Organizata “Amnesty International” tha sot se autoritetet izraelite duhet të shfuqizojnë urgjentisht ndryshimet legjislative që zgjerojnë përdorimin e dënimit me vdekje nga Izraeli, të miratuara me mbështetjen e 62 anëtarëve të Parlamentit izraelit, transmeton Anadolu.
“Parlamenti i Izraelit miratoi të parin në një seri ligjesh që lehtësojnë dënimin me vdekje, duke treguar mizori, diskriminim dhe përbuzje për të drejtat e njeriut”, tha Erika Guevara-Rosas, drejtoreshë e lartë e “Amnesty International” për kërkime, avokim, politika dhe fushata.
Ajo thekson se gjykatat ushtarake me norma dënimi mbi 99 për qind për të pandehurit palestinezë, mund të vendosin dënime me vdekje pothuajse të detyrueshme brenda 90 ditëve, duke hequr mbrojtjet themelore të gjykimit të drejtë.
“Ky ligj vjen në të njëjtin muaj kur ushtria izraelite hoqi të gjitha akuzat kundër ushtarëve të akuzuar për sulm seksual ndaj një të ndaluari palestinez, një veprim i festuar nga kryeministri”, shtoi Guevara-Rosas.
Parlamenti izraelit miratoi ligjin të hënën, duke e bërë dënimin me vdekje dënimin paracaktuar për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar të dënuar për sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.
Më shumë se 9.300 palestinezë, përfshirë 350 fëmijë dhe 66 gra mbahen aktualisht në burgjet izraelite, sipas organizatave për të drejtat e të burgosurve dhe Shërbimit Izraelit të Burgjeve.
Raportet tregojnë se ata vuajnë nga tortura, uria dhe neglizhenca mjekësore, të cilat kanë çuar në dhjetëra vdekje.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka intensifikuar masat kundër të burgosurve palestinezë gjatë fushatës së tij ushtarake në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë mbi 72 mijë palestinezë dhe ka plagosur 172 mijë të tjerë, sipas autoriteteve lokale.
