Ballina Artikuj Amër Ibn Luhej, njeriu i parë që ndryshoi fenë e Ibrahimit (a.s)

Amër Ibn Luhej, njeriu i parë që ndryshoi fenë e Ibrahimit (a.s)

Që nga koha kur Allahu dërgoi Profetin e Tij Ibrahimin (a.s) dhe e urdhëroi të ndërtojë Qaben dhe i thirri njerëzit në monoteizëm, pasardhësit e tij u vendosën në Mekë, shumica e arabëve ndoqën fenë e tij dhe praktikuan besimin e tij, adhuronin Allahun duke u përmbajtur rregullave dhe ritualeve të fesë së pastër. Kjo gjendje vazhdoi për shekuj me rradhë, derisa devijimi filloi të përhapej tek ata me kalimin e kohës.

I pari që ndryshoi fenë e Ibrahimit dhe nisi të predikonte adhurimin e idhujve ishte Amr ibn Luhej El Huzai Kur ai mbërriti në vendet e Sham-it, pa se njerëzit adhuronin idhuj dhe statuja në vend të Allahut, dhe i pëlqeu kjo gjë, duke e menduar si diçka të drejtë. Në atë kohë Sham-i ishte vendi i profetëve dhe i librave hyjnorë. Ai i tha atyre: “Çfarë janë këto idhuj që po adhuroni?” Ata i thanë: “Këto janë idhuj që ne i adhurojmë; i lutemi që të na japin shi dhe ndihmë.” Ai tha: “A nuk mund të më jepni një idhull që ta marr dhe ta çoj tek arabët që ta adhurojnë?” Ata i dhanë një idhull të quajtur Hubel. Ai e solli në Mekë, e vendosi dhe urdhëroi njerëzit ta adhurojnë dhe ta nderojnë.

Shumë shpejt, banorët e Hixhaz-it ndoqën shembullin e Mekës, sepse ata ishin kujdestarët e Shtëpisë dhe të shenjtësisë, dhe idhujt u përhapën midis fiseve arabe. Thuhet se Amri pati një vegim nga xhinët, të cilët i treguan se idhujt e popullit të Nuhut – Ued, Suva’, Jeguth, Jeuk dhe Nesra – ishin varrosur në Xhideh. Ai shkoi, i nxori dhe i çoi në Tuhame. Kur erdhi Haxhi, ai i shpërndau idhujt tek fiset, dhe secili u vendos në vendet e veta:

Ued për fisin Kelb, në Xherash në Dueme el-Xhendel nga ana e Sham-it që shtrihej drejt Irakut.

Suva’ për fisin Hudhejl ibn Mudrike, në një vend të quajtur Ruhat në Hixhaz, afër bregut pranë Mekës.

Jeguth për fisin Banu Gutajf nga Benu Murad, në Xhurf pranë Sebesë’.

Jeuka për fisin Hemdan, në një fshat të quajtur Khajeuan në Jemen.

Nesr për fisin Himjar, tek familja e Dhul-Kila’ në tokat e Himjarit.

Kështu idhujt u përhapën në Gadishullin Arabik dhe çdo fis kishte idhullin e vet, të cilin e adhuronin derisa Allahu e dërgoi profetin Muhamed (a.s) si dritë dhe udhëzim për njerëzit. Ai e pastroi Qaben nga idhujt dhe dërgoi ushtri për të shkatërruar tempujt e ndërtuara për adhurimin e tyre, Ai (a.s) dërgoi

Halid ibn Velidin për të shkatërruar idhullin Uzza, i cili ishte idhulli më i madh tek Kurejshët në Nahleh.

Sa’d ibn Zejdin për të shkatërruar idhullin Menat, që ishte në bregun e Detit të Kuq.

Amr ibn el-As për të shkatërruar idhullin Suva’, të cilin e adhuronte fisi Hudhejl.

Të gjithë këto idhuj u shkatërruan.

Profeti (a.s) na ka treguar për fatin dhe ndëshkimin e Amr ibn Luhej-it dhe pasojat e tij të këqija. Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “E pashë Amr ibn Amir el-Huzai duke tërhequr zorrët e veta në zjarr; ai ishte i pari që ka lejuar kullotjet e lira (sua’iba).” Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai është i pari që ndryshoi fenë e Ibrahimit.” Termi sua’iba është shumës i sa’ibah, që janë bagëtitë që ata i linin për idhujt e tyre pa ndonjë kufizim.

Imam Ibn Kethiri, në komentimin e ajetit të Kuranit: “Kush është më mizor se ai që shpif gënjeshtra ndaj Allahut për të humbur njerëzit pa dijeni? Allahu nuk udhëzon popullin mizor.”[1] thekson se i pari që hyn në këtë ajet ishte Amr ibn Luhej, sepse ai ishte i pari që ndryshoi fenë e profetëve, i pari që lejoi sua’ibat, siguroi mjetet dhe mbrojti idhujt, siç është konfirmuar në hadtihet e sakta.

Edhe pse arabët ishin të zhytur në errësirën e xhahilijetit, tek ta kishte ende disa gjurmë të fesë së Ibrahimit (a.s), siç ishte nderimi i Qabes, tafavi, kryerja e haxhit dhe umres, qëndrimi në Arafat dhe Muzdelifah, dhe dhurimi i kafshëve për kurban, edhe pse kishte shumë ndotje të shirkut dhe risiveNjë shembull i kësaj është se njerëzit e Nizar-it thoshin gjatë fillimit të haxhit: “Lebbejke Allahumme Lebbejke, Lebbejke La Sherike leke, Il la Sheriken Huve Leke, Temlikuhu Ua Ma Melek.” Në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar shpalli ajetin kuranor: “Ne ju kemi dhënë një shembull nga vetja juaj: a keni ju nga ato që zotëroni aleatë në atë që ju kemi dhënë? Ju jeni të barabartë në këtë; i frikësoheni atyre sikurse frikësoheni vetes tuaj. Kështu ne shpjegojmë ajetet për ata që mendojnë.”[2]

Gjithashtu, Kurejshët thoshin: “Ne jemi bijtë e Ibrahimit dhe banorë të Qabes, kujdestarë të Shtëpisë dhe banorë të Mekës, dhe askush nga arabët nuk ka të njëjtin të drejtë dhe nder me ne”, ata e quanin veten El-Hums. Ata mendonin se nuk duhej të largoheshin nga zona e haremit, kështu që nuk qëndronin në Arafat dhe nuk derdheshin prej saj; ata vetëm derdheshin nga Muzdalifa, për të cilin Allahu i Madhëruar shpalli: “Pastaj zbrisni nga vendi ku zbresin njerëzit.”[3]

Kjo gjendje që mbizotëronte në Gadishullin Arabik kërkonte domosdoshmërinë e zbritjes së mesazhit hyjnor që t’i shpëtonte njerëzit nga humbja, t’i kthente ata tek natyra e tyre e pastër dhe të zhdukte dukuritë e shirkut dhe politeizmit nga jeta e tyre. E ky mesazh iu dha njeriut më të mirë që ka parë historia e njerëzimit, Profetit Muhamed (a.s)

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure En’am: 144.

[2] – Sure Rum: 28.

[3] – Sure Bekare: 199.

Exit mobile version