Irani ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit, në mes të tensioneve mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar në platformën X se “Republika Islamike e Iranit është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme për të lehtësuar dialogun dhe për të rritur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve”.
Veçmas, Ministria e Jashtme e Iranit u ka bërë thirrje të dyja palëve që të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të njëra-tjetrës dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë tensionet dhe konfliktin.
Irani, i cili ndan kufi si me Pakistanin ashtu edhe me Afganistanin, mban marrëdhënie të afërta me Pakistanin dhe ka zhvilluar kontakte edhe me autoritetet talebane në Afganistan, megjithëse nuk e ka njohur zyrtarisht qeverisjen e tyre.
Gjatë një raundi të mëparshëm përplasjesh mes Afganistanit dhe Pakistanit në tetor, Irani kishte ofruar gjithashtu ndërmjetësim mes dy palëve. /mesazhi
