Diferenca midis Agjërimit dhe Abstenimit
Përtej formës, drejt thelbit shpirtëror.
Dallimi midis abstenimit dhe agjërimit është një metodologji që na ndihmon të rrisim cilësinë e agjërimit. Synimi kryesor është kalimi nga një agjërim thjesht mekanik (bazë) në një përvojë transformuese që integron dimensionin fizik, psikologjik dhe shpirtëror të njeriut.
Shpeshherë agjërimi reduktohet në: mosngrënie, mospirje dhe përmbajtje nga marrëdhëniet intime. Ky është niveli i jashtëm juridik. Por forma nuk është qëllim në vetvete; ajo është mjet për arritjen e një realiteti më të thellë.
Abstenimi do të thotë përmbajtje:
– përmbajtje nga ushqimi,
– nga pija,
– nga marrëdhëniet intime.
Edhe kalendarët që tregojnë kohën e ndalimit të ngrënies quhen “imsakije” orari i përmbajtjes. Pra, imsak është kufiri formal, ndalesa fizike.
Por a mjafton kjo për ta quajtur agjërim?
Nëse një njeri vetëm nuk ha dhe nuk pi, ai ka realizuar një përmbajtje trupore. Por agjërimi është një veprim më i thellë. Është gjendje shpirtërore. Është lidhje me Allahun e Madhëruar.
Ashtu si namazi nuk është thjesht heshtje apo mosveprim fizik, por akt adhurimi dhe lidhjeje, edhe agjërimi nuk është vetëm mosngrënie. Në namaz njeriu nuk ha, nuk pi dhe nuk flet me askënd, sepse është në një gjendje të veçantë adhurimi. Por nëse dikush vetëm nuk ha dhe nuk flet, kjo nuk do të thotë se është falur.
Po kështu, nëse dikush vetëm nuk ha dhe nuk pi, kjo nuk do të thotë se ka arritur thelbin e agjërimit.
Abstenimi është hyrje.
Agjërimi është destinacion.
Abstenimi është dera.
Agjërimi është shtëpia.
Abstenimi është pastrimi i jashtëm.
Agjërimi është pastrimi i brendshëm.
Agjërimi i vërtetë është:
– lidhje e lartë me Allahun,
– madhërim i thellë i Zotit që na udhëzoi,
– ngritje mbi tokësoren,
– abstenim nga ushqimi i tokës për hir të Atij që krijoi tokën.
Në këtë kuptim, agjërimi nuk është boshatisje e stomakut, por mbushje e zemrës.
Ai që ndalon vetëm ushqimin, ka bërë imsak.
Ai që ndalon egon, zemërimin, gjuhën dhe mendimin e keq, ai ka bërë agjërim.
Forma është e nevojshme, por nuk është e mjaftueshme.
Në këtë dallim qëndron thelbi:
jo çdo përmbajtje është agjërim, por çdo agjërim fillon me përmbajtje.
Hoxhë Halil Avdulli
