Një grup mjekësor ka akuzuar Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) paraushtarake për mbajtjen e 73 grave dhe 23 fëmijëve në qytetin Muglad në shtetin e Kordofanit Perëndimor, transmeton Anadolu.
Rrjeti i Mjekëve të Sudanit tha se forcat e RSF-së mblodhën gratë dhe vajzat në qytetin Babanusa dhe i transferuan ato në qytetin Muglad duke i akuzuar se kanë të afërm që shërbejnë në ushtrinë sudaneze.
Sipas grupit, të ndaluarit mbahen në “kushte jashtëzakonisht të rënda humane”, në mungesë të kujdesit shëndetësor bazë, ushqimit dhe mbështetjes psikologjike. Grupi tha se mbajtja e grave dhe fëmijëve përbën “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe traktateve që ndalojnë vënien në shënjestër të civilëve ose përdorimin e tyre si mjet në konfliktet e armatosura”.
Grupi e fajësoi udhëheqjen e RSF-së si plotësisht përgjegjëse për sigurinë e të ndaluarve dhe bëri thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte, ribashkimin e tyre të sigurt me familjet dhe qasjen urgjente për organizatat humanitare dhe mjekësore për t’u ofruar kujdes.
Rrjeti i mjekëve kërkoi nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale që të ushtrojnë presion mbi udhëheqësit e RSF-së për të ndaluar shkeljet dhe për të garantuar mbrojtje për civilët, veçanërisht gratë dhe fëmijët.
Grupi rebel RSF pushtoi qytetin sudanez Babanusa më 2 dhjetor pas luftimeve të ashpra me ushtrinë sudaneze. Shtetet Kordofani Verior, Kordofani Perëndimor dhe Kordofani Jugor kanë dëshmuar javë të tëra luftimesh të ashpra midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së, gjë që ka çuar në largimin e dhjetëra mijëra njerëzve.
Nga gjithsej 18 shtete të Sudanit, RSF-ja kontrollon pesë shtetet e rajonit të Darfudit në perëndim, përveç disa pjesëve veriore të Darfurit Verior që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Ushtria, nga ana tjetër, mban nën kontroll shumicën e zonave të 13 shteteve të mbetura në jug, veri, lindje dhe në pjesën qendrore, përfshirë kryeqytetin Khartoum.
Konflikti midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së, që filloi në prill të vitit 2023, ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.
