Ballina Jeta Shëndetësi Edhe pse jo e thjeshtë, shkenca thotë lëreni duhanin!

Edhe pse jo e thjeshtë, shkenca thotë lëreni duhanin!

Lënia e cigares është e mirë për shëndetin tuaj. Kushdo që është përpjekur të lërë duhanin do t’ju tregojë se sa e vështirë është, shkruan në një artikull Fred Schwaller për DW.

Gjithmonë ekziston tundimi për të ndarë një cigare me një mik për një birrë ose për të shpëtuar nga puna për një “smoko” të shpejtë, siç thonë në Australi.

Studimet sugjerojnë se 60-75% e personave i rikthehen pirjes së duhanit në gjashtë muajt e pare, pas përpjekjes për ta lënë atë.

Ashtu si me format e tjera të varësisë, lënia e cigares është një betejë e vështirë psikologjike.

Ngjarjet sociale, depresioni ose zakonet e thjeshta të përditshme mund t’ju bëjnë të dëshironi një cigare.

Por, përfitimet shëndetësore të abstinencës afatgjatë janë të mëdha.

Rreziqet e goditjes në tru, sëmundjet koronare të zemrës, kanceret dhe shëndeti në përgjithësi, përmirësohen ndjeshëm brenda disa javësh ose muajsh pas lënies së duhanit.

Pirja e duhanit është një nga vrasësit më të mëdhenj, me rreth 14% të vdekjeve në mbarë botën, që i atribuohen sëmundjeve të lidhura me duhanin, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2019.

Shumë prej këtyre vdekjeve i atribuohen rritjes së normave të pirjes së duhanit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Studimet më të fundit tregojnë se kjo është një tendencë e vazhdueshme.

“Pirja e duhanit është një barrë masive globale për shëndetin. Do të ketë një miliardë vdekje globalisht në këtë shekull nga sëmundjet e lidhura me duhanin nëse nuk ulim normat e duhanpirjes”, tha Hazel Cheeseman, zëvendësshefi ekzekutiv i “Action on Smoking and Health” (ASH), një organizatë bamirëse për shëndetin publik me qendër në Britaninë e Madhe.

Pse cigaret krijojnë varësi?

Kur pini një cigare, duhani i djegur lëshon nikotinë, e cila hyn në gjak përmes mushkërive.

Nikotina pompohet në tru, ku aktivizon receptorët në sipërfaqen e neuroneve të quajtur receptorët nikotinë të acetilkolinës.

Aktivizimi i këtyre receptorëve shkakton lirimin e kimikateve në tru, neurotransmetues, të tillë si dopamina.

Lëshimi i dopaminës nuk shkakton domosdoshmërisht varësi.

Por, kur ajo vepron në një pjesë specifike të trurit, ku qëndron i ashtuquajturi sistemi ynë i shpërblimit, mund të shkaktojë varësi. Kjo pjesë e trurit quhet qark mezokortikolimbik.

Kjo është mënyra se si funksionon varësia, kur nikotina shkakton çlirimin e dopaminës në sistemin e shpërblimit, ajo shkakton një ndjenjë kënaqësie.

Çdo cigare që pini e përforcon këtë ndjenjë, duke ju bërë të keni dëshirë për cigare dhe në fund të bëheni të varur prej tyre.

Pra, kur duam të lëmë duhanin, duhet ta thyejmë këtë lidhje mes cigares dhe ndjenjës së kënaqësisë. Është e vështirë. Do t’ju duhet ndihmë për ta bërë atë të funksionojë për një afat të gjatë. Por, është e mundur.

Ndërhyrjet për të lënë duhanin

Ekzistojnë dy metoda kryesore për të thyer lidhjen psikologjike me cigaren, vullneti dhe vetëdisiplina.

Gjithashtu, ju mund të përdorni terapi për të përmbushur dëshirat për nikotinë, por pa problemet shëndetësore që lidhen me pirjen aktive të duhanit.

Për terapitë, ekzistojnë tri lloje. Së pari, ka terapi zëvendësuese të nikotinës, të tilla si çamçakëzi ose inhalatorët që lëshojnë ngadalë nikotinën, duke ndalur dëshirën për të pirë duhan. Nikotina në vetvete nuk është e dëmshme, por tymi që thithni nga cigaret është i dëmshëm.

Gjithashtu, ka medikamente, si vareniklina dhe bupropion.

Vareniklina nxit çlirimin e dopaminës në rrugën drejt kënaqësisë, duke imituar kënaqësinë e pirjes së duhanit dhe duke reduktuar simptomat e tërheqjes nga ndalimi i duhanit.

Bupropion punon në një mënyrë të ngjashme, por nëpërmjet një sistemi të ndryshëm neurotransmetues të njohur si GABA, neurotransmetuesi kryesor që zbut aktivitetin e trurit.

“Megjithëse medikamentet janë një trajtim më i shtrenjtë, ato janë jashtëzakonisht të efektshme, lidhur me ndikimin e pirjes së duhanit në shëndet dhe në sistemet shëndetësore”, tha Cheeseman.

Cigaret elektronike – të mira apo të dëmshme?

Cigaret elektronike kanë një reputacion të çuditshëm kur bëhet fjalë për të lënë duhanin. A janë ato të sigurta?

“Ekzistojnë prova të mira që e-cigaret mund t’ju ndihmojnë të ndaloni pirjen e duhanit. Por, ato janë një produkt jo i licensuar nga ana mjekësore, kështu që ato nuk administrohen si ilaç”, tha Cheeseman.

Ajo tha se cigaret elektronike janë të sigurta në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, ose, të paktën, më pak të dëmshme se cigaret konvencionale.

Por, ajo shtoi se nuk ka gjasa që këto lloj produktesh të jenë pa rrezik në afat të gjatë.

Një shqetësim tjetër është se cigaret elektronike mund të krijojnë varësi të reja ose të veprojnë si një portë për pirjen e duhanit.

Është veçanërisht shqetësuese tek të rinjtë, pasi disa prova kanë sugjeruar se adoleshentët që i pijnë këto, kanë më shumë gjasa të pinë duhan në të ardhmen.

Provoni gjithçka për të lënë duhanin, menjëherë

Cila metodë funksionon më mirë për t’ju ndihmuar të lini duhanin?

Konsensusi shkencor thotë se përdorimi i metodave të shumta në të njëjtën kohë është basti juaj më i mirë.

Një metaanalizë e vitit 2020 e më shumë se 700 studimeve klinike zbuloi se kombinimi i disa metodave ka rezultatet më të mirë për t’i ndihmuar njerëzit të arrijnë një abstinencë të qëndrueshme nga cigaret.

Ndërsa të gjitha terapitë individuale ishin më efektive se një “placebo” në thelb, kur i kombinoni ato së bashku mund filloni të shihni rezultate.

“Mënyra më efektive për të ndaluar pirjen e duhanit është të krijoni një strategji për t’u marrë me anën psikologjike të dëshirave, të kombinuara me medikamente që ndihmojnë në trajtimin e efekteve anësore fizike të ndalimit të pirjes së duhanit”, tha Cheeseman.

Rruga e të gjithëve për të lënë duhanin është e ndryshme, disa mund ta lënë direkt dhe me dëshirë, të tjerë mund të kenë nevojë për terapi për vite të tëra.

Mund të duhet pak kohë për të gjetur metodën tuaj më të mirë.

Pyetja është se sa dëshirë keni të hiqni dorë! /atsh

Exit mobile version