Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Forcave të Armatosura të Italisë, gjeneral Luciano Portolano ka zhvilluar vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është pritur në takime të ndara nga presidenti Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Begaj ka theksuar se kanë riafirmuar “partneritetin strategjik dhe miqësinë e fortë midis Shqipërisë dhe Italisë”.
“Së bashku, ne forcojmë bashkëpunimin në mbrojtje, mbështesim misionet dhe operacionet e NATO-s dhe qëndrojmë të bashkuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Në këto kohë sfiduese, Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë kolektive dhe bashkëpunimit të ngushtë me Italinë”, ka theksuar Begaj.
Ndërkohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, ka pritur në takim homologun e tij të Italisë, Portolano.
Në një njoftim nga Shtabi i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë thuhet se gjatë takimit dypalësh gjenerallejtënant Kingji e njohu homologun italian me zhvillimet më të fundit në Forcat e Armatosura, “duke u ndalur tek planet e modernizimit, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s”.
“Gjenerallejtënant Kingji konfirmoi angazhimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për vijimin e këtij bashkëpunimi të frytshëm, në planin bilateral, rajonal dhe në kuadër të NATO-s. Nga ana e tij, gjeneral Luciano Portolano falënderoi gjenerallejtënant Kingjin për pritjen e ngrohtë duke vlerësuar njëkohësisht rolin dhe kontributin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në kuadër të NATO-s. Ai theksoi se Shqipëria përbën një faktor të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, si dhe një partner të besueshëm në operacionet ndërkombëtare”, thekson njoftimi.
