Ballina Jeta Arabia Saudite planifikon plazhe luksoze në Detin e Kuq

Arabia Saudite planifikon plazhe luksoze në Detin e Kuq

Arabia Saudite ka hartuar një projekt masiv zhvillimi turistik, që pritet t’i kthejë 50 ishuj dhe lokacione të tjera buzë Detit të Kuq në resorte turistike luksoze.

Mbretëria arabe shpreson që të tërheqë vëmendjen e turistëve të huaj por edhe atyre vendas, në përpjekje për të diversifikuar ekonominë saudite, për shkak të rënies së çmimit të naftës. Sipas asaj që bëhet e ditur, kufizimet me vizat për të huaj pritet të lehtësohen në këtë zonë turistike.

Gjithsesi, ende nuk është e qartë nëse kodi i veshjes dhe kufizime të tjera që normalisht zbatohen në mbretërinë konservatore, do të lehtësohen apo do të mbeten në fuqi. Për shembull, alkooli, kinematë dhe teatrot janë të ndaluara në Arabinë Saudite.

Gratë duhet të veshin rroba të lirshme dhe jo të ngushta për të nxjerrë hiret, veshje të posaçme të gjata që njihen si “abayas” në publik, si dhe shaminë e kokës nëse ato janë të besimit mysliman. Ato nuk lejohen gjithashtu të drejtojnë automjetet, e zakonisht kërkojnë lejen e një kujdestari mashkull për të studiuar apo udhëtuar jashtë vendit, përcjell TCh.

Ndërtimi i resorteve të reja pritet të nisë në vitin 2019. Faza e parë do të përfshijë ngritjen e një aeroporti të ri, si dhe hoteleve luksoze apo shtëpive, e pritet të përfundojë në vitin 2022.

Arabia Saudite aktualisht është mikpritëse e miliona të huajve, për punësim apo gjatë pelegrinazhit të Mekës./Mesazhi/

Exit mobile version