Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u takua sot në Ankara me liderin e Këshillit Sovran të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe konfliktin e vazhdueshëm në Sudan, bëri të ditur Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë, transmeton Anadolu.
Dy liderët diskutuan mbi marrëdhëniet midis Turqisë dhe Sudanit, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale, thuhet në një deklaratë të postuar nga Drejtoria e Komunikimeve në platformën sociale amerikane X.
Gjatë takimit, Erdogan ka thënë se Ankaraja synon të thellojë bashkëpunimin me Sudanin në fusha si tregtia, bujqësia, industria e mbrojtjes dhe minierat.
Erdogan ka paralajmëruar se luftimet në Sudan kanë krijuar një nga krizat më të mëdha humanitare në botë dhe tha se kanë ndodhur veprime që përbëjnë krime kundër njerëzimit, veçanërisht në rajonin El Fasher. Ai ka bërë thirrje për “hapa seriozë dhe të vendosur” për t’i dhënë fund dhunës.
Presidenti turk gjithashtu ka thënë se Turqia mbështet paqen, stabilitetin dhe ruajtjen e integritetit territorial të Sudanit, duke shtuar se synimi është sigurimi i një armëpushimi dhe ndërtimi i një paqeje të qëndrueshme në vend.
Erdogan ka theksuar se Turqia, nëpërmjet ndihmës humanitare, do të vazhdojë të plotësojë nevojat e popullit sudanez, i cili po përballet me një krizë humanitare.
