Ballina Artikuj Dy thënie që zbulojnë një krizë të heshtur të njeriut modern

Dy thënie që zbulojnë një krizë të heshtur të njeriut modern

Hoxhë Halil Avdulli

Imam Aliu thotë:
“Mos lejo që padituria e njerëzve për ty ta mundë dijen tënde për veten.”
Sufjan Theuriu thotë:
“Nëse e njeh veten, nuk të dëmton ajo që thuhet për ty.”
Këto dy thënie nuk janë thjesht këshilla morale, por janë një diagnozë e thellë e krizës së identitetit:
kriza që lind kur njeriu e humb veten në pasqyrat e të tjerëve.
Shumë njerëz nuk vuajnë sepse nuk e njohin vetveten, por sepse e kanë dorëzuar të drejtën e definimit të vetes tek gjykimet e njerëzve. Dhe kur njeriu fillon të jetojë me “sy të huaj”, ai nuk e ndërton më personalitetin e tij, por e ndërton një figurë për t’u pranuar.
Në psikologji kjo njihet si “vetja e reflektuar”: ta shohësh veten sipas mënyrës si të shohin të tjerët. Por filozofikisht, kjo është një formë e humbjes së qenies:
të mos jesh më “ti”, por interpretimi i tyre për ty.
Çlirimi nis atëherë kur njeriu e kupton se vlera e tij nuk është diçka që vendoset nga jashtë, por është një vetëdije që ndërtohet nga brenda.
Sepse kritika mund të jetë mendim, por nuk është e vërtetë absolute; është zë, por jo domosdoshmërisht realitet.
Dhe kur njeriu e njeh veten, fjalët e njerëzve mbeten vetëm fjalë… jo pasqyra ku ai kërkon të shohë identitetin e tij.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version