Profeti a.s në një hadith të mrekullueshëm, shumë të bukur, të qartë dhe eksplicit na tregon mënyrën se si myslimani duhet ta ndërtojë marrëdhënien e tij me dynjanë dhe ahiretin gjatë ditës dhe kjo marrëdhënie fillon që në momentin që shfaqet agimi i vërtetë apo “Fexhri”. Ai (a.s) ka thënë: “Kush zgjohet në mëngjes dhe si shqetësim të vetin ka ahiretin, Allahu ia bashkon çështjen e tij.” ([1])
Që në atë moment, muslimanit i kërkohet që të bëjë një rishikim të marrëdhënieve me maratonën e tij ditore por njëkohësisht edhe me maratonën në rrugën drejt Allahut të Madhëruar, me jetën e tij, dhe ky parim është shumë i thjeshtë por njëkohësisht shumë thelbësor e me karakter hyjnor, gjithëpërfshirës dhe universal që besimtari, po ta ketë vazhdimisht parasysh, i merr më të mirën e mundshme kësaj bote dhe botës tjetër me të gjithë zhvillimet e saj, ato zhvillime që na pëlqejnë dhe ato zhvillime që nuk na pëlqejnë, ato zhvillime që i duam dhe ato që nuk i duam, ato sprova që janë të dashura për nefsin dhe ato sprova që janë të urryera për nefsin.
Civilizimi që ne jetojmë na e ka mbushur mendjen se arsyeja për të cilën ne jetojmë dhe qëllimi drejt të cilit vazhdimisht lodhemi dhe duhet të punojmë, është “lumturia”. Ky slogan kaq i madh, i cili është shndërruar në motiv për jetën materialiste bashkëkohore, i paraqitet njeriut bashkëkohor me lloj lloj ngjyrash dhe me lloj lloj detajesh të cilat në vetvete ia transferojnë vëmendjen njeriut, robit të Zotit, nga thelbi i ekzistencës drejt skajeve të saj dhe nga qendra në periferi.
Vazhdimisht sot punohet për t’ia mbushur mendjen njeriut për të qenë i lumtur. Punojmë për të qenë të lumtur, argëtohemi për të qenë të lumutur, ndërtojmë marrëdhënie me të tjerët të hijshme apo të pahijshme, të drejta apo të padrejta, të moralshme apo të pamoralshme, për të qenë të lumtur. Fitojmë pushtet dhe para pavarësisht se si, për të qenë të lumtur, bashkëpunojmë për të qenë të lumtur madje edhe vrasim për të qenë të lumtur.
Por faktikisht ka një problem të madh. Njeriu bashkëkohor akoma nuk e ka kuptuar se ç’është lumturia në vetvete. Mos vallë lumturia janë ato momentet ekzaltuese të njeriut me të cilat kënaqet ai vetë apo me familjen e tij? Apo ato momentet ekzaltuese të suksesit të kësaj dynjaje me pushtet, me biznes, me shkollë, me shkencë, me projekte të ndryshme?
Kjo është lumturia vallë? Dhe këtu ka një pyetje të madhe: “Kjo lumturi për të cilën ne lodhemi dhe punojmë, është e përjetshme apo e përkohshme?” Është e qëndrueshme apo e paqëndrueshme? Është e përhershme apo me vite dhe muaj të caktuar? Është në rritje? Është konstante apo është në zbritje?
Që të gjitha këtyre pyetjeve njeriu bashkëkohor akoma nuk është në gjendje t’u përgjigjet e megjithatë po ta pyesësh njeriun e aktualitetit tonë se përse jeton, vazhdon të përgjigjet se unë jetoj për të qenë “i lumtur”. Këtë ne e dëgjojmë nëpër emisione të ndryshme, kompeticione të ndryshme, nëpër programe opinoni të ndryshme, kudo, vazhdimisht në çfarëdolloj eventi që zhvillohet në dynja, kur i pyet njerëzit se përse po i bën? Thonë: “I bëj për të qenë i lumtur.”
Mirëpo ky lloj koncepti akoma i papërkufizuar dhe i pamundur të përkufizohet, akoma nuk është në gjendje që t’i japë përgjigje një pyetjeje shumë të madhe. Po ato gjëra që ndodhin jashtë vullnetit tonë dhe janë pjesë e vazhdueshme e jetës tonë por që nuk na pëlqejnë, madje janë të dhimbshme, janë lënduese, në momente të caktuara mund të na e vështirësojnë jetën tonë, ato që ndryshe ne si muslimanë i quajmë sprova, si i bëhet vallë me to?
Duke patur parasysh se këto ngjarje të papëlqyeshme për ne, zënë një hapësirë goxha të madhe në jetën tonë të përditshme. Dhe po të pyesim çdonjërin prej nesh sesa momente të lumtura, nëse ato momente të gëzueshme do i quanim momente të lumtura, të quajtura kështu metaforikisht, sa prej këtyre momenteve kemi ne në jetën tonë të përditshme? Le t’i krahasojmë këto momente të lumtura në jetën tonë me ato minuta, sekonda, orë, shkurtimisht ato çaste të lodhshme të jetës tonë të përditshme.
Realisht do të gjejmë se këto të dytat janë shumë më tepër sesa të parat. Mund të bëhet sebep një problem shëndetësor apo që ka lidhje me punën apo me familjen dhe me fëmijët që të na marrë kohë pa fund, ditë, javë, muaj madje edhe vite. Një problem mund ta shoqërojë njeriun në jetën e tij me dekada dhe bëhet sebep për stres, për vuajtje, për lodhje, për mundime, madje deri atje saqë shkon edhe në paragjykim të marrëdhënieve me Zotin. “Ç’qe ky problem që më shoqëroi kaq gjatë?!”
Mirëpo edhe në momentin kur zgjidhet problemi dhe merr drejtim, dhe njeriu përjeton disa ditë apo çaste lumturie dhe gëzimi, dalëngadalë ato çaste lumturie dhe gëzimi kthehen në monotoni dhe dalëngadalë njeriu fillon t`i harrojë dhe t`i trajtojë si diçka normale dhe t`i kthehet normalitetit të jetës së tij me të mirat dhe të këqijat e veta ku në shumë raste gjërat që e lodhin njeriun në jetën e tij dhe e mundojnë atë janë më të shumta sesa momentet e gëzimit.
Sakaq edhe kjo është një pyetje e madhe që koncepti bashkëkohor i lumturisë nuk i përgjigjet dhe kështu pretendohet që njeriu bashkëkohor të jetojë më tepër i dëshpëruar sesa i lumtur, më tepër i lodhur sesa i rehatuar.
Edhe kur vjen koha e pushimeve meqë jemi akoma në këtë lloj sezoni, kur nisemi për të bërë pushime shohim trafik, lodhje, strapacime, kur bëjmë edhe llogarinë e shpenzimeve bëjmë pyetjen: “Vallë a ia vlen apo po e bëjmë edhe ne si gjithë të tjerët që fëmijët të mos mendojnë se babai nuk na çoi për pushime?” Faktikisht po të bëjmë llogarinë mes momenteve të kënaqësisë dhe atyre që ti shpenzon nga jeta jote, përsëri rezulton që ato momente të shpenzimit të jenë më tepër.
Prandaj për të dalë te thelbi pas kësaj hyrjeje jo pak të rëndësishme, Profeti Muhamed a.s pa shumë mirë se njeriu kurrë nuk mund ta gjejë kuptimin e plotë të lumturisë vetëm se nën hijen e lidhjeve me Zotin, sepse lumturia ka dy cilësi kryesore. Cilësia e parë e lumturisë është përjetësia dhe cilësia e dytë është përplotshmëria, domethënë plotësimi dhe përsosmëria së bashku. Vetëm në ato raste ku momentet e gëzimit dhe momentet e lumtura të jetës tonë janë të mishëruara me përjetësinë dhe përsosmërinë, domethënë pa asnjë lloj elementi të keq brenda, vetëm atëherë mund të themi se kemi lumturi.
Problemi është se në dynja kjo nuk ekziston sepse dynjaja ka dy karakteristika që janë totalisht të kundërta me dy karakteristikat e lumturisë. Dynjaja është e përkohshme dhe është e paplotë, sepse edhe momentet e bukura që ne i jetojmë, shikojmë se brenda tyre ka shumë elemente që nuk na pëlqejnë dhe në momente të caktuara do kishim thënë: “Ah sikur kjo tavolina e mbushur plot të na vinte në darkë, pa u lodhur, strapacuar dhe pa përjetuar gjithë ato strese që kemi bërë gjatë ditës.”
Shpesh dëgjojmë njerëzit duke thënë: “Vallahi unë këtë sukses e arrita, por vetëm shpirti ma di sesa jam lodhur për të ardhur deri këtu.” Në momente të caktuara më tepër të shkon mendja te lodhja dhe vuajtja që ke bërë sesa te vetë suksesi që po e shijon. Njeriu bashkëkohor, pa e kuptuar, nën hijen e konceptit të lumturisë, të këtij koncepti joimanor, jeton në një mashtrim shumë të madh, në një përrallë shumë të madhe, në një vegim shumë të madh dhe natyrshëm pastaj kërkon kuptimin origjinal të lumturisë.
Kemi parë disa herë se në momentin që Zoti na begaton në dynja me ndonjë mirësi, për shembull vjen fëmija në jetë dhe menjëherë sapo ndodh kjo, na shkon mendja kur e ushqejmë të themi: “Mos na mbytet”, del duke shëtitur themi: “Mos na e shkel makina”, shkon djali ose vajza në plazh për të pushuar themi: “Vallë si po ia kalon se sot qenka kohë e keqe.” Pra edhe të mirën në dynja ne e përjetojmë me vuajtje. E arrijmë suksesin, jemi në tregti dhe po ecim shumë përpara, na vjen shejtani i mallkuar me cytjet e tij: “Inflacioni, eurot dhe dollarët, fitimi, dje më tepër, sot më mirë, vjet ishte më mirë se sivjet, kam frikë se vitin e ardhshëm do jemi edhe më keq etj.” Mirëpo Pejgamberi Muhamed a.s na nderon duke na thënë: “Kush zgjohet në mëngjes dhe si shqetësim të vetin ka ahiretin, Allahu ia bashkon çështjen e tij.”([2])
Pse ahiretin? Sepse vetëm ahireti i ka dy cilësitë e lumturisë, përjetësinë dhe përsosmërinë dhe Allahu domethënë ia mbledh mendjen, i jep siguri dhe nuk e lë të hapërdarë (shpërndarë) dhe të hallakatur në ndjenjat dhe emocionet e tij.
Mendjen e tij e ka të qetë, ngrihet në mëngjes dhe në çfarëdolloj fushe që angazhohet thotë: “I jam mbështetur Allahut të Madhëruar.” Në fund të fundit synimi nga gjithë aktivizimi në politikë, në biznes, në arsim, në zanat, në profesione, e vetmja gjë madhore është kënaqësia e Allahut të Madhëruar, e nëse jam në rregull me këtë jam në rregull me gjithçka. Pse? Sepse dynjaja është shumë e përkohshme dhe njëkohësisht sado i madh që të jetë gëzimi në të, përsëri nuk ka përsosmëri. Prandaj ai që zgjohet në mëngjes dhe shqetësimin më të madh të tij ka ahiretin, takimin me Zotin, xhenetin e Tij, përjetësinë dhe përsosmërinë, Allahu i Madhëruar ia mbledh mendjen dhe nuk e lë të frikësohet.
Domethënë me çfarëdolloj ngjarjeje me të cilën njeriu përballet në jetën e tij të përditshme di ta menaxhojë nën hijen e lidhjeve me Allahun e Madhëruar dhe di t’u marrë ngjarjeve më të mirën e tyre edhe nëse janë shumë të dhimbshme, të lodhshme apo shkaktare të vuajtjeve të mëdha. Sepse Allahu i Madhëruar më urtësinë e Tij e ka mishëruar këtë jetë me të mira dhe me të këqija. “Dhe ne do t’ju sprovojmë me të këqija dhe me të mira për t’ju kalitur”([3]) për t’jua ndarë të mirën brenda jush nga e keqja, për t’jua qartësuar rrugën, për t’jua ndriçuar shikimin e brendshëm dhe të jashtëm. “Dhe tek Ne do të ktheheni” ([4]) për t’jua bërë të qartë, për t’jua çelur sytë Allahu i Madhëruar.
Pra, Profeti Muhamed a.s na thotë: “Kush ngrihet në mëngjes dhe si shqetësim të vetin ka ahiretin…” ([5]) Kulmi i synimit, domethënë synimi i tij është kënaqësia e Allahut të Madhëruar. Allahu i Madhëruar ia mbledh çështjen, për të na thënë se ai i cili gdhihet në mëngjes dhe shqetësim ka ahiretin, nuk është se nuk ka për të patur halle, ai ka për të patur halle sa të tjerët. Askund nuk na thotë Allahu në Kur’an apo Profeti a.s se në momentin që vendos kokën në sexhde ti nuk ke për ta patur më halle, sepse përderisa jeton në dynja do të jetosh me të mirat dhe me të këqijat e saj, por ajo çka na premton Allahu i Madhëruar dhe Pejgamberi i Tij, nën hijen e besimit në Allah dhe në botën tjetër, është të bërit me dije sesi t’i jetosh problemet, hallet e dynjasë por edhe gëzimet e saj.
Pastaj Allahu ia pasuron zemrën dhe do ta bëjë të kënaqur me Të në të gjitha rastet, edhe kur ka edhe kur nuk ka, edhe kur fiton edhe kur humb, edhe kur fiton pak edhe kur fiton shumë, edhe kur është i madh edhe kur është i vogël, edhe kur është i parë edhe kur është i dytë, edhe kur është i sëmurë edhe kur është i shëndetshëm, edhe kur duart i ka plot edhe kur i ka bosh, edhe kur i ka xhepat e mbushur edhe kur i ka të zbrazur. Pse? Sepse pasuria e tij është në zemrën e tij, pra Allahu i Madhëruar ia ka pasuruar zemrën me kënaqësinë e Tij.
“Edhe dynjaja ka për t’i ardhur e nënshtruar.”([6]) Pra, përmes këtij hadithi kuptojmë se Allahu po na thotë: “O robi Im, ti ke vënë si synim kënaqësinë Time, razillëkun Tim, takimin me Mua. Edhe dynjanë tënde unë kam për ta nënshtruar për ty.” Kur të shohësh në ato raste që dyert e dynjasë janë mbyllur, Allahu i Madhëruar duke patur parasysh se është Krijuesi i shkaqeve dhe hapësi i dyerve, krijon shkaqe edhe atëherë kur ty të dështojnë të gjitha shkaqet dhe të hap dyer të reja edhe atëherë kur të gjitha dyert e dynjasë janë mbyllur të gjitha para teje.
Mirëpo cili është kushti? “Kush ngrihet në mëngjes dhe si shqetësim të vetin ka ahiretin.”([7])
Në të kundërt:“Kush gdhihet në mëngjes dhe ka shqetësim vetëm dynjanë, çështjen e tij Allahu e hapërdan dhe e shkapërdredh.”([8]) Nëse pyesim dikë që i ka të gjitha të mirat dhe sukseset e dynjasë, por nuk e ka programuar jetën me Allahun do ta gjesh të thotë: “ Vallahi nuk bën, nuk ecen, nuk po shkon ashtu siç duhet, ka mbaruar ky vend, ka sosur, nuk ka hapësira, na janë mbyllur të gjitha dyert.” SubhanAllah! Po a mbyllet dera e Allahut të Madhëruar? A i shkon myslimanit pesimizmi? Asnjëherë. A i shkon myslimanit humbja e shpresës? Asnjëherë. Mirëpo cili është kushti? Duhet të zgjohet njeriu në mëngjes duke patur hatër dhe synim Allahun e Madhëruar.
Kush gdhihet në mëngjes dhe ka synim vetëm dynjanë Allahu i Madhërueshëm e shkapërdredh çështjen e tij “Dhe fukarallëkun ia vendos mes dy syve.”([9]) Megjithëmend kur qëndron muslimani përballë kësaj shprehjeje profetike çuditet, sepse kur e merr si standard dhe analizon gjendjen aktuale të vetes në ato momente kur fillon dhe llastohet me kaderin e Zotit dhe dëshiron të ankohet shumë, ky “fukarallëku mes dy syve” e bën njeriun të harrojë edhe mirësitë më të mëdha që i ka dhënë Allahu i Madhëruar, të mos shikojë vetëm të papasurit edhe pse me shëndet është mirë, ka shtëpi, ka fëmijë, punët i ecin mirë, nuk ka probleme, nuk ka telashe.
Një problem i vogël të ndodhë, i vihet “përballë syve” dhe shikon vetëm atë dhe nuk di të jetë i kënaqur dhe në fund “Dhe në fund nga dynjaja nuk merr” sado të lodhet dhe të përpiqet “përveçse atë që i ka caktuar Allahu i Madhëruar.” ([10])
Shumëkush prej nesh ka qenë dëshmitar se stina e verës e hallakat njeriun dhe e shpërndan atë, për shkak të intensitetit të saj, për shkak të angazhimeve të saj. Turizmi me një anë, trafiku me një anë, shpërndarja e fëmijëve lart e poshtë, halli i madh se me çfarë do i angazhosh fëmijët, dhe shikon se vera ndikon te njeriu, jo vetëm në aspektin psikologjik por edhe në aspektin social, njerëzit shihen më pak por edhe më pak e kanë mendjen te vetja e tyre. Ikën sezoni i verës dhe futet dalëngadalë sezoni i vjeshtës, ashtu siç edhe vjeshta pasohet nga dimri, përcjell një lloj mesazhi, mesazhi i letargjisë, domethënë i jep mundësi pemëve dhe bimëve të jetojnë për veten e tyre, të kthehen edhe njëherë te vetja e tyre, të meditojnë pak te vetja e tyre. Është momenti që njeriu ta rikapë veten e tij edhe njëherë.
Me të drejtë mund të themi se çne kjo temë?! Jemi pjesë e kësaj dynjaje dhe pjesë e kësaj shoqërie dhe të gjithë jemi dëshmitarë se jemi hallakatur, jemi angazhuar në verë më tepër se sezonet e tjera dhe tani është momenti për t’iu rikthyer vetes, për të ndenjur pak më tepër me veten dhe për të risistemuar edhe njëherë listën e prioriteteve, duke e patur shumë mirë parasysh këtë hadith të profetit a.s “Kush zgjohet në mëngjes dhe si shqetësim të vetin ka ahiretin, Allahu ia bashkon çështjen e tij, ia pasuron zemrën dhe dynjanë e tij ia sjell të nënshtruar.’’([11])
Imam – Hatib: Sabaudin Jashari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
([2]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
([3]) – Kurani: Enbija, ajeti: 35.
([4]) – Kurani: Enbija, ajeti: 35.
([5]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
([6]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
([7]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
([8]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
([9]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
([10]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
([11]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2465); Ibn Ebi Dunja, “Kitabu`z-Zuhd”, (332).
