Ballina Lajmet Kosovë Dekreti për zgjedhjet ende i panënshkruar, Presidenca në pritje të Kushtetueses

Dekreti për zgjedhjet ende i panënshkruar, Presidenca në pritje të Kushtetueses

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ende nuk e ka nënshkruar dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Për Tëvë1 nga Presidenca thonë se presidentja ka informuar edhe partitë politike gjatë takimit konsultativ se është në pritje të një qëndrimi nga Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, ka bërë të ditur se nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret një vendim të tillë.

Ai ka theksuar se një masë e përkohshme nuk paragjykon në asnjë moment vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese sa i përket kushtetutshmërisë së dekretit për zgjedhjet.

“Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse, siç i ka njoftuar edhe partitë në takimin konsultativ, ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha ai.

Ndërkohë që procesi për zgjedhjen e presidentit ka mbetur i bllokuar pas ndërprerjes së seancës së 5 marsit për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita braktisi sallën. Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidatë, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, por opozita i konsideroi të papranueshëm dhe kërkoi një figurë konsensuale. Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka nisur konsultime për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, çështje që tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Exit mobile version