Ballina Lajmet Rajon dhe Botë UNDP: Pastrimi i rrënojave në Gaza mund të zgjasë 7 vjet, 90...

UNDP: Pastrimi i rrënojave në Gaza mund të zgjasë 7 vjet, 90 për qind e banorëve jetojnë në kushte të rrezikshme

Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP) ka bërë të ditur se pastrimi i rrënojave në Rripin e Gazës, me ritmin aktual, mund të zgjasë deri në shtatë vjet, ndërsa shumica e banorëve vazhdojnë të jetojnë në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme, transmeton Anadolu.

Në një mbledhje virtuale informuese nga Kudsi, pas një vizite të fundit në Gaza, kreu i UNDP-së, Alexander De Croo, e përshkroi situatën humanitare si më të rëndën që ka parë gjatë viteve të punës së tij në zhvillim.

“Këto janë kushtet më të këqija të jetesës që kam parë ndonjëherë, kushte jashtëzakonisht të dhimbshme për të jetuar”, tha De Croo, duke shtuar se “90 për qind e njerëzve në Gaza sot jetojnë në mes të këtyre rrënojave, gjë që është tejet e rrezikshme.”

Ai theksoi se përpjekjet e UNDP-së për rimëkëmbje janë të përqendruara në tre fusha kryesore, ku e para është largimi i mbetjeve dhe i mbeturinave të ngurta.

“Deri tani kemi arritur të heqim rreth 0,5 për qind të totalit të rrënojave. Me këtë ritëm, do të duhen shtatë vjet për t’i larguar të gjitha rrënojat”, tha De Croo.

Ai theksoi nevojën për më shumë autorizime dhe kapacitete për të përshpejtuar procesin e pastrimit dhe riciklimit të mbetjeve.

Sipas tij, strehimi i përkohshëm përbën prioritetin e dytë, duke qenë se “90 për qind e popullsisë jeton në kushte që vështirë se mund të quhen tenda, janë strehime shumë rudimentare”.

UNDP-ja ka ndërtuar 500 njësi strehimi të përkohshëm dhe ka gati 4,000 të tjera, por nevojat janë shumë më të mëdha.

“Nevojiten nga 200 mijë deri në 300 mijë njësi për t’u ofruar njerëzve kushte më të mira jetese”, shtoi ai.

Fusha e tretë përfshin ringjalljen e sektorit privat në Gaza, i cili sipas tij ka qenë pothuajse i paralizuar. Programet e rimëkëmbjes përfshijnë investime të kufizuara dhe skema punësimi me pagesë.

Për zgjerimin e ndihmës, De Croo tha se UNDP-ja ka “një kërkesë kryesore ndaj autoriteteve izraelite”, që lidhet me sigurimin e qasjes më të madhe për materiale ndërtimi, njësi strehimi dhe mbështetje për bizneset private.

Ai theksoi se shqetësimet e pretenduara të sigurisë nuk duhet të shërbejnë si arsye për të kufizuar qasjen e organizatave të OKB-së dhe organizatave joqeveritare ndërkombëtare.

Një marrëveshje armëpushimi, e mbështetur nga SHBA-ja, është në fuqi në Gaza që nga 10 tetori. Sipas autoriteteve palestineze, që nga fillimi i luftës në tetor të vitit 2023 janë vrarë mbi 72 mijë persona dhe janë plagosur më shumë se 171 mijë të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se pavarësisht armëpushimit forcat izraelite kanë kryer qindra shkelje, vetëm që atëherë duke vrarë 603 palestinezë dhe duke plagosur 1.618 të tjerë.

Exit mobile version