Ballina Sport Futboll Arijon Ibrahimoviqi rinovon me Bayernin

Arijon Ibrahimoviqi rinovon me Bayernin

Talenti Arijon Ibrahimoviq ka rinovuar kontratën me skuadrën e Bayern Munichut. Me rinovimin e kontratës, Ibrahimoviqi 17-vjeçar do të jetë pjesë e gjigantit gjerman deri në verën e vitit 2025.

Ibrahimoviqi, është i lindur në Gjermani, por është me prejardhje nga Kosova. Të premten e shkuar luajti në miqësoren e Bayernit ndaj Salzburgut austriak dhe shënoi gol.

Arijoni iu bashkua kampusit të Bayernit në qershor të vitit 2018, nga akademia e Nuernbergut. Ai mund të luajë në pozita të ndryshme në sulm. Te Bayerni janë të kënaqur me zhvillimin e Ibrahimoviqit, i cili pas rinovimit të kontratës do të jetë pjesë e ekipit të parë.

“Ne jemi shumë të lumtur që kemi rinovuar kontratën e Ari Ibrahimoviqit. Ai është zhvilluar shumë mirë me ne dhe tani do të jetë pjesë e ekipit të parë. Ai është njëri prej talenteve nga i cili presim shumë”, ka thënë drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq.

Ndërkohë, i lumtur me rinovimin e kontratës është shprehur edhe Ibrahimoviqi, i cili ka thënë se ëndrra e tij është realizuar.

“Jam krenar dhe falënderues ndaj klubit. Është një ëndërr e realizuar për mua. Po shikoj drejt hapave të ardhshëm te Bayerni”, ka thënë Ibrahimoviq.

Në edicionin aktual ka shënuar 13 gola dhe ka bërë katër asistime në 14 paraqitje me ekipin U19 të Bayernit në Bundesligën e kësaj grupmoshe dhe në UEFA Youth League. Anëtari i U18 të Gjermanisë ka pasur ndikim në dy gola në dy paraqitje me ekipin rezervë të Bayernit në kategorinë e katërt gjermane.

Exit mobile version