Ballina Lajmet Kosovë “Asociacioni i Komunave Serbe ka pushtet të veçantë, rrezikon shtetësinë e Kosovës”

“Asociacioni i Komunave Serbe ka pushtet të veçantë, rrezikon shtetësinë e Kosovës”

Qëndrimi i Listës Serbe që të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe deri në muajin prill, po vlerësohet si një veprim anti-ligjor dhe anti-kushtetues. Madje, një deklaratë e tillë nga deputetët serbë po del të jetë e kryesuar nga Beogradi për të destabilizuar situatën.

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Mazllum Baraliu ka thënë për Indeksonline se Asociacioni nuk ka asnjë aspekt kushtetues dhe si i tillë nuk duhet të formohet.

“Për të mirën e të gjithëve do të ishte të mos formohet fare ai asociacion metastazik dhe problematikl si nga aspekti kushtetues-juridik, ashtu edhe nga ai politik dhe të stabilitetit të vendit. Pas qëndrimeve të Listës Serbe, që do të thotë nga Beogradi, për synimin e tyre morbid dhe antikushtetues e antiligjor të formimit arbitrar të asociacionit të tyre gjatë prillit, këtij asociacioni nuk i ka mbetur asnjë mundësi dhe as bazë reale dhe logjike që kinde nga strukturat institucionale të shtetit, të formohet.
Pra, ashtu-kështu, qëllimi destruktiv dhe antikushtetues e destabilizues i Beogradit dhe eksponentëve të tyre të Listës Serbe në Prishtinë, tanimë doli në shesh”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, shteti i Kosovës e ka Asociacionin e përbashkët në bazë të të cilit komunat kanë aktivitete të koordinuara, pa dallime.

“Asociacioni i tillë është kundërshtuar nga i gjithë opinioni publik dhe ai akademik, me arsye të plotë, sepse dëmton deri në rrezikim shtetin e Kosovës dhe perspektivën e tij multietnike dhe demokratike. Ndaj, meqë të gjitha komunat e Kosovës e kanë një asociacion të përbashkët, po ai është i mjaftueshëm për koordinim aktivitetesh dhe përvojash të komunave të Kosovës, pa dallim dhe nuk ka nevojë për një tjetër asociacion me fuqi ekzekutive”, ka thënë tutje Baraliu për Indeksonline.

Ai ka shtuar se një Asociacion i Komunave Serbe sipas marrëveshjes së Brukselit, paraqet pushtet të veçantë.

Ndryshe, Lista Serbe ka vendosur të largohet nga Qeveria e Kosovës. Kjo ka ardhur si reagim ndaj arrestimit që iu bë të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili kishte hyrë pa leje në veri të Mitrovicës. Ishte njësia e Policisë së Kosovës që të hënën arrestoi Gjuriqin në takimin me serbët, dhe e solli në stacionin Qendra, në Prishtinë, shkruan Indeksonline. Nga aty, Gjuriq u përcoll për në Merdare ku iu dorëzua autoriteteve serbe.

Pas këtij veprimi profesional të Policisë së Kosovës, Lista Serbe paralajmëroi edhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Ndërsa, sot në Luginën e Preshevës si shenjë hakmarrje për arrestimin e Gjuriqit, serbët lëshuar avionë ushtarakë mbi Luginën e Preshevës.

Exit mobile version