Ballina Artikuj Engjëlli, djalli apo kafsha: Kush do të mbizotërojë brenda njeriut?

Engjëlli, djalli apo kafsha: Kush do të mbizotërojë brenda njeriut?

Hoxhë Korab Hajraj

Njeriu është një nga krijesat më komplekse në ekzistencë. Ai nuk është një qenie njëdimensionale; brenda tij bashkëjetojnë prirje të ndryshme që shpesh e tërheqin në drejtime të kundërta. Pikërisht kjo përbërje e brendshme e bën jetën e tij morale një fushë përpjekjeje të vazhdueshme: përpjekjen për ta edukuar veten, për ta disiplinuar nefsin dhe për ta orientuar jetën drejt së mirës.
Kurani na mëson se Allahu e krijoi njeriun me aftësinë për të njohur të mirën dhe të keqen, duke i dhënë lirinë për të zgjedhur mes tyre:
“Pasha njeriun dhe Atë që e përsosi, pastaj ia frymëzoi prirjen për ligësi dhe për devotshmëri. Ka shpëtuar ai që e pastroi atë, ndërsa ka dështuar ai që e ndyti.” (Esh-Shems, 7–10)
Kjo do të thotë se njeriu bart brenda vetes mundësinë për t’u ngritur drejt virtytit ose për të rënë në humnerën e vesit.
Në shpirtin e njeriut lindin prirje që i ngjajnë veprimit të shejtanit: zilia, smira, intrigat, urrejtja dhe dëshira për ta dëmtuar tjetrin. Këto ushqehen nga nefsi i pakontrolluar dhe nga cytjet e shejtanit, i cili nuk pushon së përpjekuri ta largojë njeriun nga rruga e drejtë. Allahu thotë:
“Shejtani ju premton varfëri dhe ju urdhëron për imoralitet, ndërsa Allahu ju premton falje dhe mirësi prej Tij.” (El-Bekare, 268)
Në të njëjtën kohë, njeriu bart edhe prirje instinktive, të lidhura me nevojat dhe dëshirat e tij materiale: epshin, lakminë, etjen për pushtet, përfitim dhe dominim. Këto nuk janë të këqija në vetvete, sepse janë pjesë e natyrës njerëzore, por kur mbeten pa kontrollin e arsyes dhe të besimit, ato e robërojnë njeriun dhe e bëjnë skllav të pasioneve të tij. Për këtë gjendje Kurani thotë:
“Ata janë si bagëtitë, madje edhe më të humbur.” (El-A’raf, 179)
Megjithatë, njeriu nuk është krijuar për të qenë rob i instinktit apo i cytjeve të shejtanit. Allahu e ka nderuar atë duke i dhënë arsye, ndërgjegje dhe aftësinë për të zgjedhur. Në zemrën e tij ekziston edhe një dimension fisnik: mëshira, dhembshuria, drejtësia, sinqeriteti, altruizmi dhe dashuria për të mirën. Pikërisht për këtë Allahu thotë:
“Ne, me të vërtetë, e kemi nderuar birin e Ademit.” (El-Isra, 70)
Dijetarët e etikës islame e kanë shprehur bukur këtë realitet me fjalët:
“Engjëjt kanë arsye pa epsh, kafshët kanë epsh pa arsye, ndërsa njeriu i ka të dyja.”
Prandaj madhështia e njeriut nuk qëndron në mungesën e dëshirave, por në aftësinë për t’i kontrolluar ato. Kur arsyeja, besimi dhe ndërgjegjja mbizotërojnë mbi epshin, njeriu arrin një pozitë shumë të lartë tek Allahu. Për këtë arsye, shumë dijetarë kanë thënë se besimtari që e mposht nefsin mund të arrijë një shkallë më të lartë se engjëjt, sepse ai e zgjedh bindjen ndaj Allahut, ndonëse përballet vazhdimisht me tundime.
Pikërisht kjo liri zgjedhjeje është arsyeja pse Allahu e ngarkoi njeriun me përgjegjësinë e hilafetit (mëkëmbësisë) në Tokë. Engjëjt nuk u sprovuan me epshe e tundime, ndërsa njeriut iu dha mundësia të zgjedhë mes dritës dhe errësirës, mes bindjes dhe mosbindjes.
Prandaj, njeriu nuk është as engjëll, as djall dhe as kafshë në kuptimin e plotë të fjalës. Ai është një qenie që bart brenda vetes prirje të ndryshme, ndërsa identitetin e tij e përcaktojnë zgjedhjet që bën dhe mënyra se si e edukon shpirtin.
Këtu qëndron edhe urtësia e fesë dhe e adhurimeve. Feja nuk erdhi vetëm për të vendosur rregulla të jashtme, por për ta edukuar njeriun nga brenda; për ta pastruar zemrën, për ta disiplinuar nefsin dhe për ta zhvilluar karakterin e tij.
Namazi e lidh vazhdimisht njeriun me Zotin dhe e rikthen atë në vetëdijen morale. Ai e pengon rrëshqitjen drejt mëkatit dhe padrejtësisë.
“Vërtet, namazi e pengon nga shthurja dhe nga e keqja.” (El-Ankebut, 45)
Zekati e lufton lakminë dhe egoizmin, duke e mësuar njeriun me bujarinë dhe solidaritetin. Ai e çliron zemrën nga robëria e pasurisë.
“Merr prej pasurisë së tyre sadaka, me të cilën i pastron dhe i lartëson ata.” (Et-Teube, 103)
Agjërimi e disiplinon instinktin dhe e dobëson pushtetin e epshit mbi njeriun. Ai e mëson besimtarin ta vendosë ndërgjegjen mbi dëshirën.
“O ju që besuat! Ju është bërë obligim agjërimi… që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183)
Ndërsa haxhi e edukon njeriun në përulësi, barazi, vetëpërmbajtje dhe vetëkontroll, duke ia kujtuar se të gjithë njerëzit janë robër të të njëjtit Zot dhe se dallimi i vetëm mes tyre është devotshmëria.
Në këtë mënyrë, çdo adhurim bëhet një shkollë edukimi. Ai e mëson njeriun ta vendosë arsyen mbi instinktin, mëshirën mbi egoizmin, durimin mbi zemërimin dhe dritën e shpirtit mbi errësirën e pasioneve.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Luftëtari i vërtetë është ai që lufton nefsin e tij në bindje ndaj Allahut.”
Në fund, madhështia e njeriut nuk qëndron në faktin se ai nuk ka prirje të ulëta, por në aftësinë për t’i kapërcyer ato. Kur ai e lë veten në mëshirën e egos dhe të epshit, fundoset në baltën e instinktit dhe të mëkatit. Por kur e udhëheq jetën me busullën e besimit, të arsyes dhe të ndërgjegjes, ai ngrihet drejt lartësisë për të cilën është krijuar.
Prandaj, pyetja nuk është nëse brenda nesh ekzistojnë prirje të ndryshme. Ato ekzistojnë tek secili prej nesh. Pyetja e vërtetë është: cilën prej tyre ushqejmë çdo ditë?
Sepse, në fund të fundit, njeriu bëhet ai që vendos të jetë.

Hoxhë Korab Hajraj

Exit mobile version