Analisti politik izraelit Gideon Levy ka akuzuar qeverinë izraelite se po planifikon spastrimin etnik të popullsisë së Gazës.
Në një opinion të botuar në gazetën Haaretz, Levy shkruan: “Dikush e konceptoi këtë plan, u diskutuan të mirat dhe të këqijat, u propozuan alternativa, u shqyrtuan opsione të spastrimit total apo me faza – dhe e gjitha kjo u bë në salla të klimatizuara, me procesverbale dhe vendime të qarta.”
“Për herë të parë që nga fillimi i kësaj lufte hakmarrëse në Gaza, është e qartë se Izraeli ka një plan – dhe është një plan i thellë dhe kriminal,” thekson ai.
Sipas Levy, nuk mund të thuhet më se kjo është një luftë pa qëllim apo se ushtarët po vdesin kot: “Ata po vdesin në një luftë për spastrimin etnik.”
Artikulli i referohet një plani të ushtrisë izraelite për të zhvendosur me forcë të gjithë popullsinë e Gazës drejt një zone të përqendruar në jug të territorit. /mesazhi
