Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyp Erdogan, është takuar të martën në Riad me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në kuadër të një vizite zyrtare që synon forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i Drejtorisë së Komunikimit të Türkiyes, Burhanettin Duran. Erdogan ndodhet në Arabinë Saudite i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja e parë Emine Erdogan, si dhe nga ministrat e Jashtëm Hakan Fidan, i Financave Mehmet Simsek, i Mbrojtjes Yasar Guler dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Takimi mes Erdogan dhe princit Mohammed bin Salman u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nuk janë dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e bisedimeve. Pas takimit, presidenti turk mori pjesë në një darkë zyrtare të organizuar në nder të tij nga princi saudit në Pallatin Yemame.
Më herët gjatë ditës, Erdogan u prit me ceremoni zyrtare nga autoritetet saudite.
Vizita në Arabinë Saudite shënon ndalesën e parë të turit rajonal të presidentit turk. Të mërkurën, Erdogan pritet të udhëtojë drejt Kajros, me ftesë të presidentit egjiptian Abdel Fattah el Sisi, për të bashkëkryesuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë mes Türkiyes dhe Egjiptit.
Gjatë vizitës në Egjipt, dy liderët pritet të diskutojnë çështje dypalëshe si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, me fokus të veçantë situatën në Palestinë. Gjithashtu, Erdogan planifikon të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Turqi–Egjipt. /mesazhi
