Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BE-ja avancon me marrëveshjen me bllokun Mercosur, pavarësisht kundërshtimeve nga Parlamenti Evropian

BE-ja avancon me marrëveshjen me bllokun Mercosur, pavarësisht kundërshtimeve nga Parlamenti Evropian

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar Bashkimi Evropian (BE) po avancon me zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes tregtare me bllokun Mercosur të Amerikës së Jugut, pavarësisht kundërshtimeve nga Parlamenti Evropian, transmeton Anadolu.

Duke folur në Bruksel, von der Leyen konfirmoi se Komisioni Evropian do të vazhdojë me zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes pasi Uruguai dhe Argjentina u bënë vendet e para nga blloku Mercosur që e ratifikuan atë. Brazili dhe Paraguai pritet të ndjekin.

E negociuar për më shumë se 25 vjet, marrëveshja BE-Mercosur synon të krijojë një zonë të tregtisë së lirë që përfshin më shumë se 700 milionë njerëz midis Evropës dhe Amerikës Latine, duke ulur miliarda euro tarifa doganore dhe duke hapur mundësi të reja tregu, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Pavarësisht këtyre premtimeve ekonomike, marrëveshja ka hasur rezistencë të konsiderueshme brenda vendeve anëtare të BE-së, si dhe në Parlamentin Evropian.

Në muajin janar, kundërshtarët e marrëveshjes siguruan shumicën në Parlamentin Evropian për ta referuar atë në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, duke ngrirë në mënyrë efektive procesin e ratifikimit formal.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka ruajtur një mundësi ligjore për ta çuar përpara këtë marrëveshje. Sipas rregullave të BE-së, ekzekutivi lejohet ta zbatojë përkohësisht marrëveshjen sapo një ose më shumë vende të bllokut Mercosur të përfundojnë procedurat e tyre kombëtare të ratifikimit.

Von der Leyen tha se kushtet për zbatimin e përkohshëm tani janë përmbushur, duke i lejuar BE-së të veprojë teksa pret pëlqimin parlamentar të nevojshëm për ratifikimin e plotë.

“Zbatimi i përkohshëm është, nga natyra e tij, i përkohshëm. Kjo është e qartë që në emër. Prandaj, Komisioni do të vazhdojë të punojë ngushtë me të gjitha institucionet e BE-së, vendet anëtare dhe palët e interesuara për të siguruar një proces të qetë dhe transparent”, tha ajo.

Von der Leyen e përshkroi marrëveshjen me bllokun Mercosur si një nga “marrëveshjet tregtare më domethënëse të gjysmës së parë të këtij shekulli”, duke argumentuar se ajo forcon pozicionin strategjik të Evropës dhe thellon lidhjet politike me partnerë të përkushtuar ndaj tregtisë së hapur dhe të bazuar në rregulla.

Më vonë, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, u tha gazetarëve se von der Leyen ka kontaktuar me drejtuesit e Parlamentit Evropian para se të shpallë vendimin.

– “Kapje e papranueshme e pushtetit”

Grupi i Majtë në Parlamentin Evropian e kritikoi ashpër vendimin.

“Ky është grushti më i keq anti-demokratik që është parë ndonjëherë në historinë e BE-së”, tha bashkëkryetarja e Grupit të Majtë, Manon Aubry, përmes rrjetit social amerikan X.

“Kjo është një kapje e papranueshme e pushtetit”, shtoi ajo.

Aubry theksoi se “në seancën e ardhshme plenare, grupi do ta mbajë von der Leyen-in përgjegjëse”, duke iu referuar synimit të tyre për ta debatuar çështjen.

Grupi argumentoi se vazhdimi i procesit përpara se Gjykata e Drejtësisë e BE-së të japë opinionin e saj rrezikon të detyrojë rinegocim nëse marrëveshja shpallet e papajtueshme me traktatet e BE-së.

Koordinatorja e grupit për Komitetin për Tregtinë Ndërkombëtare, Lynn Boylan, tha se “ky është një vendim i turpshëm dhe jodemokratik nga von der Leyen dhe Komisioni Evropian”.

Exit mobile version