Zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, ka deklaruar se raundi i dytë i negociatave me Iranin ishte produktiv “në disa mënyra”, por se Teherani “ende nuk është i gatshëm” të angazhohet në disa nga “vijat e kuqe” të presidentit Donald Trump, transmeton Anadolu.
Vance nuk specifikoi se cilat janë këto “vija të kuqe”, por theksoi se “interesi ynë kryesor është që Irani të mos sigurojë armë bërthamore”.
“Në disa mënyra bisedimet shkuan mirë. Palët ranë dakord të takohen sërish. Por në mënyra të tjera ishte shumë e qartë se presidenti ka vendosur disa vija të kuqe që iranianët ende nuk janë të gatshëm t’i pranojnë dhe t’i trajtojnë”, tha Vance në një intervistë për Fox News.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë proces. Megjithatë, presidenti ruan të drejtën të vendosë kur diplomacia arrin në fundin e saj natyror. Shpresojmë të mos arrijmë në atë pikë, por nëse ndodh, do të jetë vendim i presidentit”, shtoi ai.
Delegacioni iranian u udhëhoq nga ministri i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, ndërsa ai amerikan nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Trump.
Araghchi deklaroi se në bisedimet e zhvilluara në Gjenevë është shënuar përparim, duke e përshkruar atmosferën si “më konstruktive”.
“U vendos që të dyja palët të punojnë mbi draftet e një marrëveshjeje të mundshme dhe pas shkëmbimit të teksteve”, tha ai, duke shtuar se “koha e raundit të ardhshëm të bisedimeve do të përcaktohet”.
Kryediplomati iranian shtoi se përpara negociatave bërthamore me palën amerikane ekziston një rrugë e qartë, e cila “vlerësohet pozitivisht” nga këndvështrimi i Iranit.
Më 6 shkurt, Omani priti në Muskat raundin e parë të bisedimeve indirekte, të parat që nga momenti kur Trump urdhëroi sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit në qershor. Që atëherë, SHBA-ja ka rritur praninë ushtarake në rajon, ndërsa Trump ka bërë thirrje që Irani të arrijë një marrëveshje me Washingtonin.
