Me të vërtetë, një prej Emrave më të Bukur të Allahut është “El-‘Adl” (i Drejti). Ky emër nuk ka ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në Kuran, por ka ardhur në hadithin e Emrave të Bukur dhe për të është pajtuar mbarë umeti.
Kuptimi i tij është: i Drejti, domethënë Ai prej të Cilit burojnë veprat e drejtësisë; Ai që është e kundërta e padrejtësisë dhe tiranisë; Ai që nuk ndikohet nga dëshira për të anuar e për të bërë padrejtësi në gjykim. Kur robi beson se Allahu është i Drejti, ai nuk kundërshton vendimet, rregullimin dhe veprimet e Tij, qofshin ato në përputhje me dëshirën e robit apo jo, sepse të gjitha këto janë drejtësi, ashtu siç duhet dhe në mënyrën që duhet.
Drejtësia përshkon të gjitha veprimet dhe gjykimet e Tij; ato janë të drejta, të sakta dhe të vërteta. Ai i ka sqaruar rrugët, ka dërguar të dërguarit, ka zbritur librat, ka hequr arsyet penguese dhe ka mundësuar shkaqet e udhëzimit dhe bindjes përmes dëgjimit, shikimit dhe arsyes, dhe kjo është drejtësia e Tij.
Ai e ka përkrahur kë ka dashur me kujdes të shtuar dhe ka dashur prej Vetes që ta ndihmojë dhe ta pajisë me mirëkuptim, dhe kjo është mirësia e Tij. Ndërsa atij që nuk është i denjë për përkrahjen dhe mirësinë e Tij, ia ka hequr ndihmën, e ka lënë në dorë të vetes së tij dhe nuk ka dashur prej Vetes që ta përkrahë; kështu ia ka ndërprerë mirësinë, por nuk ia ka mohuar drejtësinë.
Banorët e tokës dhe të qiejve janë pajtuar se Allahu i Lartësuar është i Drejtë dhe nuk i bën padrejtësi askujt, madje as armiqve të Tij, idhujtarëve mohues të cilësive të Tij të përsosmërisë. Edhe ata e pranojnë drejtësinë e Tij dhe e pastrojnë Atë nga padrejtësia; aq sa do të hyjnë në zjarr duke e pranuar drejtësinë e Tij, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Atëherë e pranuan fajin e tyre”[1]. Po ashtu thotë: “O xhindë dhe njerëz! A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj, që t’ju rrëfenin shpalljet e Mia dhe t’ju paralajmëronin për takimin e kësaj dite?” Ata thanë: “Dëshmuam kundër vetes sonë.” Jeta e kësaj bote i mashtroi dhe ata dëshmuan kundër vetes se ishin jobesimtarë”[2].
Ai e ka ndaluar padrejtësinë për Veten e Tij dhe ka treguar se nuk i shkatërron vendbanimet padrejtësisht, ndërkohë që banorët e tyre janë të pavetëdijshëm
Të gjitha veprimet e Allahut rrjedhin sipas parimeve të drejtësisë dhe drejtësisë së plotë; në to nuk ka asnjë grimcë padrejtësie. Ato janë gjithnjë ndërmjet mirësisë dhe mëshirës, ose ndërmjet drejtësisë dhe urtësisë. Çfarëdo shkatërrimi, poshtërimi apo dënimi që Allahu ua sjell në këtë botë mëkatarëve dhe përgënjeshtruesve, si dhe çfarëdo dënimi poshtërues që ka përgatitur për ta në botën tjetër, është pikërisht ajo që ata e meritojnë. Ai nuk ndëshkon veçse për shkak të mëkatit dhe nuk dënon pa u ngritur më parë argumenti. Fjalët e Tij janë të gjitha drejtësi: Ai nuk urdhëron veçse për atë që ka dobi të pastër ose mbizotëruese dhe nuk ndalon veçse atë që ka dëm të pastër ose mbizotëruese. Po kështu, gjykimi i Tij mes robërve Ditën e Gjykimit dhe peshimi i veprave të tyre është pa asnjë padrejtësi, siç thotë Allahu:
“Ne do të vendosim peshoret e drejta për Ditën e Kijametit dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi aspak; edhe nëse është sa pesha e një kokrre mustarde, Ne do ta sjellim atë, dhe Ne mjaftojmë si llogaritës”[3] .
Ai është në rrugë të drejtë në fjalën, veprën dhe gjykimin e Tij.
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “I drejtë është gjykimi Yt ndaj meje.” Pra, Allahu është i drejtë në të gjitha gjykimet e Tij për robin: në caktimin e Tij paraprak para se ta krijojë, në gjykimin e Tij gjatë jetës së tij, në gjykimin pas vdekjes dhe në gjykimin Ditën e kthimit.
Allahu i Lartësuar, në gjuhën e profetit Hud (a.s.), thotë: “Unë jam mbështetur te Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. Nuk ka asnjë gjallesë që Ai të mos e ketë nën pushtetin e Tij; vërtet Zoti im është në rrugë të drejtë”[4]
Kështu Ai ka njoftuar për gjithëpërfshirjen e fuqisë së Tij, për zbatimin e vullnetit dhe sundimin e Tij mbi krijesat, dhe njëkohësisht ka treguar se ky sundim dhe ky gjykim janë mbi rrugë të drejtë.
Allahu urdhëron drejtësinë dhe e zbaton atë; Ai është më i drejti i të drejtëve. Çdo gjykim që Ai jep për robin e Tij është pikërisht në vendin që i takon, sepse Ai është Gjykatësi i drejtë, i Vetëmjaftueshmi, i Falënderuari.
Allahu është i Vetmi që shpërblen dhe ndëshkon me drejtësi; Sheriati, caktimi hyjnor, krijimi, urdhri, shpërblimi dhe ndëshkimi, të gjitha qëndrojnë mbi drejtësinë: “Fjala e Zotit tënd u plotësua në të vërtetë dhe në drejtësi”[5].
Drejtësia përfshin vendosjen e çdo gjëje në vendin e saj dhe dhënien e çdo gjëje pozitën që i takon. Ai nuk veçon asgjë veçse për një shkak që e kërkon këtë; nuk ndëshkon kë nuk e meriton ndëshkimin dhe nuk e privon nga dhurata atë që e meriton, edhe pse është Ai Vetë që e ka bërë të denjë për të.
Allahu bën çfarë dëshiron dhe gjykimi i Tij zbatohet mbi robërit sipas rrugës së drejtë: “Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt”[6] . Ky mohim është për të vërtetuar përsosmërinë e së kundërtës, pra drejtësisë së plotë. “Allahu nuk i bën padrejtësi as sa pesha e një grimce”[7]. “Allahu nuk u bën padrejtësi njerëzve aspak”[8].
Në dy Sahihët transmetohet nga Ebu Musa el-Esh‘ariu (r.a) se Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu ia shtyn afatin zullumqarit, por kur ta kapë, nuk e lëshon më”, pastaj lexoi: “Kështu është ndëshkimi i Zotit tënd kur ndëshkon vendbanimet ndërsa ato janë zullumqare; ndëshkimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër”[9].
“Allahu i shkatërroi ato vendbanime kur bënë padrejtësi dhe caktoi për shkatërrimin e tyre një afat”[10] .
Për banorët e së shtunës thotë: “Kur harruan atë me ç’ka u këshilluan, Ne i shpëtuam ata që ndalonin të keqen dhe i ndëshkuam ata që bënë padrejtësi me një dënim të ashpër për shkak të shthurjes së tyre”[11].
Allahu nuk u bën padrejtësi njerëzve në këtë botë, por i merr në llogari për padrejtësinë e tyre; dhe as në botën tjetër nuk u bën padrejtësi. “Sot askujt nuk i bëhet padrejtësi aspak dhe nuk shpërbleheni veçse për atë që keni vepruar”[12]. “Pastaj çdo shpirt do të shpërblehet për atë që ka fituar dhe ata nuk do të pësojnë padrejtësi”[13].
I Dërguari i Allahut (r.a) transmeton se Allahu ka thënë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes Sime dhe e kam bërë të ndaluar ndërmjet jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.”
Në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, urdhri hyjnor ka ardhur për ta kërkuar drejtësinë: “Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe dhënien ndaj të afërmve, dhe ndalon nga shthurja, e keqja dhe padrejtësia”[14]
Të gjitha tekstet kuranore dhe profetike që flasin për ndalimin e padrejtësisë dhe pastrimin e Allahut prej saj, dëshmojnë për përsosmërinë e drejtësisë, urtësisë dhe vetëpërmbajtjes së Tij, si dhe për vendosjen e shpërblimit dhe ndëshkimit në vendin e duhur.
Poeti ka thënë:
Drejtësia është cilësi e Tij në veprim, në fjalë dhe në gjykim në peshore;
Në rrugë të drejtë është Zoti ynë, në fjalë e në vepër, kështu dëshmon Kurani.
Një nga manifestimet më të mëdha të drejtësisë së Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër është ligji i shpërblimit sipas llojit të veprës. Tekstet për këtë kuptim janë të shumta; ky është Sheriati i Allahut, caktimi i Tij, shpallja e Tij, shpërblimi dhe ndëshkimi i Tij – të gjitha të ndërtuara mbi këtë parim.
Autor: Ali Muhamed Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Mulk: 11.
[2] – Sure En’am: 130.
[3] – Sure Enbija: 47.
[4] – Sure Hud: 56.
[5] – Sure En’am: 115.
[6] – Sure Kehf: 49.
[7] – Sure Nisa: 40.
[8] – Sure Junus: 44.
[9] – Sure Hud: 102.
[10] – Sure Kehf: 59.
[11] – Sure A’raf: 165.
[12] – Sure Jasin: 54.
[13] – Sure Bekare: 281.
[14] – Sure Nahl: 90.
