Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Divorci i bujshëm që kushton 2.1 miliardë dollarë!

Divorci i bujshëm që kushton 2.1 miliardë dollarë!

Beteja ligjore e oligarkut rus Vladimir Potanin me ish-bashkëshorten

Oligarku rus Vladimir Potanin ka kundërshtuar në Gjykatën e Lartë të Londrës kërkesën e ish-bashkëshortes Natalia për një dëmshpërblim prej 2.1 miliardë paundësh, duke vënë në pikëpyetje si shumën e kërkuar, ashtu edhe rrëfimin e saj për përfundimin e martesës.

65-vjeçari, drejtues i gjigantit minerar Norilsk Nickel, i ka cilësuar të pabazuara deklaratat e ish-bashkëshortes lidhur me jetën e tyre intime.

Përplasja

Gjatë dëshmisë së tij nëpërmjet një përkthyesi, siç raporton gazeta The Telegraph, Potanin mohoi pretendimin se kishte vazhduar të kryente marrëdhënie seksuale deri në tri herë në javë për gjashtë vjet pas vitit 2007.

Biznesmeni këmbëngul se ndarja faktike e çiftit kishte ndodhur që në vitin 2007, shumë përpara divorcit zyrtar, i cili u finalizua në Rusi në vitin 2014. Nga ana tjetër, ish-bashkëshortja e tij pretendon se marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2013.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të saj, Potanin ka përdorur edhe ironi, duke deklaruar se Natalia “ka shumë të ngjarë t’i ekzagjerojë aftësitë e mia seksuale”.

Divorci rekord

Procesi gjyqësor, i nisur në Londër në vitin 2018, pasi Natalia Potanina kishte fituar të drejtën e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2017, konsiderohet si çështja më e kushtueshme e divorcit në historinë e drejtësisë angleze.

Sipas të dhënave të publikuara nga agjencia Reuters, avokatët e Natalia-s argumentojnë se gjykatat ruse i kanë njohur asaj më pak se 1 për qind të pasurisë së krijuar gjatë martesës, e cila kishte nisur në vitin 1983.

Për të ruajtur standardin e jetesës që kishte gjatë martesës, mes jahteve, rezidencave luksoze dhe shpenzimeve marramendëse, Natalia kërkon 2.1 miliardë paund.

Ndër shpenzimet e përmendura është edhe një koncert privat i këngëtarit George Michael, për të cilin në vitin 2006 u paguan 1.7 milionë paund.

Si alternativë, ajo kërkon të paktën 600 milionë paund, shumë që përfshin 172 milionë paund për prona të paluajtshme në Britani dhe një pagesë vjetore prej 12.3 milionë paundësh.

Pasuria e oligarkut

Potanin, i cili deklaron të ardhura vjetore prej 42.2 milionë paundësh, ka ofruar vetëm 25 milionë paund, duke e konsideruar të tepruar kërkesën e ish-bashkëshortes.

Avokati i tij, Lord Faulks, ka këmbëngulur se Natalia është larguar nga divorci në Rusi me një pasuri të konsiderueshme dhe se një vendim i gjykatës angleze do të ishte gjithsesi i vështirë për t’u zbatuar.

Që prej vitit 2022, oligarku është subjekt i sanksioneve të vendosura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të lidhjeve të tij me Kremlinin. Këto masa përbëjnë një pengesë për transferimin e shumave të mëdha të kapitalit nga Rusia.

Kështu, përtej shifrave marramendëse, beteja gjyqësore mes ish-bashkëshortëve vazhdon të mbetet një nga çështjet më të bujshme dhe më të kushtueshme të divorcit në arenën ndërkombëtare. /tesheshi

Exit mobile version