Fjala “engjëjt” që në arabishti shprehet me fjalën “melaike” në kuptimin gjuhësor është shumësi i fjalës “melek”, e cila rrjedh nga “el-ulûke”, që do të thotë: mesazh, ose rrjedh nga “el-melk”, që nënkupton marrjen me forcë. Ndërsa përkufizimi i tyre në terminologji është se ata: “Janë trupa (qenie) delikate, të pajisura me aftësi për t’u shfaqur në forma të ndryshme, dhe vendbanimi i tyre janë qiejt.” Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, siç e ka transmetuar hafiz Ibn Haxheri.
Obligimi i besimit te engjëjt
Besimi te engjëjt nënkupton bindjen e prerë për ekzistencën e tyre dhe se ata janë krijesa të Allahut të Madhëruar. Allahu i Lartësuar thotë: “Por mirësia e vërtetë është e atij që beson në Allahun, Ditën e Fundit dhe engjëjt.”[1]
Besimi te engjëjt është një shtyllë nga shtyllat e besimit; besimi i robit nuk është i saktë pa të. Për këtë kanë dëshmuar tekstet e Kuranit, Sunetit dhe konsensusi i myslimanëve.
Allahu i Lartësuar thotë: “I Dërguari besoi në atë që iu shpall nga Zoti i tij, po ashtu edhe besimtarët; të gjithë besuan në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij.”[2]
Në hadithin e njohur të Xhibrilit, kur Profeti (a.s) u pyet për besimin, ai tha: “Besimi është të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe në kaderin, të mirën dhe të keqen e tij.”[3]
Myslimanët janë njëzëri se besimi në engjëjt është obligim. Prandaj, kush e mohon ekzistencën e engjëjve, pa pasur një padije që justifikohet, ka bërë kufër, sepse ka përgënjeshtruar Kuranin duke mohuar atë që ai e ka pohuar. Allahu i Madhëruar e ka lidhur mohimin e engjëjve me mohimin e Tij, duke thënë:
“Kush mohon Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, ai ka humbur një humbje të thellë.”[4]
Shkallët e besimit te engjëjt
Besimi në engjëjt nuk është në një shkallë të vetme. Ekziston besimi i përgjithshëm, që është besimi në ekzistencën e tyre dhe se ata janë krijesa të Allahut të Madhëruar. Kjo masë e besimit është detyrim për të gjithë personat e ngarkuar me përgjegjësi fetare.
Ekziston edhe besimi që ka të bëjë me detaje, që konsiston në njohjen e çështjeve rreth engjëjve që janë treguar nga Kurani dhe Suneti. Kërkimi i këtij lloji të besimit është detyrim kolektiv; pra, nuk kërkohet nga çdo individ veç e veç, por është detyrim mbi mbarë umetin, në mënyrë që nëse disa e përmbushin këtë detyrë dhe arrihet mjaftueshmëria, përgjegjësia bie nga të tjerët.
Pozita e engjëjve tek Zoti i tyre
Një nga ajetet më madhështore që tregon pozitën e lartë të engjëjve tek Zoti i tyre është fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij; edhe engjëjt dhe dijetarët (dëshmojnë), duke qëndruar në drejtësi; nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.”[5]
Kuptimi argumentues i këtij ajeti qëndron në faktin se Allahu e ka marrë dëshminë e engjëjve për çështjen më madhore që dëshmohet ndonjëherë, e cila është njëshmëria e Tij, dhe e ka bashkuar dëshminë e tyre me dëshminë e Tij. Allahu nuk merr për dëshmitar nga krijesat e Tij veçse ata që kanë një pozitë të lartë tek Ai. Ky ajet, pra, tregon qartë madhështinë e vlerës dhe pozitës së engjëjve.
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Bekare: 177.
[2] – Sure Bekare: 285.
[3] – Muslimi.
[4] – Sure Nisa: 136.
[5] – Sure Ali Imran: 18.
