Emirates Airlines, kompania ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), njoftoi se do të rifillojë fluturimet e saj për në kryeqytetin sirian Damask më 16 korrik, pasi i pezulloi fluturimet në vitin 2012, transmeton Anadolu
Sipas një deklarate nga Emirates, vendimi u mor pas një vlerësimi gjithëpërfshirës me Autoritetin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në fazën e parë, do të ketë tre udhëtime në javë, të hënave, të mërkurave dhe të dielave.
Emirates që nga 2 gushti do të rrisë numrin e fluturimeve në katër në javë duke shtuar edhe ditën e shtunë. Duke filluar nga 26 tetori, fluturimet për në Damask do të operohen çdo ditë.
Sheikh Ahmed bin Saeed Al Maktoum, Kryetar dhe Drejtor Ekzekutiv i Emirates Airlines, tha: “Rifillimi i fluturimeve të Emirates për në Damask ofron mbështetje strategjike për procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit në Siri. Ky hap do të stimulojë lëvizshmërinë ekonomike duke rritur mundësitë e udhëtimit dhe lidhjes ajrore, duke tërhequr investime dhe duke hapur kanale të reja për tregti dhe akses në tregjet globale”.
Al Maktoum theksoi gjithashtu se kjo lidhje ajrore direkte jo vetëm që do t’i shërbejë qëllimeve të zhvillimit, por do të lidhë edhe sirianët që jetojnë në Amerikë, Evropë dhe Gjirin me atdheun e tyre. “Këta njerëz do të jenë në gjendje të kontribuojnë në zhvillimin e vendit me përvojën dhe talentet e tyre”, tha ai.
Sipas deklaratës, fluturimet e Emirates për në Damask pritet të rigjallërojnë marrëdhëniet tregtare midis Sirisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe më shumë se 350 mijë sirianëve që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Fluturimet e Emirates u pezulluan në vitin 2012 pas kryengritjes popullore në Siri që filloi në vitin 2011, në të cilën regjimi i Asadit kërkesave popullore për ndryshim të qeverisë iu përgjigj me masa të ashpra ushtarake.
