Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ambasadori rus: Zgjidhja për NIS-in kërkohet në “frymën e marrëdhënieve miqësore” Rusi-Serbi

Ambasadori rus: Zgjidhja për NIS-in kërkohet në “frymën e marrëdhënieve miqësore” Rusi-Serbi

Aleksandar Bocan-Harçenko

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, tha se Rusia dhe Serbia po kërkojnë një zgjidhje për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), që do të jetë në përputhje me marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve, transmeton Anadolu.

Duke folur për Tanjug, ai tha se Moska nuk heq dorë nga kërkimi i zgjidhjes për NIS-in dhe se ky proces kërkon kohë, duke shtuar se nuk është e mundur të merret një zgjidhje e shpejtë dhe e thjeshtë.

Sipas tij, bëhet fjalë për një çështje komplekse, ku në këtë moment diskrecioni është kuadri më i mirë për vazhdimin e bisedimeve.

Bocan-Harçenko theksoi se NIS është kompani kyçe energjetike për Serbinë dhe se problemet aktuale janë pasojë e sanksioneve të SHBA-së, të cilat ai i vlerësoi si jolegjitime dhe të paligjshme.

Ai po ashtu tha se shpesh neglizhohet shkaku themelor i situatës dhe kritikat drejtohen ndaj Rusisë për gjetjen e ngadaltë të një zgjidhjeje.

Ambasadori rus rikujtoi deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se deri te zgjidhja përfundimtare kanë mbetur edhe disa hapa, duke theksuar se procesi ende nuk ka përfunduar.

Ai gjithashtu tha se presidenti rus, Vladimir Putin, në konferencën vjetore më 19 dhjetor ka shprehur vendosmëri dhe shpresë se do të gjendet një zgjidhje në kuadër të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.

Duke folur për furnizimin e tregut, Bocan-Harçenko tha se për publikun më e rëndësishmja është që të ketë mjaftueshëm karburant, që çmimet të jenë stabile dhe të mos ketë mungesa apo radhë në pikat e karburantit. Sipas tij, gjendja në treg, nga këndvështrimi i NIS-it, ka mbetur e njëjtë si para vendosjes së sanksioneve.

Ai shprehu bindjen se periudha e kërkimit të një zgjidhjeje nuk do të ketë pasoja negative për konsumatorët, përfshirë qytetarët dhe përdoruesit e mëdhenj si bujqësia dhe kompanitë ajrore.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) pranë Departamentit Amerikan të Thesarit i ka lëshuar NIS-it të sanksionuar një licencë të re, me të cilën afati për negociatat për shitjen e pjesës ruse është zgjatur deri më 24 mars të vitit 2026.

SHBA-ja vendosi sanksione ndaj NIS-it për shkak të pjesëmarrjes ruse në pronësi më 9 tetor të vitit 2025. Qëllimi i sanksioneve, siç u bë e ditur, është të parandalohet Rusia që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.

Sipas të dhënave në dispozicion, 56,15 për qind e pronësisë është ruse, 29,87 për qind i përket shtetit të Serbisë, ndërsa rreth 14 për qind janë në pronësi të aksionarëve të vegjël.

Rafineria e naftës në Pançevo, e cila është në pronësi të NIS-it dhe e vetmja në Serbi, u mbyll më 2 dhjetor si pasojë e sanksioneve. Furnizimi i saj u ndërpre pasi Kroacia fqinje, duke respektuar sanksionet amerikane, mbylli Naftësjellësin Adriatik (JANAF), përmes të cilit furnizohej me naftë të papërpunuar.

Qeveria e Serbisë siguron se ka garantuar rezerva të mjaftueshme të derivateve të naftës deri në fund të janarit. Ajo njoftoi se është në komunikim edhe me furnizues të tjerë për të siguruar sasi të mjaftueshme të derivateve të naftës për tregun serb.

Exit mobile version