Ballina Artikuj Besimtari, energji e pashtershme

Besimtari, energji e pashtershme

Sabaudin Jashari

Allahu i Madhëruar urdhëron dhe thotë në Kur’an: “Dhe kush i mbështetet Allahut të Madhëruar Ai i mjafton atij.”([1]) Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “Mbështetju Allahut i Cili është i Gjalli dhe nuk vdes kurrë.”([2])

Çështja e mbështetjes te Allahu i Madhëruar, Zotit të gjithësisë, zë një sipërfaqe shumë të madhe dhe shumë të rëndësishme në Kur’an dhe në sunet, madje mund të themi se një nga frytet kryesore të besimit në Allahun e Madhëruar, që natyrshëm njeriu e shijon sapo lidhet me Zotin, është mbështetja te Zoti i Gjithësisë, te Allahu i Madhëruar.

Duke patur parasysh rëndësinë e kësaj teme, Allahu i Madhëruar nuk na ka ngarkuar neve që ta nxjerrim si konkluzion se duhet të mbështetemi tek Allahu, por përkundrazi, na urdhëron dhe udhëzon në mënyrë të drejtpërdrejtë për mbështetje. Allahu i Madhëruar thotë: “Te Allahu mbështetuni nëse jeni besimtarë.”([3]) Treguesi kryesor që jeni besimtarë është mbështetja te Allahu dhe këtu Allahu i Madhëruar na e jep mbështetjen si argument të drejtpërdrejtë, kryesor madje jetik dhe të domosdoshëm të besimit në Zotin e Gjithësisë. Pra nëse doni t’i vërtetoni vetes tuaj që jeni besimtarë, në radhë të parë mbështetjuni Allahut të Madhëruar. Mirëpo çështja e mbështetjes te Allahu i Madhëruar nuk është një garë apo trofe nëpërmjet të cilit ne fitojmë besimin në Allahun e Madhëruar, është totalisht e kundërta.

Mbështetja te Allahu i Madhëruar është fryt i besimit në Të. Mirëpo për të arritur te kjo, çfarë duhet të bëjmë? Allahu i Madhëruar na e tregon formulën në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Mbështetju Allahut i Cili është i Gjalli dhe nuk vdes kurrë.”([4]) Domethënë ajo që më bën mua si besimtar që t’i mbështetem Allahut të Madhëruar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të vazhdueshme, është fakti se Allahu i Madhëruar është “El Haj” i Gjalli absolut i Cili jep jetë dhe jetën e Vet nuk e ka marrë askund dhe askujt sepse është i Pari pa fillim dhe i Fundit pa mbarim.

“Mbështetju Allahut i Cili është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë.”([5]) Këto dy cilësi të Allahut të Madhëruar, të shoqëruara njëra pas tjetrës, tregojnë dhe përcjellin shumëçka. Me cilësinë e parë Allahu i Madhëruar na thotë se është Ai që ka jetë dhe Ai që jep jetë dhe është Ai që është i Përjetshëm, Atij ia vlen t`i mbështetesh sepse me Të ndihma dhe përkrahja nuk ndërpritet asnjëherë.

Ai që është i Gjallë dhe absolut në jetën e Tij, nga aty buron forca dhe fuqia, dhe kjo lloj mbështetje nuk shteron asnjëherë. “Mbështetu te i Gjalli” domethënë se çdo dinamikë që përjetojnë gjërat e gjalla në tokë si; kafshët, bimët, insektet, njeriu, xhindët, melaiket etj, që të gjitha këto e marrin dinamikën e tyre prej Atij që është “ El Haj” i Gjalli absolut.

Kudo që shikon jetë, ajo jetë ka ardhur prej Allahut të Madhëruar, dhe kur flasim për mbështetjen, flasim për atë temë e cila na mundëson neve jetën dinamike, të vazhdueshme, të natyrshme dhe të aktivizuarit në mënyrë të lirë dhe pa pengesa, në momente të caktuara madje dhe me vrull, dije se kjo buron nga Ai i Cili është në gjendje ta japë këtë lloj dinamike, këtë lloj jete dhe këtë lloj bashkëveprimi me këtë lloj jete. Sepse është Ai i Cili është jetë, Ai i Cili jep jetë dhe jetën e ka të vetvetishme.

Madje Allahu i Madhëruar u ka dhënë jetë edhe gjërave të ngurta të cilat neve na duken sikur janë të ngurta, por ato në marrëdhënien e tyre janë të gjalla, madje kanë një dinamikë të jashtëzakonshme dhe shumë më perfekte sesa na e merr mendja, dhe në shumë raste dinamika e këtyre sendeve qe neve na duken të ngurta, në aspektin kuptimor, kapërcen me milje dinamikën e qenies njerëzore. Mjafton që njeriu të marrë një copë hekuri për të kuptuar sesi bashkëveprojnë elementët përbërës të tij dhe e kupton se ky hekur, ky metal i çuditshëm, nuk qenka në gjendje ta prodhojë toka por është Allahu i Madhëruar që e ka zbritur nga qielli.

Pra nga mënyra se si bashkëveprojnë elementët përbërës të këtij metali, njeriu çuditet që jo vetëm nuk është në gjendje ta prodhojë por as ta zbulojë hekurin në tokë, nëse nuk do kishte dashur Allahu i Madhëruar sepse vetë toka nuk e prodhon, por është Zoti i Gjithësisë që e ka zbritur.

Po të meditojë njeriu te elementët përbërës të drurit se si bashkëveprojnë, apo se si bashkëveprojnë trupat qiellorë me njëri-tjetrin, me një dinamikë dhe jetë të jashtëzakonshme dhe një bashkëveprim ekstremisht të jashtëzakonshëm, njeriu çuditet. Kjo, për të na thënë Allahu i Madhëruar se gjithë kjo rregullsi, gjithë kjo jetë dhe gjithë kjo dinamikë buron nga Ai që është “El Haj” i Gjalli. Prandaj Atij dhe vetëm Atij i duhet mbështetur në mënyrë absolute sepse Atij nuk i shteron asnjëherë mbështetja për robin e TIj, nuk i shteron asnjëherë jeta, nuk i shteron asnjëherë dinamika. Ai është në gjendje që njeriun, edhe në ato herë kur jeta me format e saj të nxjerr nga normalja e jetës, Ai me jetën e Tij dhe me dinamikën e krijuar prej Tij është në gjendje ta fusë në rrjedhat normale te jetës, në ato rrjedha që çdokujt i pëlqejnë.

Allahu i Madhëruar e konfirmon përfundimisht këtë koncept, duke mos e lënë thjesht me cilësinë “El Haj” i Gjalli, por thotë: “Mbështetju Allahut i Cili është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë.”([6]) Përse na e ka konfirmuar dhe theksuar këtë Allahu i Madhëruar? Për të na thënë: “O robër të Zotit, sa të jeni gjallë mundësojani vetes të jetoni vazhdimisht me Zotin dhe të mbështeteni vazhdimisht te Ai.” Nëpërmjet kësaj mbështetjeje duke përjetuar bindjen dhe sigurinë se kjo lloj mbështetje nuk të shteron asnjëherë, se Allahu që është “i Gjalli” absolut, Ai nuk vdes asnjëherë.

Prandaj Allahu i Madhëruar thotë se ti e ke në dorë nëse e do këtë dinamikë të fortë dhe jetë të fuqishme, këtë jetë të vërtetë, këtë forcë që nuk të shteron kurrë, fuqinë e cila nuk ka kufi e as limit dhe është në gjendje të t’i faktorizojë edhe energjitë e tua të cilat në momente të caktuara mund të të duken pak, apo energjitë e tua të cilat ti i ke por nuk i ke zbuluar apo identifikuar. Allahu i Madhëruar thotë se po m’u mbështete Mua i Cili jam i Gjallë dhe nuk vdes kurrë, edhe ato elementë të energjisë tënde apo kapacitete të tuat që akoma nuk i ke zbuluar, Unë t’i përshfaq dhe t’i nxjerr në pah, edhe ato të dhëna apo resurse të cilat ti mendon se i ke por i ke të kufizuara. Thotë Allahu i Madhëruar se nëse mbështetesh te Unë ashtu siç duhet, këto resurse dhe kapacitete unë t’i bëj të pashtershme. Sepse je i lidhur me Atë që është i Pashtershëm, është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë. Prandaj duhet të kemi parasysh se tema të tilla islame nuk janë tema me karakter abstrakt, teorik apo dogmatik.

Duhet theksuar se mbështetja te Allahu i Madhëruar është jetë e cila buron nga njohja e Zotit, e cila buron nga lidhjet me Allahun e Madhëruar, e cila është një produkt i domosdoshëm i këtyre lidhjeve me Allahun që ndërtohen mbi njohjen e duhur të Allahut. Domethënë në momentin që ti lidhesh me Zotin, duke e njohur Allahun e Madhëruar ashtu siç i takon Atij, duke e besuar Atë ashtu siç i takon Atij dhe duke jetuar më Të ashtu siç i takon Atij, natyrshëm ti do të përjetosh brenda teje një mbështetje të jashtëzakonshme në Allahun e Madhëruar e cila nuk përfundon asnjëherë deri sa të takohesh me Zotin e Gjithësisë. Dhe kështu njeriu edhe pse është i kufizuar, shndërrohet në një bateri të jashtëzakonshme të cilës nuk i mbaron energjia asnjëherë. Sepse është lidhur me Atë që nuk i mbaron asnjëherë forca, fuqia, dhe furnizimi i Tij.

Edhe sot në aktualitetin tonë një nga arsyet kryesore që duhet t’i kthehemi Kur’anit është se duhet t’i kthehemi për ta njohur Zotin, për ta njohur Allahun e Madhëruar. Na thonë të parët tanë: “Nëse do ta njihnit Allahun e Madhëruar ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij, me duatë tuaja do shkërmoqeshin edhe malet.” Për të na treguar se s’do kishte vështirësi që do ju qëndronte përballë në faqe të dheut saqë edhe malet do i kishit grirë, nëse do e njihnit Zotin ashtu siç duhet. Prandaj duhet bërë kujdes nga qasja dogmatike, teorike dhe abstrakte ndaj temave të tilla islamë.

Mbështetja te Allahu i Madhëruar është jetë, të jetosh me Zotin çdo moment të jetës tënde, në çdolloj veprimtarie, në çdolloj marrjeje dhe dhënieje, në çdolloj ngritjeje dhe uljeje, në çdo lloj suksesi dhe dështimi. Pejgamberi a.s na thotë: “Asnjëherë mos thuaj “Ah sikur.”([7]) Përse ia kultivon vetes tënde përçmimin? Përse ia kultivon vetes tënde dështimin? Por thuaj: “Caktimi i Allahut, Ai bën si të dojë”([8]), dhe mos u dorëzo, sepse fjala “Ah sikur” ia hap derën shejtanit të mallkuar. Sepse nëse ti dështove sot, ke Allahun e Madhëruar të Cilit nuk i shteron energjia asnjëherë. Por edhe nëse në ndonjë moment të caktuar del me sukses dhe të pëlqen vetja, dije se ti ke filluar t’i atribuosh vetes tënde ato cilësi të cilat nuk mund t’i kesh.

Kur fillon njeriu të krenohet ekstremisht me suksesin e vet dhe t’i pëlqejë vetja me këtë sukses të vetin? Atëherë kur mendon se ai sukses që ka, është produkt absolut dhe i domosdoshëm i bashkëveprimit të tij me kapacitetet e tij.

Këtu fillon të devijojë njeriu nga kjo lidhje e veçantë me Allahun e Madhëruar, dhe që të dyja këto qëndrime Zoti nuk i do. Ashtu siç Zoti nuk do të parën, që ti të ulësh kokën dhe të mërzitesh, pezmatohesh, të humbësh shpresat dhe të kultivosh inferioritetin në zemrën tënde kur ti dështon, sepse kjo tregon që ti ke harruar se me kë ke të bësh, se Ai është i Gjalli që nuk vdes kurrë dhe të Cilit “El Kajjum” nuk i shteron asnjëherë vëmendja ndaj gjithësisë, dhe çdo gjë që ekziston dhe funksionon, ekziston dhe funksionon me lejen, mbikëqyrjen dhe ndërhyrjen e Tij.

Në krahun tjetër Allahu i Madhëruar nuk do që në momentin që ti arrin kulmin e suksesit, fillon dhe ekzaltohesh sepse edhe kjo në vetvete është shkëputje dhe është harresë. Harron se në dorën e kujt është suksesi “Dhe suksesi im është në dorën e Allahut”. Duro, por mos harro se durimi jot buron te Allahu Zoti i Gjithësisë. Pra na thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe kush i mbështetet Allahut të Madhëruar Ai i mjafton atij”.([9])

Mirëpo kujt i mjafton Allahu i Madhëruar? Kujt i hyn në punë mbështetja? Parimisht të gjithëve, po konkretisht? Atij që mbështetet te Allahu i Madhëruar duke e njohur Allahun e Madhëruar si të tillë dhe duke i besuar Allahut të Madhëruar si të tillë dhe duke u lartësuar në nivelin e duhur të sigurisë se Zoti është i tillë. Dhe ajeti kur’anor “Mbështetju Allahut i Cili është i Gjalli dhe nuk vdes kurrë”([10]) realisht të mban gjatë dhe nuk të lëshon, të detyron t’i rikthehesh disa herë, dhe sa më shumë i kthehesh këtij ajeti kur’anor aq më shumë njeh Zotin dhe njëkohësisht aq më shumë kupton se sa shumë na ka nderuar Allahu i Madhëruar. Kupton njeriu se sa gafil dhe i pavëmendshëm ka qenë ndaj Zotit dhe kupton se sa padrejtësi i ka bërë vetes së tij: “Dhe kush i mbështetet Allahut të Madhëruar Ai i mjafton atij”.([11])

Na thotë Pejgamberi ynë a.s: “Nëse do t’i mbështeteni Allahut, ashtu siç e meriton Allahu, Ai do t’ju furnizojë siç furnizon zogun që shkon në mëngjes me barkun bosh dhe kthehet pasdite me barkun plot.”([12]) Një nga kushtet e mbështetjes te Allahu i Madhëruar është të bashkëveprosh me kapacitetet që të ka dhënë Ai, që është një nga begatitë dhe furnizimet më të mëdha, ashtu siç i shkon madhështisë së Allahut të Madhëruar.

Pra edhe kapacitetet që na ka dhënë Zoti, janë rrizk prej Tij, dhe nëse Zoti nuk do kishte dashur, nuk do kishim pasur. Prandaj na thotë Allahu i Madhëruar që të bashkëveproni maksimalisht me këto shkaqe që ua kam dhënë, shfrytëzoni maksimalisht kapacitetet dhe mundësitë që jua kam dhënë, pastaj mbështetjuni Allahut të Madhëruar dhe prisni triumfin e Tij dhe suksesin e Tij, ashtu siç del zogu në mëngjes, ashtu na tregon dhe ora jonë biologjike. Ngrihemi në sabah dhe gjëja e parë që bëjmë e fillojmë ditën tonë me abdesin, pastaj lidhja me Zotin nëpërmjet namazit për t’i thënë Allahut të Madhëruar: “O Allah i Madhëruar unë po e ripërtërij besën time me Ty, ashtu siç haxhi është ripërtëritje e besës një herë në jetë, ashtu siç xhumaja është ripërtëritje e besës me Zotin një herë në javë, ashtu siç Ramazani është ripërtëritje e besës me Zotin një herë në vit, ashtu edhe namazi është ripërtëritje e besës me Zotin pesë herë në ditë. Kështu e fillojmë ditën tonë me namaz për të programuar jetën tonë ditore me Allahun e Madhëruar.

Mandej kur dalim nga shtëpia dalim me “Bismilah”, me mbështetje te Zoti dhe duke thënë: “Me emrin e Allahut i jam mbështetur Allahut dhe nuk ka fuqi dhe forcë veç Allahut”.([13]) Pejgamberi a.s thotë: “Kush e përmend Allahun kur futet në shtëpi dhe kur ha ushqim, shejtani u thotë shokëve të vet: “Sonte nuk ka për ju as vendqëndrim dhe as ushqim”.([14]) Në momentin që njeriu del, shejtani fërkon duart por njëkohësisht është në ankth. Por përse i fërkon duart? Sepse dhe për shejtanin është një mundësi e re, por është në ankth sepse shikon a do e fillosh ditën me “Bismilah” apo jo. Në momentin që njeriu fillon ditën duke iu mbështetur Zotit, shejtani mallkuar u thotë ushtarëve të vet: “Largohuni se nuk keni më fuqi të ndikoni për keq te ky njeri që e ka mbrojtur dhe e ka mbështetur Allahu i Madhëruar, Zoti i Gjithësisë.

Mirëpo përse dalim në sabah? Dalim në sabah për të shfrytëzuar apo bashkëvepruar ashtu siç duhet me kapacitetet tona materiale që na ka dhënë Allahu i Madhëruar. Ashtu siç jemi të urdhëruar të perfeksionojmë lidhjen me Zotin në mënyrë të drejtpërdrejtë, jemi të urdhëruar të perfeksionojmë edhe shkaqet me kapacitetet që na ka dhënë Zoti. E kur bashkohen të dyja, le ta dimë se kemi realizuar ligjin absolut të suksesit të Allahut të Madhëruar “Me të vërtetë ata që janë të devotshëm dhe durimtarë, le ta dinë se Allahu nuk e humb mundin e atyre që dinë ta bëjnë punën mirë.”([15]) Do të thotë nuk e humb punën e atyre që dinë të bashkëveprojnë në perfeksion me shkaqet dhe kapacitetet që u ka dhënë Allahu i Madhëruar. Kështu muslimani shndërrohet në një bateri të cilës nuk i shteron energjia asnjëherë.

Imam – Hatib: Sabaudin Jashari

By: ardhmëriaonline.com

([1]) – Kurani: Talak, ajeti: 3.

([2]) – Kurani: Furkan, ajeti: 58.

([3]) – Kurani: Maide, ajeti: 23.

([4]) – Kurani: Furkan, ajeti: 58.

([5]) – Kurani: Furkan, ajeti: 58.

([6]) – Kurani: Furkan, ajeti: 58.

([7]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (2664).

([8]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (2664).

([9]) – Kurani: Talak, ajeti: 3.

([10]) – Kurani: Furkan, ajeti: 58.

([11]) – Kurani: Talak, ajeti: 3.

([12]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2344); Ibn Maxheh (4164); Ahmedi (205).

([13]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (2018); Ebu Daudi (3765); Ibn Maxheh (3887).

([14]) – Hadith i vërtetë. Ebu Daudi (5095); Nesaiu, “Es-Sunenu`l-Kubra”, (9917).

([15]) – Kurani: Kehf, ajeti: 30.

Exit mobile version