Fermerët prodhues të qumështit në Mrçajevac të Serbisë dhe zonat përreth në Serbinë qendrore kanë radikalizuar protestat duke bllokuar për 24 orë rrugën magjistrale Çaçak–Kraljevë, në shenjë pakënaqësie për çmimin e ulët të grumbullimit të qumështit dhe politikat shtetërore, raporton Anadolu.
Protestuesit gjenden në rrugë prej tetë ditësh dhe thonë se po punojnë me humbje. Sipas tyre, çmimi i qumështit ka rënë nga 60 në 50 dinarë për litër, ndërsa në disa zona është edhe më i ulët, duke e bërë prodhimin të paqëndrueshëm për fermerët.
Fermerët shpresojnë që bllokadat do ta detyrojnë Qeverinë e Serbisë të ulet në negociata dhe të arrihet një marrëveshje. Sipas tyre, pakënaqësia është e përhapur në mbarë vendin.
Ata ankohen edhe për importin e qumështit dhe produkteve bujqësore, duke thënë se kjo po e ul më tej çmimin në tregun vendor. Protestuesit kërkojnë ndalimin e importeve, vendosjen e kuotave dhe kontrolle më të rrepta në kufi.
Protestat nisën javën e kaluar në Mrçajevci dhe u zgjeruan në disa rajone të Serbisë, me bllokada të paralajmëruara në më shumë lokacione.
