Ish-oficeri i policisë në Minneapolis, i shpallur fajtor për vrasjen e George Floyd, Derek Chauvin, ka apeluar dënimin e tij, duke thënë ndër të tjera se juria gjatë vendimit ishte e frikësuar nga protestat e vazhdueshme, ndonjëherë të dhunshme dhe e paragjykuar nga publiciteti i tepruar para gjykimit, raportoi Associated Press të enjten.
Derek Chauvin i kërkoi Gjykatës së Apelit të Minesotës të hënën që të anulojë dënimin e tij dhe të urdhërojë një rigjykim.
Qershorin e kaluar, gjykatësi i qarkut Hennepin, Peter Cahill, e dënoi Chauvinin me 22 vjet e gjysmë burg pasi juristët e shpallën fajtor për vrasje të shkallës së dytë nga pakujdesia dhe vrasje të shkallës së tretë.
Floyd vdiq më 25 maj të vitit 2020, pasi Chauvin e mbajti atë në tokë, me gjurin në qafën e tij për 9 minuta e 29 sekonda. Floyd ishte akuzuar se kishte përdorur një kartëmonedhë të falsifikuar prej 20 dollarësh në një dyqan komoditeti.
Në muajt që pasuan vrasjen e Floyd, protestuesit dolën në rrugë në Minneapolis dhe në mbarë vendin për të protestuar kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit. Disa nga ato trazira ishin të dhunshme.
Ndërkohë, avokati Mohrman tha se disa juristë shprehën shqetësime gjatë përzgjedhjes së jurisë se nëse Chauvin lirohej, ata do të kishin frikë për sigurinë e tyre personale dhe do të shqetësoheshin për më shumë dhunë. Ai tha se disa prej tyre treguan se ishin të frikësuar nga masat e sigurisë të zbatuara në gjykatë për të mbrojtur pjesëmarrësit e gjyqit nga protestuesit.
Apeli erdhi pasi Departamenti i të Drejtave të Njeriut në Minesotë publikoi rezultatet e një hetimi gati dy-vjeçar të nisur pas vrasjes së Floyd. Sipas këtij hetimi, Departamenti i Policisë së Minneapolis është përfshirë në një model të diskriminimit racor për të paktën një dekadë, duke përfshirë ndalimin dhe arrestimin e njerëzve me ngjyrë në një shkallë më të lartë se të bardhët, duke përdorur forcën më shpesh ndaj njerëzve me ngjyrë dhe duke ruajtur një kulturë ku gjuha raciste tolerohet. /koha
