Marrja e Grenlandës mund t’i kushtojë më shumë se 700 miliardë dollarë presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe administratës së tij, thanë tre burime, sipas NBC News, transmeton Anadolu.
Shuma korrespondon me më shumë se gjysmën e buxhetit vjetor të Departamentit të Mbrojtjes, por pavarësisht kritikave, Trumpi ka treguar vendosmëri në vendimin e tij, duke thënë se SHBA-ja do ta ketë ishullin prej 800 mijë miljesh katrorë “në një mënyrë ose në një tjetër”, raportoi NBC News të mërkurën.
Dëshira e Trumpit për të “zotëruar” tokën vjen nga një shqetësim se banorët mund të kërkojnë pavarësi. Disa ekspertë dhe ish-zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se nëse banorët e Grenlandës veprojnë sipas dëshirës së tyre, vija bregdetare e ishullit mund të bie nën kontrollin e Rusisë ose Kinës.
“Grenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi, e qeverisur ose pjesë e SHBA-së”, tha ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, pas mbërritjes së saj të martën në Washington për t’u takuar me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.
Zona strehon një prani të vogël ushtarake amerikane në bazën hapësinore Pituffik dhe historikisht ka qenë e hapur për të pritur asete shtesë ushtarake ose negociata në lidhje me burimet e saj të vlefshme, të tilla si mineralet e rralla të tokës.
Megjithatë, kohët e fundit, retorika e Trumpit ka ndryshuar ndjeshëm dhe deklaratat e tij tani po merren më seriozisht brenda administratës së tij dhe nga aleatët e SHBA-së. Një qasje më pak e kushtueshme mund të përfshijë një marrëveshje ku Washingtoni ofron ndihmë financiare në këmbim të ruajtjes së një pranie sigurie.
Por, Trumpi ka shprehur vazhdimisht dëshirën që SHBA-ja të ketë kontroll më të madh mbi ishullin, duke e krahasuar atë me zotërimin e pronës në vend të dhënies së saj me qira.
