Ballina Jeta Shëndetësi Dermatologët: Produktet kozmetike mund të kenë pasoja serioze për shëndetin

Dermatologët: Produktet kozmetike mund të kenë pasoja serioze për shëndetin

Shqetësimi lidhet me produktet e bukurisë disa prej tyre përmbajnë substanca të ndaluara në vendet evropiane, që mund të jenë të dëmshme për shëndetin. Njëra prej tyre është TPO-ja, e pranishme në disa xhele për thonj, që mbetet pa kontroll në tregun e Kosovës.

Përtej mundit për ndërgjegjësimin e grave për kancerin e gjirit, përgjatë muajit tetor, një çështje tjetër po ngre shqetësim: produktet estetike që mund të kenë pasoja serioze për shëndetin. Nga 1 shtatori, në shtetet e Bashkimit Evropian dhe në Zvicër është ndaluar përdorimi i një lloji të caktuar të xhelit për thonj, të njohur si ‘gjysmë të përhershëm’. Arsyeja: përmbajtja e një substance të quajtur TPO, e cila është klasifikuar si kancerogjene.

Në sallonet estetike të vendit, ky lajm ka shkaktuar reagime të ndryshme.

 “E kemi brendin evropian dhe ne jemi njoftuar shumë më herët për këtë lajm në maj të 2025-tës dhe se brendi ynë i ka tërhequr nga tregu të gjitha produktet me TPO dhe tani i kemi pa TPO dhe kam informuar klinetët që i kemi produket pa TPO“, tha Dafina Efendiu Saraçi, eseiste.

Sallonet e estetikës, që nuk dihet sa janë nëpër Kosovë, shpesh operojnë me produkte të ndryshme që nuk i dihet as prejardhja. Pavarësisht se klientët mundohen të jenë të kujdesshëm ka pasur raste kur kanë përfunduar me pasoja.

Por çfarë është në të vërtetë TPO-ja dhe pse është e rrezikshme?

Sipas dermatologëve, efektet e këtij produkti, ndonëse nuk janë të menjëhershme, mund të ndikojnë seriozisht në shëndetin e grave në afat të gjatë.

Shkëndije Dobruna, dermatologe tha se“TPO është një substancë e cila është fotoinicuese, që do të thotë, ajo e shpejton ngjizjen, trashjen apo fiksimin e gellit për thonjtë, nën ndikimin e rrezeve UV të cilat përdoren te stilistet. Do të thotë, e shpejton tharjen”.

“Është dëshmu dhe është vërtetu natyrisht në shtetet perëndimore se kjo TPO-ja është toksinë dhe si tokësinë kjo edhe avullohet por edhe resorbohet dhe në atë mënyrë si toksinë, është dëshmu se është e dëmshme për qelizat repreduktive te femrat. Si për femrat për femrat të cilës do moshë, moshave nën 18 vjeçare si dhe femrat që janë shtatëzane” , shtoi ajo

Ndërkohë që Bashkimi Evropian ka ndaluar produktet me TPO, në Kosovë ende nuk ekziston një institucion që merr përgjegjësinë për mbikëqyrjen e tyre. Për më shumë se një muaj, institucionet kompetente hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës.

Ministria e Shëndetësisë hedh përgjegjësinë tek Inspektoratit të Tregut. Inspektorati i Tregut thotë se për këtë kompetencë ka Inspektorati Farmaceutik dhe ai Sanitar, Inspektorati Farmaceutik nënvizon se i mbikëqyr vetëm produktet medicinale të regjistruara në Agjencinë e Produkteve Medicinale, ndërkohë që produktet kozmetike nuk janë në këtë grup.

Ministria e Shëndetësisë thekson “Lidhur me pyetjet e ngritura nga ana juaj, ju lutemi që për përgjigje t’i drejtoheni Inspektoratit të Tregut, pasi që aktualisht monitorimi i këtij lloji të produkteve bëhet nga ky institucion”.

Inspektorati i Tregut thotë se “Produktet e kozmetikës nuk janë nën mandatin mbikëqyrës të Inspektoratit të Tregut. Për këto produkte kompetencë ka Inspektorati Farmaceutik dhe ai Sanitar”.

Kurse Inspektorati Farmaceutik pohon se “Inspektorati Farmaceutik mbikëqyr vetëm produktet medicinale të regjistruara në AKPPM. Produktet kozmetike nuk hyjnë në këtë mandat. Këtë fushë pritet ta mbikëqyrë Inspektorati i Kozmetikës, i cili për momentin ende nuk është funksional”.

Inspektorati Farmaceutik na orienton tek Inspektorati i Kozmetikës, i cili nuk është nuk është funksional.

E në mungesë të mbikëqyrjes institucionale, produktet kozmetike që përmbajnë TPO mund të qarkullojnë ende lirshëm në tregun e Kosovës. Për rrjedhojë, mbetet vetë ndërgjegjësimi i klientëve dhe përgjegjësia e bizneseve që të sigurojnë se produktet që përdorin janë të sigurta për shëndetin.

Exit mobile version