“- Bëhu djalë i mirë, mos u merr me fe”, thonin!
Faktikisht, “me fe” i binte me muslimanizmin në veçanti. Ti mund të ishe ateist, i krishterë, çfarëdo tjetër dhe askujt nuk do i bëhëj vonë fare, por muslimanizmi ishte vija e kuqe e as vetë nuk e dini pse! Në fakt, ndoshta edhe dinin, por ajo ndjenja e urrejtjes ndaj një personi që nuk u përshtatet normave të tyre të kalbura dilte mbi qenien e tyre dhe nuk mund ta mbani brenda, qoftë edhe nëse personi në fjalë i binte të ishte familjar apo i afërm. Duhej ta largonin nga “rruga e gabuar” për ta e ta kthenin në “rrugën e drejtë” të tyre.
“-Mos u bëj si këta me mjekrra e me pantolla të shkurtër”, thonin! Madje nuk pati mbetur fqi pa e torturuar babain tim me frikën e këtyre “me mjekrra”. Jo rrallë jam detyruar t’i ndërroj rrobat sepse pantallonat fabrikisht të shkurtër të prodhuar për stinën e verës babait tim i dukeshin “fetarisht” të shkurtër dhe kjo i shkaktonte nervozë. E nuk është që mënyra e prezantimit të tyre nuk e kishte bërë të vetën. Forma e mbulimit mediatik dhe mënyra e prezantimit të Al-Qaeda, ISIS, Boko Haram, Hezbollah etj, kishe shkaktuar mjaft turbullira në mendjet e njerëzve. Madje një ish person i veçantë më pati thënë shprehimisht: “A do hedhësh bombë në shkollë?”, shoku më i madh që kam përjetuar në jetën time. Nga ai moment personi i veçantë u bë personi më i parëndësishëm për mua. Unë nuk kam ditur asnjëherë të përdorë armë, bile veshët më kanë ushtuar dy vjet pas luftës nga trauma e krismave të përjetuara në luftë. Gjithmonë i kam urrejtur armët, bile kam edhe fobi nga to, nga prezenca e tyre. Ndjej frikë dhe pasiguri.
“-Mjekrra është sunnet, rrobat e shkurtëra janë sunnet. Ai që nuk e respekton sunnetin e plotë digjet në xhehenem”, e përmbledhnin në këtë kuptim disa njerëz fetarë, besa edhe hoxhallarë quheshin disa. Kjo shkaktonte dhe vazhdon të shkaktoj dhimbje emocionale dhe pasiguri. Këtyre “mëkëmbësve” Zoti u kishte dhënë çelësat e xhennetit dhe xhehenemit dhe këta përcaktonin kush hynte e dilte në ta! Retorika e tyre në fakt mbillte frikë e pasiguri në zemrat e shumë njerëzve, përfshirë mua. Metoda se si i indoktrinonin njerëzit në bindjet dhe transmetimet e tyre personale ishte shpesh e frikshme, mos të themi kërcënuese. Nuk është kërcënim vetëm t’i thuash dikujt fjalë të dhunshme me motiv të lëndimit fizik. Kërcënim është poashtu t’i thuash një besimtari se do përfundosh në xhehenem sepse mjekrra jote është e shkurtër, sepse voton apo sepse vishesh bukur e me ngjyra…
“- Këta mutlimanët nuk janë gjak shqiptari. Janë mbetje turku e arabi. Farë e keqe”, thonë ekstremistët nga besimet e tjera. Kjo godet thellë krenarinë dhe ndjenjën e përkatësisë në një komb ku familja jote me shekuj ka sakrifikuar dhe është përgjakur që ta ruaj linjen e gjakut të pastër. Dhe besimi e prishka gjakun?! Si ndodhka kjo gjë?! Jo nuk ndodh kjo gjë. Nuk prishet gjaku sepse i përket një besimi fetar. Kjo metodë përulëse, raciste e urrejtëse bëhët qëllimshëm për të goditur identitetin dhe dinjitetin e një personi. Për ta bërë të ndihet më pak, më i vogël dhe fajtor. Fajtor për çka mund të thotë dikush! Fajtor që nuk je kush ata duan që ti të jesh. Një skllav i bindur dhe i pagojë.
Problemi është që asnjë nga këta “dijetarët” fetarë e anti-fetarë nuk mendojnë fare për gjendjen emocionale të njeriut. Nuk të lënë të flasësh, nuk të lënë të shpjegosh se besimi është emocion, ndjenjë e thellë individuale, shpesh më intime edhe se seksualiteti dhe se njeriu nuk ndihet aspak rehat kur ngacmohet dhe sulmohet në shpirtin e tij. Këta të godasin dhe të bëjnë të ndihesh fajtor pse goditesh. Sepse sipas tyre ti e meriton të goditesh pasi nuk je si ata. Këta janë njerëzit më intolerantë që thirren në tolerancë. Njerëzit më të pamoralshëm që moralin e shtjellojnë ashtu si u konvenon. Njerëzit më antikombëtar, pasi kombi për ta është aseti më më vlerë që mund të sjellë shumë përfitime ekonomike dhe asgjë tjetër. Asgjë tjetër fare.
7 vjeç kam qënë kur jam falur se pari me babëgjyshin tim. Më pat mësuar suren “Ikhlas” dhe ishte koha e faljes së akshamit në muaj Ramazani. Në klasën e tetë kam agjëruar Ramazanin e parë dhe në gjimnaz kam filluar ta fali xhumanë dhe pastaj kah mosha 19 vjeçare kam filluar të falem rregullisht. Fenë nuk ma mësoi asnjë hoxhë, fenë e lakmova nga babëgjyshi im. Lexova e ku nuk kuptova pyeta. Ku nuk u pajtova me transmetimin nga njerëz të ndryshëm, nuk u pajtova edhe po u shemb dunjaja. Ata që e prezantuan fenë si të zymtë e pa jetë, si izolim e vetëndëshkim, nuk i kam dëgjuar asnjëherë. Unë nuk e pranoj linçimin dhe përbaltjen e askujt, jam krejt pro afrimit dhe komunikimit. Jam pro dashurisë, bashkjetesës e mirëkuptimit.
Ju nuk mund të më paraqitni si dëshironi ju! Unë paraqitem ashtu si jam, ju thjesht mund të shtrëmbëroni paraqitjen time. Mëkati le të mbetet të ju, në këtë anë e në anën tjetër, jo të unë.
Unë jam ky, po ju kush jeni?
P.s Përvoja e një djaloshi i cili dëshiron të mbetet anonim!
