Edhe pse demenca shoqërohet më shpesh me pleqërinë, rrënjët e saj mund të shkojnë thellë në të kaluarën.
Ekspertët theksojnë se disa faktorë rreziku shfaqen para se të lindim, ndërsa të tjerë zhvillohen gjatë adoleshencës dhe moshës së re, gjë që hap mundësi të reja për parandalim të hershëm, shkruan ScienceAlert.
Hulumtimet e mëparshme janë marrë kryesisht me faktorët e rrezikut të modifikueshëm në jetën e mëvonshme, por ndryshimi i këtyre zakoneve pasi neurodegjenerimi ka filluar tashmë nuk jep rezultate të rëndësishme.
Një studim i kryer në vitin 2023 në Suedi dhe Çeki identifikoi disa faktorë në lindje të lidhur me një rrezik pak më të rritur të demencës më vonë në jetë. Ndërsa disa janë përtej kontrollit tonë, siç është ndarja e një mitre me një binjak, të tjerat është sikurse të kesh një interval më të shkurtër lindjeje ose të mbetesh shtatzënë pas moshës 35-vjeç, mund të ndikojnë në vendimet e prindërve, raporton KosovaPress.
Ka gjithnjë e më shumë prova që mbështesin këtë tezë. “A mund të shtrihen rrënjët e demencës deri në fëmijëri apo foshnjëri? Një numër gjithnjë e në rritje provash sugjerojnë se po, dhe se ekspozimi ndaj faktorëve të rrezikut në dekadën e parë të jetës mund të ketë implikime gjatë gjithë jetës për rrezikun e demencës”, shpjegoi ekipi i ekspertëve në një artikull për Conversation.
Ata theksojnë se shumica e hulumtimeve janë përqendruar në rënien njohëse në moshën e shtyrë, por shumë nga ndryshimet në strukturën dhe funksionin e trurit të shoqëruara me demencën mund të kenë ekzistuar që nga fëmijëria. Për shembull, studimet afatgjata tregojnë se aftësia njohëse e një personi në moshën 70 vjeç është e lidhur fort me aftësinë e tyre njohëse në moshën 11-vjeç.
“Domethënë, të rriturit më të moshuar me aftësi njohëse më të dobëta shpesh kishin këto aftësi më të ulëta që nga fëmijëria, në vend që ndryshimet të ishin vetëm për shkak të rënies më të shpejtë në moshën e shtyrë”, deklarojnë autorët.
Një studim tjetër, i botuar në fund të vitit 2024, shqyrtoi faktorët e rrezikut te të rriturit e rinj të moshës 18 deri në 39-vjeç. Një ekip i udhëhequr nga Instituti Global i Shëndetit të Trurit (GBHI) nga Irlanda mblodhi ekspertë nga 15 vende për të zhvilluar një plan të përjetshëm për të përmirësuar shëndetin e trurit.
“Mosha e re përfaqëson një dritare kyçe për ndërhyrje që mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e demencës më vonë në jetë,” tha Francesca Farina, neuroshkencëtare në GBHI.
Hulumtuesit kanë identifikuar disa grupe rreziku. Disa janë të lidhura me stilin e jetës, siç janë konsumi i tepërt i alkoolit, pirja e duhanit, mungesa e aktivitetit fizik dhe izolimi social. Të tjerat janë mjedisore, siç janë ekspozimi ndaj ndotjes, dëmtimi traumatik i trurit, humbja e dëgjimit ose shikimit dhe nivelet më të ulëta të arsimit. Një grup i tretë përfshin probleme shëndetësore si mbipesha, diabeti, hipertensioni, kolesteroli i lartë LDL dhe depresioni, të cilat shpesh rrjedhin nga zakonet e stilit të jetës.
Në nivel individual, rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit të trurit përmes fushatave të shëndetit publik dhe edukimit në shkolla është thelbësore. Kjo mund të financohet duke taksuar substancat që dëmtojnë shëndetin e trurit, siç janë alkooli dhe cigaret.
Ekspertët paralajmërojnë se lista e faktorëve të rrezikut nuk është shteruese. Nevojiten kërkime shtesë mbi ndikimin e ushqimeve ultra të përpunuara, kohës para ekranit, stresit dhe ekspozimit ndaj mikroplastikës. Hulumtimi u botua në revistën “Lancet: Healthy Longevity.”
