Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BE-ja bën pagesën e parë në kuadër të paketës së kredisë prej...

BE-ja bën pagesën e parë në kuadër të paketës së kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha sot se Bashkimi Evropian ka bërë pagesën e parë në bazë të paketës së re të huasë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, duke transferuar 3.2 miliardë euro ndihmë makro-financiare në Kiev, transmeton Anadolu.

Duke folur në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Gdansk të Polonisë, Von der Leyen tha se financimi është pjesë e përpjekjes më të gjerë të BE-së për të mbështetur ekonominë dhe mbrojtjen e Ukrainës ndërsa lufta vazhdon.

“Sot po transferojmë këstin e parë të kësaj kredie, 3.2 miliardë euro ndihmë makrofinanciare”, tha ajo. Paketa prej 90 miliardë eurosh, e njohur si Kredia për Mbështetjen e Ukrainës, do të disbursohet gjatë dy viteve të ardhshme.

Von der Leyen tha se BE-ja do të fillojë të lëshojë fondet e para nga një program i veçantë prej 6 miliardë eurosh që synon të rrisë kapacitetin e prodhimit të dronëve të Ukrainës në ditët në vijim.

Sipas saj, BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë dhënë tashmë 200 miliardë euro ndihmë ekonomike, financiare dhe ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës në 2022.

Këto deklarata erdhën disa javë pasi BE-ja hapi grupin e parë të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, një lëvizje që Von der Leyen e përshkroi si “historike”.

Exit mobile version