Në heshtjen e “Luginës së varreve të bardha” në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës-Potoçari, familjarët e viktimave të gjenocidit të vitit 1995 vizituan varret e të afërmve të tyre para varrimit kolektiv të dhjetë viktimave të identifikuara.
Me duart mbi gurët e bardhë të varreve, nënat, bashkëshortet, vajzat dhe nipërit e viktimave kujtuan të dashurit e tyre, duke bërë lutje dhe duke lënë lule. Potoçari mbetet dëshmi e një dhimbjeje që nuk është zbehur edhe pas tri dekadash.
Sot në Qendrën Përkujtimore do të kryhet ceremonia e varrimit kolektiv, ku eshtrat e dhjetë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë do të gjejnë prehjen e fundit pas vitesh kërkimesh dhe identifikimesh.
Viktimat që do të varrosen këtë vit ishin nga mosha 20 deri në 56 vjeç. Ndër ta janë edhe tre të rinj që ishin në të njëzetat kur u vranë, ndërsa eshtrat e tyre u gjetën vite më vonë në varreza masive në zona si Kamenica, Jelovaçka Çeshma, Budak dhe Glogova.
Viktima më e re është Senad Jusiç, i lindur në vitin 1975, i cili ishte vetëm 20 vjeç kur u vra. Viktima më e vjetër është Ramo Dautoviç, i lindur në vitin 1939, i cili do të varroset pranë vëllait të tij të varrosur më parë.
Qendra Përkujtimore e Srebrenicës-Potoçari deri tani ka varrosur 6.772 viktima të gjenocidit, ndërsa 250 të tjera janë varrosur në varreza lokale sipas kërkesës së familjeve.
Pas rënies së Srebrenicës më 11 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë në ekzekutime masive. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2007 e cilësoi masakrën e Srebrenicës si gjenocid.