Ballina Artikuj Anija e shpëtimit

Anija e shpëtimit

Ibrahim Xhepmetaj

“Shembulli i atij njeriu i cili u përmbahet kufinjve të Zotit, në krahasim me ata që i cënojnë ato, është si shembulli i atyre që hodhën short për vendet e tyre në anije: disa zunë vend lart dhe disa zunë vendet poshtë. Kur këta të dytët (që ishin poshtë) kishin nevojë për ujë, duhet që të ngjiteshin lart për të sjellë ujë (e kjo i shqetësonte të tjerët), kështu që (menduan dhe) thanë: ‘Të hapim një vrimë këtu në pjesën tonë të anijes (dhe të marrim ujë) duke mos i shqetësuar ato që janë sipër. Kështu pra, nëse njerëzit e pjesës së sipërme (elita) do t’i linin ata poshtë të bëni ç’të donin, atëherë do të shuheshin (të gjithë) duke u mbytur, por nëse do t’i ndalonin ata, atëherë të dyja palët do të shpëtonin.” -Hadith i saktë i profetit Muhamed a.s, nga koleksioni i Sahiut të Buhariut.

Teksa po mendohesha dhe ndieja dhimbje për gjendjen tonë si popull këto ditë, më erdhi në mendje ky hadith i profetit Muhamed (a.s), i cili më bëri të reflektoj shumë. Kurani përmend shpesh historitë e popujve të kaluar, tashmë të zhdukur nga faqja e dheut dhe në fakt historia ne na ka dhënë shanc të dytë. Mbase shkatërrimi në kohët e fundit, nuk do të jetë fizik për popuj të veçantë, siç ka ngjarë më herët, sepse ky lloj shkatërrimi kur të vijë do t’i përfshijë të gjithë, në Ditën e Fundit, ndoshta ngaqë atëkohë vërtet e gjithë bota do të jetë si një fshat i vogël (e globalizuar) siç po duket në fakt që është bërë dhe dallimet e veçanta etnike-kulturore mes popujve thuajse s’do ekzistojnë, porse asimilimi dhe shkatërrimi i shpirtit të popujve po, siç ka ndodhur dhe po ndodh vrullshëm në dekadat dhe kohët e fundit të epokës post-moderniste.

Unë si lexues i shkolluar me ndjeshmëri në rritje, sa vij i kuptoj gjërat pak më mirë dhe shikoj më qartë realitetin tonë dhe ndonjëherë konfuzohem kur ndienjat më trazohen bashkë me mendimet, por dhimbja dhe dëshpërimi që ndiej për ato që shoh është reale dhe faktike: ky popull është vërtet në mjerim, jo për bukë, por për dritë (dije), jo për ujë, por për krenari (dinjitet). Ky popull po vuan sprovën e kohës së ‘paqes’, (faza e “burrave të dobët” që prodhojnë kohëra të vështira ose jemi në kohë të vështira e presim kohën të na nxjerrë burra të fortë, siç e përshkruan Ibn Khalduni) në fakt kjo është koha e krizës së rëndë identitare, morale, kulturore, por edhe ekonomike (si thellim i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve), por këto janë vetëm pasojat që duken, ndërsa shkaqet duhen gjurmuar më thellë. Ne jemi në luftë më të rëndë se ata që vuajnë bombat mbi kokë, sepse të paktën ata që patën ktë fat, bombat i zgjuan, por unë nuk jam i sigurt nëse ne mund të zgjohemi më, edhe nëse e kërkojmë këtë fat. Kjo sepse poshtërimi, denigrimi, dehumanizimi, zvetnimi është më i keq dhe më i dëmshëm se çdo lloj lufte dhe sulmi të drejtpërdrejtë dhe historia ka treguar se lufta më e sofistikuar është ajo hibride dhe e heshtur, që vret dhe tjetërson shpirtrat e kombeve.

Tani le të ndalemi pak te fjalët dhe mesazhet që unë përftoj nga kjo thënje ekumenike e profetit Muhamed (a.s):

Na jepet një shembull metaforik për të bërë analogji. Anija simbolizon shpëtimin, mbijetesën, sikurse historia e Nuhut (a.s) me popullin e tij. Shorti që hedhin njerëzit tregon për determinimin hyjnor që njerëzit të mos jenë të gjithë njësoj në pozita. Pra, çdo popull ka dy shtresa kryesore që e përbëjnë dhe ruajnë ekuilibrin shoqëror koekzisencial të tyre: elitën dhe masën e thjeshtë. Elita qëndron lart në anije dhe mban timonin edhe menaxhon mbarëvajtjen e udhëtimit (në histori të kombit), kurse populli siguron punët e tjera të domosdoshme që anija të qëndrojë mbi sipërfaqe (të ekzistojë). Hadithi fillon me aksiomën që asnjë popull s’mund të jetë pa Zot dhe pa fe, (pa ruajtur kufinjtë e Zotit) sepse është e pamundur të sfidohen ligjet e ekzistencës (po aq e pamundur që anija që notojë vetvetiu pa u ndërtuar mbi bazën e zbatimit të ligjeve fizike). Tani, mbarëvajtja dhe garancia e vazhdimësisë së udhëtimit të sigurtë të anijes varet nga një faktor ekuilibrues: komunikimi i ruatjes së interesit të përbashkët të masës me elitën që ka zgjedhur. Uji, si element i cekur më lart, simbolizon mjetet e jetesës, resurset e domosdoshme për ekzistencën e popullit. Është elita që shpërndan këto të mira të domosdoshme materiale, por nëse masa është idiote (injorante) dhe elita e vetëmashtruar dhe e shkujdesur, dëmtimi i anijes (strukturës së kombit) është i pashmangshëm, si rrjedhim të dyja palët do të marrin në qafë njëra-tjetrën. Hadithi thotë se ndaj, pikërisht për këtë arsye, masa duhet mbajtur në vëzhgim (lexo: përkujdesje) dhe për këtë i takon elitës të jetë vigjilente dhe e përgjegjshme ndaj shtresës së thjeshtë, kështu pra, për këtë elita duhet të jetë në nivelin e duhur të amanetruajtësit, sepse ata janë priviligjuar dhe sprovuar për të qenë në krye, e ata domosdo mbartin mbi supe masën që të ngrihen ose do të bien bashkë me të. Çasti kritik është veprimi i duhur në kohën e duhur (edhe nëse ‘padashur’ është krijuar ndonjë e çarë poshtë anijes, por masa kritike është veprimi ndalues/ frenues nga elita ndaj asaj që ndodh poshtë. Në fakt jemi realist se masa e zullumit (padrejtësisë) është më e ndjeshme poshtë sesa lart, sepse elita përbën më pak sesa popull të thjeshtë. Pra rreziku i shkatërrimit nuk vjen vetëm nga elita e papërgjegjshme, por edhe masa e degjeneruar, sigurisht janë shkak-pasojë e njëra tjetrës (ndikojnë njëra-tjetrën), pavarësisht se qëndron edhe shprehja se “peshku qelbet nga koka”. Normalisht masa prodhon elitën që e udhëheq, por edhe elita mund të prodhojë masë që udhëhiqet, kjo varet nga tensioni i vazhdueshëm dhe ekuilibri që krijojnë forcat kundërshtuese.

Ndaj, ne nuk duhet të gënjejmë veten dhe të shpresojmë se dikush nga jashtë do të kthjellojë elitën që ata të kuptojnë rolin e tyre, që t’i thërrasin atyre poshtë dhe të marrin masa urgjente për drejtimin dhe “ujin” që merr ka marrë ky popull, pasi u takon të mirëve të ndalojnë të keqen. Nëse nuk e bëjnë ata, atëherë, janë po vetë ata të ligjtë (sabotuesit) dhe që të gjithë e meritojnë të fundosen bashkë. (“Zoti s’e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë në vetveten e tyre” Kuran).

“Duke mos i shqetësuar” tregon për shkakun kryesor të shkatërrimit të popujve dhe civilizimeve, që është indiferentizmi dhe individualizmi (atëherë kur secili punon në hesap dhe për interes të vet). Ndalimi simbolizon masën e alertit dhe reagueshmërisë praktike ndaj të keqes që e shohim. Nëse nuk reagojnë mjaftueshëm ose fare përmbytja është e sigurt.

Autor: Ibrahim Xhepmetaj

Exit mobile version