Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bosnjë e Hercegovinë, falet namazi i xhenazes për pesë viktimat e vrara...

Bosnjë e Hercegovinë, falet namazi i xhenazes për pesë viktimat e vrara në vitin 1992

Reisul-ulema i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Husein ef. Kavazoviq, i cili udhëhoqi xhenazen kolektive, tha se korriku në jetët dhe kujtesën kolektive të popullit boshnjak mbetet muaji i trishtimit më të thellë dhe kujtimeve të dhimbshme.

Me faljen e namazit të xhenazes kolektive sot në Qendrën Përkujtimore “Kamiçani” në Kozarac të Bosnjë e Hercegovinës përfunduan aktivitetet për shënimin e Ditës së Përkujtimit të viktimave të krimeve të luftës me elemente të gjenocidit në Prijedor dhe luginën e lumit Sana.

Reisul-ulema i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Husein ef. Kavazoviq, i cili udhëhoqi xhenazen kolektive, tha se korriku në jetët dhe kujtesën kolektive të popullit boshnjak mbetet muaji i trishtimit më të thellë dhe kujtimeve të dhimbshme.

Ai tha se çdo vit gjatë kësaj periudhe përjetohet sërish e njëjta dhimbje, duke nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe duke kujtuar krimet e tmerrshme me elemente të gjenocidit të kryera në luginën e lumit Sana.

“Është e gjatë dhe shumë e rëndë lista e vendeve ku populli ynë iu nënshtrua eliminimit mizor nga ata që humbën çdo ndjenjë njerëzore. Sot jemi përsëri këtu, në varrezën e dëshmorëve në Kozarac, para mbetjeve mortore të njerëzve, grave dhe fëmijëve të vrarë pafajësisht”, tha Kavazoviq.

Ai shtoi se në këtë pikëllim të thellë ndihet edhe një fije lehtësimi, pasi pas dekadash kërkimi u gjetën mbetjet mortore të viktimave, në mënyrë që atyre t’u falej xhenazja dhe t’u vendoseshin gurët e bardhë të varreve.

Kavazoviq theksoi se dhimbjen e familjeve e rëndon edhe më shumë fakti se edhe sot, më shumë se tri dekada pas krimeve, vazhdojnë kërkimet për mbetjet mortore të qindra personave të vrarë nga kjo zonë.

“Kockat e tyre edhe pas më shumë se tri dekadash nuk kanë gjetur qetësi, sepse ata që i planifikuan dhe kryen krimet ende heshtin në mënyrë frikacake. Është tmerruese edhe vetë mendimi se gjurmët janë fshehur qëllimisht dhe trupat e viktimave janë copëtuar dhe zhvendosur nga një varr masiv në tjetrin”, theksoi reisul-ulema.

Ai tha se për hir të brezave të ardhshëm dhe ndërgjegjes së gjithë njerëzimit, është detyrë që e vërteta të nxirret në dritë. “Ajo duhet të jetë një paralajmërim i përhershëm për atë se çfarë është në gjendje të bëjë mendja e errësuar e ushqyer me urrejtje. Nga kjo luftë për të vërtetën dhe drejtësinë ne me ndihmën e Zotit nuk do të heqim dorë”, tha Kavazoviq.

Më tej, ai u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë çfarëdo informacioni për varret e viktimave të vrara pafajësisht të ndërpresin heshtjen dhe të ndihmojnë në gjetjen e viktimave të mbetura.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ai tha se të mbijetuarit janë të destinuar ta mbajnë dhimbjen e tyre, por edhe të vazhdojnë të jetojnë me krenari dhe dinjitet.

“Detyra jonë e shenjtë është të këmbëngulim në luftën ligjore dhe të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që të gjithë kriminelët të dalin para drejtësisë. I bëj thirrje popullit tonë për vigjilencë shpirtërore dhe kthim te vlerat e vërteta të fesë sonë, të cilat janë mburoja jonë më e mirë kundër degradimit moral”, tha ai.

Nga varrezat e dëshmorëve në Kozarac ai përsëri bëri thirrje për unitet dhe përgjegjësi. “Le t’i shohim këta gurë të bardhë të varreve dhe të ngrihemi mbi egoizmin dhe grindjet e vogla. Është gabim të besojmë se do të shpëtojmë duke ulur kokën para së keqes”, përfundoi reisul-ulema Kavazoviq.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, në fjalimin e tij në komemoracion tha se nuk duhet të hiqet kurrë dorë nga lufta për të vërtetën dhe drejtësinë, kërkimi për personat e zhdukur dhe ndjekja penale e përgjegjësve për krimet e luftës në Prijedor dhe luginën e lumit Sana.

Organizatorët e komemoracionit kujtuan se kjo datë vazhdon të shënohet zyrtarisht si ditë zie vetëm në territorin e kantonit Una-Sana.

Programi i këtij viti iu kushtua kampit “Tërnopolje”, një nga tre kampet e Prijedorit të krijuara në maj të vitit 1992, nëpër të cilin kaluan mijëra civilë boshnjakë dhe kroatë.

Hulumtuesi i krimeve kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare si dhe punonjësi i Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, Mujo Begiq tha se “Tërnopolje” ishte vend i ndalimit masiv të grave, fëmijëve dhe të moshuarve, por edhe i dëbimeve të detyruara, keqtrajtimit sistematik dhe dhunës seksuale.

“Kampi Tërnopolje u krijua më 26 maj 1992 me vendim të Shtabit të Krizës së atëhershme të komunës serbe të Prijedorit, së bashku me kampet Omarska dhe Keraterm. Nëpër të kaluan rreth 23 mijë boshnjakë dhe kroatë nga rajoni i Prijedorit, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët u mbajtën në kushte nën çdo nivel të dinjitetit njerëzor”, tha Begiq.

Sot gjetën prehjen e fundit Azmir Hajrudin (24), viktima më e re e xhenazes së këtij viti, Hase Omiq (74), Adem Hopovac, Jusuf Jeleçeviq dhe Muhamed Ceriq.

Mbetjet e tyre mortore u gjetën në lokalitete të ndryshme, ndër të cilat Kruhari, Ljubija, Sanski Most dhe Çarakovo. Disa trupa u zhvarrosën që në vitin 1997, ndërsa për identifikimin përfundimtar dhe varrimin u prit pothuajse tri dekada. Në përputhje me dëshirat e familjeve, pas xhenazes së përbashkët në Kamiçani, viktimat do të varrosen në varreza të ndryshme lokale.

Exit mobile version