Një fëmijë palestinez ka humbur jetën pasi ka shkelur mbi një minë pranë një kampi ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan të martën burime mjekësore palestineze.
Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, viktima është një djalë 13-vjeçar, i cili u vra nga shpërthimi i një mine në një kamp të vjetër ushtarak në zonën e Jiftlikut, në Luginën veriore të Jordanit.
Një burim nga COGAT, agjencia e Ministrisë izraelite të Mbrojtjes për çështjet civile në territoret palestineze, konfirmoi vdekjen për AFP dhe identifikoi fëmijën si Mohammed Abu Dalah, nga fshati Jiftlik.
Ushtria izraelite deklaroi më herët se tre palestinezë u plagosën “si pasojë e lojës me municione të pashpërthyera”, pa dhënë detaje për moshat e tyre. Ajo shtoi se zona ku ndodhi incidenti, Tirzah, është një kamp ushtarak në Lugina e Jordanit, pranë kufirit me Jordaninë, dhe se hyrja aty është e ndaluar pasi konsiderohet zonë stërvitjeje ushtarake.
Kryetari i këshillit të fshatit Jiftlik, Ahmad Ghawanmeh, i tha AFP-së se tre fëmijë, më i madhi 16 vjeç, po mblidhnin barishte pranë bazës ushtarake kur shpërthyen një minë.
Jiftliku dhe baza e afërt Tirzah ndodhen në Zonën C të Bregut Perëndimor, e cila është nën kontroll izraelit. Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967.
Pavarësisht traktatit të paqes të vitit 1994, shumë zona pranë kufirit me Jordaninë mbeten ende të minuara, duke përbërë rrezik serioz, veçanërisht për civilët palestinezë. Sipas së drejtës ndërkombëtare, prania e vazhdueshme ushtarake izraelite në këto territore konsiderohet gjerësisht e paligjshme. /mesazhi
