Agjencia e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) njoftoi se 72 mijë familje palestineze fermerësh që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë nevojë urgjente për ndihmë bujqësore për të zbutur pasojat e sulmeve izraelite dhe të përkeqësimit të krizës ekonomike, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e FAO-s thuhet se “Sipas Byrosë qendrore palestineze të statistikave, në Bregun Perëndimor jetojnë rreth 700 mijë familje palestineze nga të cilat 115 mijë e sigurojnë jetesën nga bujqësia. Sektori bujqësor ka rëndësi jetike për sigurinë ushqimore dhe të të ardhurave në këtë territor”.
Më tej theksohet se 90 për qind e familjeve palestineze që merren me bujqësi në Bregun Perëndimor kanë humbur të ardhurat për shkak të rendimenteve të ulëta të fundit dhe rënies në blegtori ndërsa 72 mijë familje fermerësh kanë nevojë urgjente për ndihmë bujqësore.
Drejtori për emergjenca i FAO-s, Rein Paulsen duke iu referuar rezultateve të hulumtimit në Bregun Perëndimor tha: “Familjet e fermerëve kanë nevojë për ndihmë urgjente financiare dhe materiale për të zbutur pasojat e dhunës në rritje të kolonëve izraelitë dhe krizës ekonomike”.
Pavarësisht të gjitha vështirësive, bujqësia mbetet një nga sektorët më efektivë për sigurinë ushqimore dhe të të ardhurave të familjeve palestineze, thuhet në deklaratë.
Që nga tetori i vitit 2023, kur Izraeli nisi sulmet ndaj Rripit të Gazës, është shënuar rritje e arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve ndaj palestinezëve edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor.
