohej Ademi (a.s), para se të krijohej qielli dhe toka, para se të krijoheshin melekët…. ekzistonte vetëm All-llahu i Madhërishëm: ”Vërtet ka kaluar një periudhë kohore, që njeriu nuk ekzistonte fare si diçka e përmendur.”[9] “A janë krijuar nga asgjëja, apo janë krijuesit e vetes. Mos kanë krijuar qiejt dhe tokën, por nuk janë të sigurtë.”[10]

Thotë Umran ibnu Husejn (r.a) “Erdhi një grup njerëzish nga Jemeni tek i Dërguari i Zotit dhe e pyetën: “O i Dërguari i Zotit! Kemi ardhur të mësojmë më shumë mbi fenë tonë dhe të pyesim mbi fillimin e krijimit.” Profeti (a.s) u përgjigj: “Ekzistonte vetëm Zoti dhe nuk ekzistonte gjë tjetër veç Tij…”

Fillimi i krijimit të njeriut ishte një frymë nga ana e Allahut të Madhërishëm. Po kështu, fundi i gjithësisë do të jetë nga një frymë. O vëlla dhe o motër, a e shikon sa e dobët është gjithësia? Vallë, ku janë shtetet e fuqishme? Ku janë bombat atomike? Ku është gjithë ajo forcë ushtarake? Gjithçka do të përfundojë nga një frymë. A e kupton tani ajetin: ”Është Ai që e fillon krijimin dhe e përsërit atë?” [11] A e kupton tani lutjen e Profetit (a.s): ”O Zot! Ti je i Pari dhe para Teje nuk ekzistonte asgjë. Ti je i Fundit dhe pas Teje nuk ka asgjë. Ti je i Larti dhe sipër Teje nuk ka asgjë.” A e shikon tani se sa i vërtetë është ajeti: “Ata nuk e vlerësuan Allahun ashtu siç e meriton. E gjithë toka do të jetë në dorën e Tij Ditën e Kijametit. Qiejt do të mbështillen me të djathtën e Tij. I pa të meta dhe i Lartësuar është Ai, për gjithçka që i shoqërojnë.”

O vëlla, a e shikon se njeriu nuk është pronar i tokës? Ai është krijuar në tokë dhe gjithçka që posedon, nuk është pronë e tij. O njeri, si ka mundësi të tregohesh kryeneç dhe arrogant, në një kohë që erdhe nga asgjëja dhe hiçi?!

Gjëja e parë që krijoi Allahu i Madhërishëm në gjithësi, është lapsi. Këtë na e tregon vetë Profeti (a.s) në një thënie të tij, të cilën e transmeton Ubade ibnu Samit (r.a): “Gjëja e parë që krijoi Zoti ishte penda, të cilën e urdhëroi të shkruajë dhe ajo në ato çaste shkroi gjithçka do të ekzistojë deri në Ditën e Kijametit.”

Kurse në një thënie të Profetit (a.s) thuhet: “Zoti i tha pendës: “Shkruaj dijen Time rreth krijesave të Mia që do të ekzistojnë deri në Ditën e Kijametit.”[12]

Alllahu i Madhërishëm është Krijuesi absolut, është i Gjithëfuqishmi absolut, është i Gjithëdituri absolut, ndërsa e kundërta është me ne: “Zoti i tha: “Dorëzohu!” Ai tha: “I dorëzohem Zotit të botërave.”[13]

Më pas Allahu i Madhërishëm krijoi qiejt dhe tokën: “Vërtet, Zoti juaj është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arsh.”[14]

Allahu i Madhërishëm e krijoi tokën dhe qiejt për gjashtë ditë, duke ia përshtatur atë jetës së njeriut. Ai ka caktuar që gjërat në jetën e njeriut të mos ndryshojnë brenda një dite ose një nate. Krijimi i tokës dhe i qiejve në gjashtë ditë, na mëson se duhet të jemi të duruar dhe se ndryshimi për mirë nuk mund të vijë për një ditë: ”Ne i krijuam qiejt dhe tokën dhe çdo gjë mes tyre, pa u lodhur. Prandaj duro…”[15]

Që ta kuptosh më mirë madhështinë e gjithësisë, lexo hadithin e mëposhtëm:

“Qielli i parë në krahasim me qiellin e dytë, është sa një unazë në shkretëtirë. Qielli i dytë në krahasim me të tretin, është sa një unazë në shkretëtirë. Qielli i tretë në krahasim me të katërtin, është sa një unazë në shkretëtirë. Qielli i katërt në krahasim me të pestin, është sa një unazë në shkretëtirë. Qielli i pestë në krahasim me të gjashtin, është sa një unazë në shkretëtirë. Qielli i gjashtë në krahasim me të shtatin, është sa një unazë në shkretëtirë. Qielli i shtatë në krahasim me Fronin e Allahut, është sa një unazë në shkretëtirë.”

A e shikon madhështinë e krijesave të Zotit? O njeri, a e shikon sa i vogël je në krahasim me këto krijesa madhështore? Sa vend mund të zësh në gjithë këtë gjithësi? Megjithatë, ti je krijesa më e shtrenjtë dhe më e dashur për Zotin: “Unë do të caktoj në tokë mëkëmbës.”[16]

Pasi krijoi qiejt dhe tokën, Allahu i Madhërishëm krijoi edhe disa vlera mbi tokë. Thotë profeti Muhammed (a.s): ”Zoti e ka bërë të shenjtë Meken, ditën që krijoi qiejt dhe tokën. Ajo është e shenjtë deri në Ditën e Kijametit.”

Thotë Profeti (a.s) në një hadith tjetër: ”Kur Zoti krijoi gjithësinë, shkroi një fjali mbi Arshin e Tij sublim. Në të shkruhet: ”Mëshira Ime ia kalon zemërimit Tim.”

O njeri, të gjithë këto, krijoheshin si përgatitje për krijimin tënd. Ti si njeri, duhej ta gjeje gjithçka të përgatitur. Krijesa tjetër e radhës ishin melekët. All-llahu i Madhërishëm i krijoi edhe ata nga hiçi. Numrin e tyre e di vetëm Ai që i krijoi.

Thotë Profeti (a.s) në një hadith: ”Është rënduar qielli dhe ka të drejtë të rëndohet. Në çdo pëllëmbë vend gjendet një melek në këmbë, në ruku ose në sexhde, duke u falur. Qëndrojnë në këtë gjendje deri në Ditën e Kijametit. Kur të ndodhë Kijameti do të çohen nga sexhdeja dhe rukuja dhe do të thonë: ”O Zot! I pa të meta je, ne nuk të kemi adhuruar siç e meriton.”

Ai tregon mbi Xhibrilin (a.s) dhe thotë: ”E kam parë Xhibrilin (a.s) në formën e tij origjinale, kishte gjashtëqind krahë. Çdo krah mbulonte horizontin. Kur i përplaste krahët, derdheshin diamantë dhe gurë të çmuar.”

Thotë Profeti (a.s) në një thënie tjetër: ”Më është lejuar të flas rreth njërit nga melekët që mbajnë Arshin. Nga bula e veshit deri tek supi i tij largësia është sa një distancë prej shtatëqind vitesh.”

Melekët janë krijuar prej drite, me qëllim që t’i përshtaten misionit për të cilin janë krijuar: përhapja e mesazhit hyjnor në tokë, mbrojtja e besimtarëve, qëndrimi pranë tyre gjatë ligjëratave fetare, lutja për besimtarët… Drita është simbol i pastërtisë, është mjet udhëzues dhe ndriçues për rrugën. Kështu, melekët u krijuan nga ajo gjë me të cilën do të kenë të bëjnë në këtë botë.

Krijesat e tjera ishin edhe xhindët, të cilët Allahu i Madhërishëm i krijoi nga flakët e zjarrit. Shejtani ishte nga xhindët dhe shkaku pse refuzoi t’i përulej Ademit (a.s), ishte se mendonte se është më i mirë se ai. Kjo, pasi mendonte se zjarri është më i mirë se balta. Kjo ishte nga injoranca dhe idiotësia e tij, pasi kjo baltë që Zoti e bëri njeri, do të jetë përgjegjëse mbi gjithë tokën. Ai e krijoi njeriun nga toka, pasi do të jetë përgjegjësi i saj.

Natyra e zjarrit është shkatërrimi dhe djegia, kurse natyra e baltës është zhvillimi dhe e mira. Shpeshherë zjarri del jashtë kontrollit dhe shkatërron gjithçka, kurse natyra e baltës është qetësia dhe qëndrueshmëria. Edhe nëse përdoret për gjëra të dobishme, prej zjarrit e pret të keqen kurdo, kurse balta dhe dheu është vetëm për mirë. Pasi toka u bë e përshtatshme për jetë, Allahu i Madhërishëm krijoi krijesat e tjera, krijoi botën e zogjve, atë të gjallesave ujore, botën e kafshëve, bimëve, insekteve… Gjithçka që krijohej, krijohej për t’i shërbyer njeriut. Si ka mundësi që njeriu nuk e njeh Zotin dhe Krijuesin e tij, pas gjithë kësaj? Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Këto janë krijesat e Zotit. Më tregoni krijesat që kanë krijuar ata që adhuroni veç Meje.”[17]

E habitshme është se, teksa lexojmë proceset që kaloi krijimi i Ademit, do të vërejmë se në Kur’an herë thuhet se është krijuar nga balta, herë nga dheu, herë nga balta e ngjizur, herë nga balta e tharë etj..

Të gjitha sa përmendëm janë etapa në të cilat kaloi krijimi i njeriut të parë. Ai nuk u krjua me urdhërin “Bëhu!” dhe të bëhej. Por gjithçka kaloi në disa procese dhe etapa, për të ardhur në plotësimin e tij si krijesë përfundimtare. Krijimi i Ademit (a.s) kaloi në gjashtë procese, derisa u plotësua dhe secila prej tyre përmban në vetvete një mesazh për të përcjellë.

Etapa e parë është mbledhja e dheut, që do të përdorej për krijimin e Ademit (a.s). Thotë profeti Muhammed (a.s): ”Zoti e krijoi Ademin (a.s)nga një grusht dheu që e mori nga gjithë dheu i tokës.”

Allahu i Madhërishëm dërgoi Xhibrilin (a.s), të cilit i tha: ”Shko dhe merr një grusht dhe nga toka”[18]

Në një hadith tjetër, Profeti (a.s) thotë: ”Zoti e krijoi Ademin (a,s) nga një grusht dhe, të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Si rezultat erdhën njerëzit me ngjyra të ndryshme, të kuq, të bardhë dhe të zinj. Nga kjo rrjedhin dhe njerëzit zemërbutë, të pakuptueshëm dhe të këqinj.”

O njeri, origjina nga u krijove është dheu, prandaj mos u trego arrogant ndaj urdhërave të Zotit të Madhërishëm. Tregon Profeti (a.s) në një hadith kudsij, se Allahu i Madhërishëm thotë: “Kush përulet ndaj Meje kështu – dhe Profeti (a.s) e uli pëllëmbën e dorës, derisa preku tokën – do ta ngre kështu – dhe Profeti (a.s) ngriti pëllëmbën e dorës lart – deri në qiell.”

Etapa e dytë e krijimit të Ademit (a.s) është ajo e mbledhjes së dheut dhe e lagies me ujë, me qëllim që të bëhet baltë. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: “Kujto kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të krijoj njëri prej balte.”[19]

Po përse Allahu i Madhërishëm zgjodhi dheun dhe ujin si bazë të krijimit të njeriut dhe nuk zgjodhi diçka tjetër, si, për shembull, hekurin?

Dheu dhe uji janë zgjedhur si substancat bazë të krijimit të njeriut, pasi janë elementët më të pastër dhe kanë veti pastruese. Vetë uji në natyrën e tij është i pastër dhe përdoret për të pastruar. I pastër është edhe dheu, të cilin e përdorim për tejemum në rast mungese të ujit.

Etapa e tretë është kur fillon balta të ngjizet dhe të trashet, të cilës mund t’i jepet formë. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Ne e krijuam atë nga balta e ngjizur.”[20]

Krijimi i njeriut nga balta e ngjizur, tregon se ai, si krijesë, është rezistent dhe i prirur për t’u përshtatur me rrethanat.

Etapa e katërt është kur Allahu i Madhërishëm i dha formë, me duart e Tij fisnike, kësaj balte të ngjizur. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”O Iblis, çfarë të pengoi të përulesh ndaj atij që e krijova me duart e Mia? A u tregove kryeneç apo je nga ata që janë arrogantë?”[21]

Etapa e pestë është kur Ademi (a.s) mori formën e njeriut dhe qëndroi për t’u tharë. Gjatë kësaj kohe, atij i ndryshoi edhe ngjyra, e cila u bë si e qeramikës. Në këtë kohë njeriut iu formua edhe pjesa e brendshme e trupit, barku. Atëkohë ai ishte bosh dhe trupi i Ademit, po të goditej, kishte një zë si ai i qypit.

Shpirti dhe qëllimi i krijimit tonë

Deri në këtë kohë, njeriu ishte thjesht një statujë balte, e pavlerë. Kjo do të vazhdojë deri në ato çaste kur Zoti i Madhërishëm do t’i japë shpirtin. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kuran: ”Dhe nëse i jap formë dhe shpirt, ju i bini në sexhde.”[22]

Vetë ajeti i mësipërm, përmban tre nderime për njeriun: I pari është formësimi, që Zoti i dha me duart e Tij fisnike. I dyti është shpirti, të cilin ia fryu e i dha jetë dhe i treti është se urdhëroi melekët t’i bien në sexhde. U urdhëruan krijesat më të pastra dhe që e adhurojnë Zotin më shumë se kushdo tjetër, që t’i përulen njeriut, i cili do e harrojë Atë më vonë. Jo vetëm kaq, por, kur Iblisi refuzoi t’i përulej njeriut, Allahu i Madhërishëm e nxori nga Xhenneti dhe e mallkoi.

Një frymë nga ana e Allahut të Madhërishëm dhe damarët e Ademit (a.s) filluan të funksionojnë, hunda filloi të nuhasë, truri filloi punën, zemra filloi të rrahë… Nga një copë balte e pjekur, u kthye në sy që shikojnë, në duar që prekin, në këmbë që lëvizin… O njeri, a e shikon sa i dashur dhe i shtrenjtë je?

Lexoji këto hadithe që tregojnë dashurinë e Allahut të Madhërishëm ndaj teje:

Thotë Profeti (a.s) në një hadith: “Çdo ditë deti i kërkon leje Zotit duke i thënë: ‘O Zot! Më lejo ta përmbys njeriun, pasi ai ushqehet nga furnizimi Yt dhe falënderon dikë tjetër.’ Qiejt i thonë: ’O Zot! Na lejo ta shkatërrojmë njeriun, pasi ai ushqehet me furnizimin Tënd dhe falënderon dikë tjetër.’ Toka i thotë: ‘O Zot! Më lejo ta përpij njeriun, pasi ai ushqehet me furnizimin Tënd dhe falënderon dikë tjetër.’ Por Zoti u përgjigjet: “I lini, pasi edhe ju, nëse do i kishit krijuar, do t’i mëshironit.”

Thotë Allahu i Madhërishëm në një hadith kudsij: ”O robi Im! Të nxorra në ekzistencë nga hiçi. Të pajisa me dëgjim, shikim, mendje dhe zemër. Robi Im! Unë të mbuloj, teksa vepron gjynahe, kurse ty nuk të vjen turp prej Meje? Robi Im! Unë të kujtoj, kurse ti më harron? Robi Im! Mua më vjen zor të ndëshkoj, kurse ty nuk të vjen zor prej Meje, me gjynahet që vepron? Kush është më zemërgjerë se Unë? Kush ka trokitur në derën Time dhe nuk ia kam hapur? Kush më ka kërkuar dhe nuk i kam dhënë? A dorështrënguar jam Unë, që tregohet edhe robi Im dorështrënguar?

O biri i Ademit, të kam krijuar me duart e Mia, të kam ushqyer me mirësitë e Mia, kurse ti më kundërshton dhe del kundër Meje? Nëse pendohesh, Unë të pranoj përsëri. Ku do të gjesh një zot si Unë, Mëshirues dhe Falës?”

O njeri, ti je krijuar nga elementët më të pastër mbi tokë, prandaj mos prano ta ndotësh veten me gjynahe. Kij frikë dhe turp nga Krijuesi yt Suprem. Po të shohim në krijimin e njeriut nga Allahu i Madhërishëm, do të gjejmë se Ai e ka krijuar njeriun në katër forma të ndryshme:

1 – Ka krijuar Ademin (a.s) nga dheu, pa nënë dhe pa baba.

2 – Krijoi Havanë nga brinja e Ademit (a.s), me baba, por pa nënë.

3 – Krijoi Isanë (a.s) me nënë dhe pa baba.

4 – Krijoi të gjithë njerëzit dhe krijesat e tjera, me nënë dhe baba (Nga një burrë dhe një grua).

Kjo, me qëllim që ne ta kuptojmë se Allahu i Madhërishëm ka në dorë të bëjë gjithçka. Me qëllim që të ndërgjegjësohesh, se krijimi yt si njeri, është një mrekulli vetëm e All-llahut të Madhërishëm. Çdo ditë që lind një fëmijë, tregon mbi këtë mrekulli. Me qëllim që të ndërgjegjësohesh se Zoti ka në dorë të krijojë ç’të dojë me fjalën “Bëhu!” dhe ajo bëhet. Ai që krijon gjithçka me fjalën “Bëhu!”, mundet ta zhdukë gjithçka po me një fjalë, atë “Zhduku!” dhe gjithçka zhduket.

Allahu i Madhërishëm na e merr shpirtin çdo natë në gjumë dhe na e kthen atë në mëngjes. Kjo, me qëllim që ta kujtojmë Krijuesin tonë. O vëlla, a nuk të vjen turp të flesh duke vepruar gjynahe? Si nuk të shkon mendja se shpirti mund të mos të kthehet në mëngjes përsëri? O njeri, me emrin e Zotit El-Halik ke lidhje të veçanta, pasi çdo ditë Allahu i Madhërishëm ta kthen shpirtin dhe të krijon. Përse nuk e njeh Krijuesin, atëherë?

A ke menduar ndonjëherë se si është e mundur që një pikë sperme në mitrën e nënës, të bëhet njeri? A ke menduar se si nga kjo pikë uji janë formuar eshtrat, muskujt, flokët… Nëse sperma lihet jashtë, ajo për disa çaste prishet. Si ka mundësi që Allahu i Madhërishëm prej saj krijoi mëlçinë? Si ka mundësi që kjo pikë uji të krijojë zemrën dhe mushkëritë? Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”A e shihni atë që derdhni (spermën)? A ju e keni krijuar apo Ne jemi krijuesit e saj?”[23] O njeri, si ka mundësi që e mohon ekzistencën e Zotit, në një kohë që Ai të krijoi?

“Qoftë mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është! Po nga çfarë e krijoi atë? Atë e krijoi prej një pike uji dhe e përgatiti. Pastaj atij ia lehtësoi rrugën. Pastaj ia mori jetën dhe e varrosi. Dhe kur të dojë Ai e ringjall. Jo! Ai (njeriu) nuk zbatoi atë që urdhëroi Ai.”[24] “Është Ai që krijoi njeriun nga një pikë uji dhe i bëri farefis dhe krushq. Zoti yt është i aftë për gjithçka.”[25]

Thotë Profeti (a.s) në një hadith: “Secili prej jush qëndron në barkun e nënës në gjendje sperme për dyzet ditë. Më pas kthehet në copë gjaku dhe qëndron i tillë për dyzet ditë. Më pas kthehet në copë mishi dhe qëndron po aq i tillë. Më vonë dërgohet meleku, i cili urdhërohet të shkruajë katër gjëra: Shkruan rizkun, kohën e vdekjes, veprat dhe nëse do të jetë i lumtur apo i vuajtur dhe do t’i japë shpirtin.”

Çështja e shpirtit është enigmë. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Ata të pyesin rreth shpirtit, por ti thuaju se shpirti ëshë çështje e Zotit tim. Dhe ajo që u është dhënë nga dijet, është e pakët.”[26]

Teksa njeriu ëshë i gjallë, e gjithë familja e tij e duan dhe e përqafojnë kur shkon në shtëpi. Një minutë pasi t’i ketë dalë shpirti, të gjithë kanë frikë prej tij. Është i njëjti trup, por që i mungon shpirti.

Mëlçia ka shumë funksione, ditën që njeriu vdes, ajo kthehet e padobishme. O njeri, si vallë nuk e do Zotin?! Ai të krijoi dhe të dalloi nga të gjitha krijesat e tjera?! A ke menduar ndonjëherë rreth krijimit tënd? A mediton rreth mënyrës se si i lëviz duart? A mediton rreth asaj që qelizat e buzëve ripërtërihen çdo ditë, me qëllim që të ndjesh? O njeri, a ke menduar ndonjëherë mbi qëllimin e krijimit tënd? Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Unë do të caktoj në tokë një mëkëmbës.”[27]

Ti je i shtrenjtë dhe i dashur tek Zoti, por je i dobët, pasi je krijuar nga balta. Prandaj, mos u sill arrogant ndaj Zotit tënd.

Me qëllim që njeriu t’i përshtatet misionit për të cilin u krijua, atij iu liruan duart dhe me to mund të punojë. Kjo, pasi vetëm kështu mund ta plotësojë misionin e ngarkuar. Duke qenë mëkëmbës dhe përgjegjës për tokën, njeriut i duhet të punojë, të shpikë dhe të prodhojë me duart e tij. Veç duarve, Allahu i Madhërishëm e pajisi njeriun edhe me mendje, të cilën do e përdorë për të shfrytëzuar mirësitë e Zotit mbi tokë.

Për fat të keq, ne muslimanët e kemi harruar misionin për të cilin jemi krijuar mbi tokë. O musliman, gjithçka tjetër që është krijuar mbi tokë, është krijuar për ty.

Kur të dalësh rrugës, shikoji me vëmendje gjithçka që të rrethon dhe bëja këtë pyetje vetes: Gjithçka që më rrethon është krijuar që unë të luaj rolin tim si përgjegjës mbi tokë. Vallë, a po e luaj unë këtë rol? Cili është roli im në këtë botë? Mos vallë po mendoj vetëm për fëmijët dhe familjen time? Apo duhet që unë të ndërmarr reforma në tokë? A po e realizoj qëllimin e krijimit tim?

“Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit veçse për të më adhuruar.”[28] Mos duhet të rrimë gjithë ditën në xhami dhe të falemi? Sigurisht që jo! All-llahu i Madhërishëm ka krijuar melekë që i falen dhe i luten gjatë gjithë kohës. Prej nesh Ai kërkon që gjithçka që veprojmë, ta veprojmë me qëllimin që të arrijmë kënaqësinë e Tij. O student, adhurim është kur ti përpiqesh dhe arrin rezultate të larta, me qëllim që muslimanët të jenë model suksesi në jetë. Adhurim është edhe kur martohesh dhe lind fëmijë, të cilët i edukon me edukatë fetare. Çdo minutë që harxhon duke edukuar fëmijën, është minutë adhurimi.

Krijesat e mrekullueshme të Zotit në gjithësi

Krijuesi i ka krijuar krijesat e Tij në mënyra dhe forma të mrekullueshme. Gjithçka është origjinale dhe e përkryer. Të jesh origjinal, do të thotë që askush tjetër të mos ketë krijuar diçka të tillë më parë. Po të shohim, njeriu sot përpiqet të imitojë krijesat e Zotit të Madhërishëm. Nëndetset janë një imitim i peshqve. Aeroplanët janë imitim i zogjve. Aparatet fotografikë dhe kamerat janë imitim i syrit. Kompjuterat janë imitim i kujtesës së njeriut… All-llahu i Madhërishëm ka krijuar, ndërsa ne imitojmë.

Që njeriu të prodhojë diçka, i duhen mjete dhe kallëpe të shumtë. Fabrikat që merren me prodhimin e celularëve, për çdo vegël kanë mjetet dhe kallëpet e saj. Kurse All-llahu i Madhërishëm ka krijuar gjithçka, pa mjete dhe kallëpe. Krijimi i qiejve dhe tokës nuk ka nevojë për kallëpe dhe mjete, pasi All-llahu i Madhërishëm është Krijuesi i gjithçkaje origjinale.

Një pikë tjetër e rëndësishme është se Allahu i Madhërishëm i krijon krijesat e Tij, pa pasur nevojë për modifikime të mëvonshme. Po të shohim modelet e makinave të vitit 1950 dhe ato të vitit 2003, do të dallonim ndryshime rrënjësore. Kjo, pasi prodhimet e njeriut kanë nevojë gjithmonë për modifikime dhe ndryshime. Modelet e makinave të vitit 2006, ndryshojnë nga ato të tre viteve më parë, pasi pas çdo viti zbulojnë një të metë të modelit të kaluar. Kurse All-llahu i Madhërishëm i krijon krijesat që në fillim pa pasur nevojë për modifikime të tjera. A ke dëgjuar ndonjëherë për një njeri model 2003?!

Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”I Madhërishëm është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. Është Ai që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatfalësi. Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje? Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet te ti i përulur dhe i molisur.”[29]

Një pikë tjetër e rëndësishme është se aftësitë origjinale të krijimit, nuk njohin kufi për Zotin e Madhërishëm. Po të marrim një mijë piktorët më të mirë në botë dhe t’u kërkojmë të pikturojnë njerëz nga imagjinata e tyre, secili prej tyre mund të pikturojë maksimumi dhjetë fytyra njerëzish të ndryshëm nga imagjinata. Pas kësaj, do të fillojë të përsërisë të njëjtat fytyra. Kjo, pasi aftësitë krijuese dhe prodhuese të njeriut janë të kufizuara. Arkitektët, sado të aftë qofshin, kanë aftësi të kufizuara në projektimin e ndërtesave.

Që ta shohësh se aftësitë origjinale dhe krijuese të Zotit janë të pafundme, shiko botën e peshqve. Me miliona lloje, me miliona ngjyra dhe forma. Shiko gjethet e pemëve sa të ndryshme janë nga njëra-tjetra.

Shiko fytyrat e njerëzve. Çdo njëri prej tyre ka shenja gishtërinjsh të ndryshme nga tjetri, erë trupi të ndryshme, tinguj zanorë të ndryshëm, fytyrat janë të ndryshme, grupi i gjakut i ndryshëm… çdo krijesë e Zotit, sikur ka një vulë në të cilën shkruan: ”Kjo është krijesë e Zotit.” O vëlla, provoje ta shohësh gjithësinë me këtë sy. Të gjitha krijesat në fund kanë një vulë të vetme: ”Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”

Një karakteristikë tjetër e veçantë është se krijesat e Zotit, nuk bëhen të mërzitshme dhe nuk vjetërohen. Po të shohim modelet e veshjeve dhe të modës së viteve gjashtëdhjetë, do të na duken të vjetra dhe jashtë mode. E njëjta gjë është edhe për projektet e shtëpive. Kurse krijesat e Zotit nuk të duken kurrë jashtë mode. A të ka rënë rasti të shohësh një pemë dhe të thuash: “Pemë jashtë mode?” A ke dëgjuar dikë të thotë: “Nuk do të mbjellim më trëndafila, pasi kanë dalë jashtë mode?” A ke thënë ndonjëherë në verë: “Nuk do e shoh detin me sy, pasi ka dalë jashtë mode?” Krijesat e Zotit nuk vjetërsohen dhe nuk dalin kurrë jashtë mode. Deti, trëndafili, pemët, të mbjellat… do të vazhdojnë të tregojnë madhështinë dhe aftësitë e Krijuesit që i krijoi.

Një karakteristikë e krijesave të Zotit është se të gjitha karakterizohen nga një bukuri dhe hijeshi e rrallë. Si do të ishte gjithësia nëse do të ekzistonin vetëm dy ngjyra, për shembull, e bardha dhe e zeza? Gjithësia dominohet nga ngjyra të bukura dhe tërheqëse. Ato janë kombinuar në mënyrën më të mirë. Askush prej nesh nuk mund të thotë se ngjyrat e fluturave nuk janë kombinuar si duhet. Asnjë prej nesh nuk mund të thotë se ngjyrat e qiellit, të ujit dhe të rërës nuk janë të kombinuara bukur. Vallë, si do të ishte deti po të ishte flakë i kuq? Si do të ishte qielli po të ishte i zi?

Një pikë tjetër e rëndësishme është përsëritja e mrekullive, gjë që tregon mbi Krijuesin madhështor. Këtë e shohim më mirë në dimër, ku të gjithë pemët zhvishen nga gjethet dhe gjelbërimi, ku shumica e zogjve shtegtojnë, shumë gjallesa hyjnë në një gjumë dhe natyra duket si e vdekur. Në shumë vende toka mbulohet nga bora dhe nuk shikon veçse pemë të zhveshura nga gjethet. Me të ardhur pranvera, gjithçka ndryshon. Pemët, bimët… që më parë ishin të zhveshura nga gjethet, tashmë, janë mbuluar nga gjelbërimi. Toka që deri atëherë dukej si e shkretë, tashmë, mbulohet nga bimët dhe gjelbërimi: ”A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli se si mbi ta kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti. Edhe tokën se si e kemi shtrirë, e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura.”[30]

Përsëritja e pranverës dhe e gjelbërimit të tokës është argumenti më i fortë mbi ekzistencën e Ditës së Kijametit. Ai që ringjall miliona gjallesa çdo vit, nuk e ka të vështirë të ringjallë edhe ty Ditën e Kijametit.

Krijuesi dhe Modeluesi i universit krijon nga gjërat më të vogla deri te krijesat më të mëdha. Që të ndërtosh një fabrikë për prodhimin e makinave, të duhet një hapësirë e madhe tokë, do të shkaktosh ndotje të ambjentit, të duhen materiale dhe mjete gjigande… Kurse njeriu me të gjithë organet e tij komplekse, është krijuar nga një pikë uji. Pemët e mëdha dhe gjigande me degët dhe frutat e tyre, në origjinë janë një farë e vogël. Zogjtë e mëdhenj krijohen nga një vezë e vogël.

Një pikë tjetër e rëndësishme është se Krijuesi madhështor, e ka projektuar gjithësinë në formë të tillë që të jetë e përshtatshme për ty, o njeri. Allahu i Madhërishëm na krijoi dhe Ai e ka bërë gjithçka përreth të përshtatshme për ne. A nuk tregon kjo se Krijuesi na do dhe se ne jemi të shtrenjtë për Të? O njeri, përse të mos e duash edhe ti? A nuk e vëren se nga të gjithë krijesat, vetëm ti je i ndërgjegjshëm për atë që ndodh? O njeri, ora që punon nuk është e ndërgjegjshme për atë që bën, kurse ti je i ndërgjegjshëm për gjithçka funksionon rreth teje. Ti je i vetmi që e kupton gjithësinë dhe universin. Kush e ka krijuar gjithësinë në një harmoni kaq të përkryer? Kush të bëri që me të dëgjuar zërin e ujit, të ndjesh një qetësi të jashtëzakonshme? Kush e bëri të dashur zërin e zogjve për veshët e tu? Kush e sjell erën të të freskojë? Kush e bëri ushqimin me të cilin ushqehesh të përshtatshëm për trupin dhe zhvillimin tënd?

Si të reagojmë dhe t’i përgjigjemi emrit El-Haliku? Si ta duam dhe të jetojmë me këtë emër?

Krijuesin tonë dhe të gjithësisë e kemi detyrë ta duam. Në momentet para betejës së Uhudit, të gjithë muslimanët kishin ngritur duart dhe po i luteshin Allahut të Madhërishëm që t’i ndihmonte dhe ta mposhtnin armikun, kurse Abdullah ibn Xhahsh (r.a) lutej, duke thënë: “O Zot! Ma mundëso të ndeshem me një jobesimtar të fuqishëm, ta luftoj dhe të më luftojë dhe ta vras. Pastaj, më bëj të ndeshem me një tjetër të fuqishëm, ta luftoj dhe të më luftojë dhe ta vras. Më pas, më bëj të ndeshem me një të fuqishëm ta luftoj dhe të më luftojë dhe të më vrasë. Të më çajë barkun, të më presë hundën dhe veshët dhe Ditën e Kijametit të dal para Teje në këtë gjendje, ku Ti të më pyesësh se përse të ka ndodhur kështu, o Abdullah. Ndërsa unë të them: “O Zot! Veç për hatrin Tënd!” dhe Ti të më thuash: “Të vërtetën the!”

Kur e pyetën një të ditur se si është një që e do Zotin e Madhërishëm, ai u tha: ”Ai është një njeri që është i lidhur me Zotin e Madhërishëm, nuk jepet pas kësaj dynjaje. Nëse flet, flet vetëm rreth Zotit. Nëse hesht, ka në mendje vetëm Zotin. Nëse lëviz, ai lëviz dhe vepron vetëm sipas urdhërave të Zotit të Madhërishëm.”

A është e mundur ta duash Zotin e Madhërishëm, ashtu si thoshte një njeri i mirë, duke u lutur: ”Ah, çfarë malli ndiej për Atë që më sheh dhe nuk e shoh! Më merr malli për atë ditë ku edhe unë ta shoh!”

A është e mundur ta duash Zotin, ashtu si thotë i dituri: ”Në këtë botë është një parajsë, kush nuk e shijon atë, nuk do të mund ta shijojë Parajsën e botës tjetër. Ajo parajsë është parajsa e njohjes dhe e dashurisë për Zotin e Madhërishëm.”

A mundesh ta duash, ashtu si thotë dikush tjetër: ”Të pafat janë banorët e dynjasë, të cilët dalin prej saj pa shijuar gjënë më të mirë, dashurinë për Allahun e Madhërishëm.”

A mundesh ta duash si Ibrahimi (a.s) kur thoshte: ”Unë po shkoj tek Zoti im që do të më udhëzojë.”[31]

A mundesh ta duash si Musai (a.s) , kur thoshte: ”Dhe nxitova për tek Ti, o Zot, që të kënaqesh.”[32] (

A mundesh ta duash si profeti Muhammed (a.s) , kur lutej: ”O Zot, më bëj të të dua dhe të dua të gjithë ata që të duan Ty. Ndaj Teje është përkushtuar dëgjimi im, shikimi im, truri im dhe eshtrat e mia.”

O vëlla, a mundesh ta duash Zotin tënd, ashtu si të do Ai: ”Ai i do dhe e duan.”[33] “Ai është kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të.”[34]

Në të dy ajetet e mësipërme, Allahu i Madhërishëm e fillon dashurinë dhe kënaqësinë me veten e Tij.

Kur Profetit (a.s) iu shpall sureja El-Bejjine, ai vajti tek Ubej ibn Kab dhe i tha: ”O Ubej! Më ka urdhëruar All-llahu të ta lexoj këtë sure që më është shpallur.” Ubej ibn Kab i tha: ”O i Dërguari i Zotit, a ma përmendi emrin Zoti?!” – “Po”, – iu përgjigj Profeti (a.s). Ubej i tha përsëri: ”O i Dëguari i Zotit, a tha Zoti: “Ubej ibn Kab?” – “Po”, – i tha Profeti (a.s) përsëri. Atëherë, ai filloi të qajë me të madhe nga gëzimi.

Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Më kujtoni që t’ju kujtoj.”[35] Kurse në një hadith Kudsij, Ai thotë: ”Kush më kujton në veten e tij, e kujtoj në veten Time. Kush më kujton në një kuvend, e kujtoj në një kuvend më të mirë…”

O vëlla dhe o motër, nëse e kujton me vete Zotin, edhe Ai të kujton ty. Në ato çaste që kujton dhe përmend Zotin, dije se edhe Zoti të kujton dhe të përmend ty. Nëse e përmend Atë në një kuvend me njerëz, dije se Zoti të përmend në një kuvend tjetër më të mirë.

Një detyrë dhe obligim tjetër ndaj Krijuesit është ta adhurojmë dhe të jemi të përkushtuar ndaj Tij. Është duke përmbushur misionin me të cilin të ka ngarkuar, të përmirësosh jetën në tokë dhe të promovosh porositë dhe urdhërat e Tij.

Sa herë të dalësh jashtë, shikoje gjithësinë nga këndvështrimi i përgjegjësit dhe të mëkëmbësit të saj. Përpiqu ta ndjesh me zemër përgjegjësinë që ke mbi supe. Shikoje gjithësinë dhe mendo se vetëm ti je i pajisur me mendje dhe me koshiencë. Përdore mendjen dhe koshiencën për të adhuruar Zotin dhe për të çuar në vend misionin me të cilin të ngarkoi.

Allahu i Madhërishëm ka krijuar sendet, bimët, kafshët dhe njeriun. Sendet zënë një sipërfaqe të caktuar dhe as nuk zhvillohen, as nuk lëvizin dhe as nuk logjikojnë. Bimët zënë një sipërfaqe të caktuar dhe zhvillohen, por nuk logjikojnë. Kafshët zënë një sipërfaqe të caktuar, lëvizin dhe zhvillohen, por nuk logjikojnë. I vetmi që zë sipërfaqe të caktuar, lëviz, zhvillohet dhe logjikon është njeriu. O vëlla dhe o motër, mos prano të zbresësh në një shkallë më të ulët se ajo njerëzore, duke mos e vënë në punë mendjen me të cilën të nderoi Allahu i Madhërishëm. Është pikërisht kjo mendje, e cila të dalloi nga krijesat e tjera. Përdore këtë mendje për të arritur në besimin, dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zotit, i Cili të krijoi.

Autor: Amr Halid

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Sure Rra’d: 16.

[2] – Sure Lukman: 25.

[3] – Sure Zumer: 62.

[4] – Sure Rra’d: 16.

[5] – Sure A’raf: 54.

[6] – Sure Bekare: 21.

[7] – Sure Hashr: 24.

[8] – Sure Ali Imran: 6.

[9] – Sure Insan: 1.

[10] – Sure Tur: 35.

[11] – Sure Rum: 27.

[12] – Buhariu.

[13] – Sure Bekare: 131.

[14] – Sure A’raf: 54.

[15] – Sure Kaf: 38.

[16] – Sure Bekare: 30.

[17] – Sure Lukman: 11.

[18] – Ebu Daudi (4693).

[19] – Sure Sad: 71.

[20] – Sure Saffat: 11.

[21] – Sure Sad: 75.

[22] – Sure Hixhr: 29.

[23] – Sure Uakia: 59.

[24] – Sure Abese: 17 – 23.

[25] – Sure Furkan: 54.

[26] – Sure Isra: 75.

[27] – Sure Bekare: 30.

[28] – Sure Dharijat: 56.

[29] – Sure Mulk: 1 – 4.

[30] – Sure Kaf: 6-7.

[31] – Sure Saffat: 99.

[32] – Sure Taha: 84.

[33] – Sure Maide: 54.

[34] – Sure Bejjine: 8.

[35] – Sure Bekare: 152.

Exit mobile version