Ballina Sport Futboll Drita e mbron titullin e kampiones së Kosovës në futboll

Drita e mbron titullin e kampiones së Kosovës në futboll

Drita e ka mbrojtur titullin në Superligën e Kosovës në futboll.

Të shtunën në terrenin me bar sintetik në Gjilan, Drita fitoi 2:0 ndaj Ballkanit dhe e siguroi titullin e pestë në histori të klubit, tri xhiro pa u mbyllur kampionati. Golat e fitores i shënuan Besnik Krasniqi dhe Abdoul Karim Dante.

Ballkani ishte në garë të fortë me Dritën deri para disa xhirove. Por, disfata në xhiron e kaluar nga Llapi në Suharekë dhe fitorja e Dritës ndaj Prishtinës së Re, e bëri diferencën e madhe.

Drita e fitoi titullin me 66 pikë, me 11 më shumë se Ballkani i pozitës së dytë.

Drita titullin e parë e fitoi në edicionin 2002/03. Më pas triumfoi edhe në edicionet 2017/18, 2019/20 dhe 2024/25.

Titullin e pestë në Superligën e Kosovës e fitoi edhe trajneri Zekirija Ramadani. Ai ka triumfuar më herët me Trepçën ’89, Feronikelin, Prishtinën dhe dy here me Dritën.

Drita dhe Ballkani i kanë dominuar pesë edicionet e fundit në elitën e futbollit kosovar.

Suharekasit e fituan tri herë rresht titullin në Superligën e Kosovës, në edicionet 2021/22, 2022/23 dhe 2023/24. Më pas, dy tituj rresht i fitoi edhe Drita.

Drita do të garojë në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve si kampione.

Exit mobile version