Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare u rritën ndjeshëm të hënën, duke iu afruar 120 dollarëve për fuçi, ndërsa përshkallëzimi i luftës me Iranin po kërcënon prodhimin dhe transportin e energjisë në Lindjen e Mesme dhe po trondit tregjet financiare.
Çmimi i naftës së tipit Brent crude, standardi ndërkombëtar i tregut, u rrit deri në 119.50 dollarë për fuçi, para se të binte pak më vonë në rreth 112.98 dollarë. Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate arriti në 119.48 dollarë për fuçi dhe më pas ra në rreth 110.17 dollarë.
Sipas firmës së pavarur të kërkimeve energjetike Rystad Energy, rreth 15 milionë fuçi naftë – afërsisht 20 për qind e naftës botërore – transportohen çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Kërcënimi nga sulmet me raketa dhe dronë nga Irani ka bërë që shumë cisterna nafte të ndalojnë kalimin në këtë ngushticë strategjike, e cila kufizohet në veri nga Irani dhe shërben për transportimin e naftës dhe gazit nga Arabia Saudite, Kuvajti, Iraku, Katari, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vetë Irani.
Për shkak të vështirësive në eksport, disa vende prodhuese si Iraku, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ulur prodhimin e naftës pasi rezervuarët e magazinimit po mbushen.
Ndërkohë, që nga fillimi i luftës, objektet e naftës dhe gazit janë goditur nga sulme të ndërmarra nga Irani, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, duke shtuar shqetësimet për furnizimin global me energji. /mesazhi
