Ballina Jeta Shëndetësi Cigarët elektronikë mbartin rreziqe për shëndetin, alarmon Agjencia Franceze e Ushqimit

Cigarët elektronikë mbartin rreziqe për shëndetin, alarmon Agjencia Franceze e Ushqimit

Agjencia Franceze për Ushqimin, Mjedisin dhe Shëndetin në Punë (ANSES) njoftoi sot se cigarët elektronikë lidhen me rreziqe potenciale shëndetësore afatmesme dhe afatgjata, përfshirë pasoja kardiovaskulare, respiratore dhe kancerogjene, megjithëse pranon potencialin e tyre si mjet i përkohshëm për lënien e duhanit.

Pas analizimit të rreth 3.000 studimeve dhe raporteve shkencore, ANSES konkludon se rreziqet për shëndetin lidhen me thithjen e substancave toksike, të pranishme në lëngjet e cigareve elektronike ose të krijuara gjatë procesit të avullimit dhe thithjes.

Sipas agjencisë, cigarët elektronikë me nikotinë mund të shkaktojnë efekte kardiovaskulare, si rritje të tensionit të gjakut, ndërsa rreziku i efekteve respiratore dhe kancerogjene ekziston edhe te produktet pa nikotinë.

ANSES thekson se përdoruesit duhet të jenë më mirë të informuar për rreziqet shëndetësore, ndërkohë që është e nevojshme të dekurajohen jo-duhanpirësit dhe të rinjtë që të mos fillojnë përdorimin e cigareve elektronike.

Agjencia përfundon se këto produkte mund të konsiderohen si një opsion kalimtar në kuadër të programeve për lënien e duhanit, por ky përdorim duhet të jetë i kufizuar në kohë.

Sipas Barometrit të Shëndetit Publik të Francës për vitin 2024, rreth tre milionë persona në vend përdorin cigare elektronike.

Exit mobile version