Ballina Autorë Opinione Festivale e fekale

Festivale e fekale

Fatlum Sadiku

Erdhi vera e me të edhe murrlani me festivale. Ky nuk është lajmi tashmë. Nuk është sepse tabloidizimi i kësaj shoqërie ka kohë që ka bërë vend, madje pa u zënë tharmi i vetë shoqëribërjes. Në fakt, po ngjanë tabloidizimi i botës, në tharm përfundimisht uniform: indiferencë e hegjemoni kapitaliste anglosaksone. Se njeriu nuk përton të ta përplasë indiferencën tabloideske fytyrës e kam të njohur në palcë. Është po kjo turmë, që në pikun e bombardimeve 99, e struktur diku nëpër bodrume e katakombe, shikonte finalen Bayern – Manchester. E jashtë ngjanin kasaphane. Prandaj tabloidizimi e indiferenca, të paktën për mua, nuk janë lajmi. Në një botë të bërë e të ribërë nga tiktokerë, jutuberë, influencerë, gejmerë, instagramerë, kriptospekulantë, mos kërko njerëzi. Epitafi i seriozitetit dhe përbashkësisë njerëzore tashmë është shkruar. Me gjasë mbi të njëtin varr.

Lajmi e këmbana për ata që kanë sy e vesh këtu është përsëritja ciklike e një rrene finoke. E së njëjtës rrenë: bota po ndryshon, kush s’përqafon ndryshimin, le të thyejë qafën. Kujdes këtu: botën e jetën i njëjtësojnë. Të jesh në botë, ta shpallin si të jesh i botës. (Ja që ndjej se kam ardhur nga diku tjetër, dhe po shkoj diku tjëtër, çka tash!?) Pastaj pak e hiç na thuhet se në çka, n’ç’drejtim, po ndryshojmë. Kundrejt çfarë po bëhet diferenca (ndryshimi supozon diferencën). Thënë më matematikisht: zbritja. Nuk na thonë pra çfarë po zbresim. Përgjigjje xhepi: diferenca po bëhet kundrejt traditës, folklorit, fesë dhe kombit. Po i zbresim nga qenia këto katër, respektivisht po zbresim nga to. Ku? Nuk na e thonë, por me gjasë për në anonimat! Ç’e do që diferenca/zbritja që bëjnë është diskursive dhe gustative (shija nuk është estetikë), jo themeluese, se s’themelojnë dot gjë, dhe jo pa selektim. Kjo ngaqë për ironi ultramoderni i sotëm, openmajnderi i sotëm, të vret për pronë, gati si shqiptari i Kanunit për frengjive t’kullës. Të vret për ndonjë bursë, prapa së cilës fshihet ndonjë bastard interesxhi a familje mafioze në këllëf kompanie, organizate, shteti a ambasade.

Prandaj s’është edhe aq punë moderne a postmoderne këtu. Është punë paraje, pasurimi mbi kurrizin e tjetrit, punë hygjymi në trashëgimi. Është cinizëm komfori, luksi, arratie e moskokëçarjeje. Është arrati në pa brengë. Rrjedhimisht në hare. Jo në lumturi, në hare! Na shpallet si kalim i kohës, formulim ky oksimoron, meqë koha nuk kalohet. Kalohet nëpër kohë. Nuk është besa as liri, sepse s’është se ngjanë ndonjë rrugëtim a vetërealizim për të qenë. Është tërheqje/joshje. Kooptim në gjirin e hegjemonisë. Zotërotet që basti u ka rënë ta ndajnë skizofreninë kulturore vendore e globale edhe me të padenjë si ne, s’duan traditë, por si të pasuruar rishmi, vdesin për trashëgimi. Dhe pos që s’na thonë se n’ç’drejtim po ndryshojmë dalldia me festivale me muzikë 80 përqind në gjuhë të huaj, fsheh faktin se është duke lëshuar rrënjë në një kohë kur zvetënimi i identitetit muzikor shqiptar po hyn në vijën e kuqe: Serbia patentoi Lahutën, emri tjetër i patentimit të Eposit të Kreshnikëve.

E kur i ke marrë shqiptarit apo cilitdo populli ballkanik epin, i ke marrë antropologjinë. S’e flet kush këtë punë. Po kërkoj luks me gjasë dhe unë. S’e flet kush që tashmë dalim më të mirë në anglisht se në shqip, e që mbase edhe Biblioteka Kombëtare më shumë ka botime anglisht se sa shqip, e lërë më këtë.

Nuk do e quaja çrronjosje këtë që po ngjanë, meqë nuk besoj se njeriu mund të lexohet përmes rrënjëve. Porse njeriu ka njëfarë ndërtimi që apelon në autenticitet, në etnos, kjo s’do mend. Vetëm nëse dëshmohet se diku rastësisht Bob Dylani ka qenë kinez por nuk e paskemi ditur, mund të bie ky postulat. Këto ose i ke ose s’je. Ose ke ndërtim sado pak autentik, respektivisht disa themele kulturore kombëtare, ose tjetri thjesht ngulitë çadrat në oborr tëndin. Kush relativizon kombin, në fakt po e fsheh atë.

Shqiptari i sotëm i tërhequr zvarrë në atipizëm skajor, po e jeton mumbaizimin e vet kulturor. Pse po them mumbaizim? Sepse në Mumbai të Indisë fekalet dhe pseudoarti ecin bashkë. Ndodhë të mos gjesh për ilaq ujë e kanalizim, por Bollivud po. E se edhe kjo skenë e jona është njëfarë Mumbai, me fekalet e Bollivudin në një ditë të vetme bashkë, dëshmojnë gjithë këto alamet festivelesh, në sytë e mi pa ndonjë afirmitet njerëzor përtej gromësimës. Kësisoji rrena “ndrysho ose vdis”, del të jetë “riciklohu ose vdis”, teksa kulmon me mumbaizim. Dhe kujdes këtu, e gjitha kjo vijë me fytyrë të re cinizmi: deri në të 90-tat e okupimit, të dëgjoje pop s’të merrnin për seriozisht ngaqë trend ishte roku. Tani kur industria e popit e showbizi po bëjnë kërrdinë, janë po të njëjtit që janë përshtatur.

Rrena ala Mumbai tek ne na deklamohet minimum nga Nexhmije Pagarusha e këndej. Ose hajde të jem më përfshirës: nga Parashqevia, derexheja psikologjike, materiale, e besa ekzistenciale e së cilës i gajloi shqipet nja 3 ditë, jo më shumë. Dhe pastaj ndryshku. I fjalëve dhe i kujtesës. Por vazhdimi i investimit në sevda e qefleisje s’ndalet. Deri në formatimin më apatrit të shqiptarit. Nuk duan atdhe. Duan sivëllëzër e simotra në gusto. Gjer në Beograd. Së këndejmi nuk duan territor, por hartë. Ndërskamca përjashtuese katundarë e qytetarë. Shkuarje tinëz në Shkup për të dëgjuar bende serbe. Shooping tinës në Stamboll për të mos u dukur orientalë. Luftë identitare e orientim (kërkimi i vazhdueshëm i orientimit është shenjues i verbërisë, jo i sigurisë). Këto duan.

Pse të përshkruhet Masakra e Tusuzit në ndonjë film të shkurtër në Dokufest, kur më interesante është skena më ndonjë narkoman që pështyn në lavaman dhe na tregon se sa e padrejtë është jeta. P.S: Tusuzi e Shadërvani i kanë nja 400 m distancë. Pse të tregohet që në Bërrnicë serbët vranë familjen Xhema, ndërsa qe mundemi t’ia qesim fitilin Sunny Hill-it? Po e di që tani kundërpyetjen: një familje të na mbajë peng për 26 vjet? Për besë ajo që njihet si “Rasti Drajfus”, në historinë europiane akoma përmendët në literaturë! Rasti i një njeriu filikat.

Deklarojnë vazhdimisht se kjo është rinia që duam. Demek të gjithë ne. Gabim shtypi. Është rinia që duan. S’është fjala madje as për dashuri e lumturi rinore këtu, por për epshndjellje (kujdes, shumëherë as epsh i realizuar nëse s’ta mundëson kuleta), shkarkim e hare boshe, që lë pas shishe, shiringa e prezervativë. Është fjala për faqosje të njëllojtë të rajonit diktuar nga qendrat të cilat ua kanë fituar zemrat, e të cilat iu dhënë para. Por hajde po e pranuakam se gajlohen për rininë. Edhe në qoftë kështu, prioritizimi i madh i rinisë hasdisë njeriun. Sepse është prioritizim i moshës, jo i njeriut a i ndonjë ane humaniste të tij. E kundërta ndaç biologjike ndaç kognitive e rinisë, nuk është e pavlera, e papëlqyera, e padobishmja, e keqja, por pleqëria dhe fëmijëria. Kësisoji ajo çfarë bëjnë është kremtimi i një etape të jetës, jo konsiderata për jetën. Natyrisht këtu nuk thuhet edhe një diçka, por që preket: nuk jehojnë rininë sa beqarinë. Madje një beqari të zgjatur. Lipsen indiferentë sevdalinj, idiotë të përdorshëm, që neoliberalja kulturore ballkanike (e kur thua Ballkani 70 përqind ke nënkuptuar sllavët), të relaksojë kooptimin e plotë në matricë.

Nuk ka nocion më të manipulueshëm e më të brishtë se nocioni rini. Ama me finokëri të madhe ta lënë në duar si foshnjën e posalindur këtë nocion, me një mal akuzash se qenke shumë nonshalant dhe je gati ta praptosh. E bëjnë me qëllim politik këtë përdorim prej inxhije e kristali të rinisë. E i ri ishte edhe Borisllav Herak një snajperist serb i Bosnës që nuk shkoi shumë kohë u rrëfye se si vriste fëmijë. Të rinj janë edhe pjesëtarët e IDF-së izraelite, që po vrasin fëmijë palestinezë në seri. Edhe Lavdrim Muhaxheri ishte i ri, por edhe Kushtrim Jashari, njomaku luftëtar i Adem Jasharit. Edhe balona e fryrë e teknosferës globale në kohën kur fëmijët palestinezë vdesin për bukë, Mira Murati, është e re. Si i riu si plaku kanë tru mik, por e gjitha varet se a kanë njerëzi.

Pa dashur të jem detyrimisht rimues, po them edhe që s’është në qendër të interesit të tyre rinia, por risia. Largpërçimi i risisë konsumeriste në kulturë, në fytyrën e një industrie përpirëse. Zgjerimi i territorit të industrisë së showbizit dhe më pas absorbimi me rrugë kapilare në indiferencë i çdo shkëndize të ndërgjegjësimit shoqëror e politik. Së këndejmi s’është as kultura dert, por shestimi i industrisë se showbizit dhe pop muzikës. Showbizi e popmuzika tanimë janë thurima e një rinie dëshpërimisht materialiste e vetjake. Të animuar deri kah mosha e mesme, me fjalor prej nja 200 fjalësh krejt, jondihmues, pa krupë, sall vrer të shprehur e të pashprehur, por sall luks. Fama para konsideratës, respektit e ndihmës. Jo rastësisht rrënjë e fjalës festival është ‘festë’, kuse e celebrities ‘celebrim’. Kë celebrojnë, punëtorët e rënë nga skelet?

Pastaj është krejt fataliste prerogativa që duan mbi stinën. Vivaldi tek “Fourth Seasons” me sa e di nuk e privilegjon verën nga stinët tjera, por këta optimistët radikalë po. Disi e marrin edhe vetë stinën e verës në shfrytëzim për 99 vjet. Jehonë motit pra, jo jetës. Kremtim kohës, të tashmës së vazhdueshme siç do të thoshte John Taylor Gatto. Prerogativë mbi stinën e motin e shitur si kulturë.

Sa i përket prerogativës hapësinore, zapimit hapësinor të tokës, e të trekëndëshit Prishtinë, Obiliq, Podujevë, më mirë mos pyet. Pos që kushtëzohet magjistralja Prishtinë-Mitrovicë, karremin e ha edhe Vushtrria, Mitrovica, e i gjithë veriu. Zot i madh! Nuk ia dilte dot as Ndihma e Shpejtë. Thjesht pacienti vdes para se të mund të kalojë, sepse fetishizmi moshor në Bërrnicën e turistizuar, (për të cilën s’do t’ia dinin kurrë në jetë në rast se nuk do i teleportonte rastësia e mbajtjes së atij festivali aty), po realizonte haretë e veta biologjike.

I fundit për pushkatim: serioziteti. Nuk duan seriozitet. Duan apolitizim e ahistorizim, shlyerje të dallimit në u mbajtë koncerti në Kralevë, apo tek ne. Në anën tjetër, nuk ka edhe kukamë gjoja arsimit e rezultateve në PISA, edhe aplaudim shtimit si lavra të festivaleve. Nuk mund të jesh edhe i hareshëm edhe serioz njëkohësisht e maksimalisht. Nuk po them se serioziteti është pikëllim por fol e kesh nuk mund të jetë asnjëherë. Ama kanë avokues aq perfid, saqë tashmë vdekjen klinike të arsimit konvencional e heshtin meqë kanë rahatuar bythtë e fëmijëve të vet nëpër shkolla private. Rrjedhimisht mjaftohen me gjueti shtrigash se cili profesor i filan shkollës së shtetit (për privatët s’bëzajnë!) s’ka botime në Scopus!

Deklarojnë se kjo na qenka muzika, kështu ndjehet muzika. E pavërtetë. Kufinjtë mes muzikës, tekstit muzikor dhe kërcimit në popmuzikë dhe veçanërisht në muzikën elektronike sot janë gjithnjë e më të fshirë. Në to kërcehet më shumë se sa që këndohet. Vallëzojnë pra, nuk këndojnë. Edhe në atë pak hise të shkretë ku gjoja këndohet, jehohet statuskuoja, jo ndryshimi i gjendjes. Na ushtojnë veshtë jetëra të rënuara, tradhëti të kthyera në normalitet, maçomenllëk, promiskuitet ditor e të lavdueshëm minorenësh; na përplasen fytyrës jetëra milionerësh të dikujt që hiç më shumë se para 5-7 vjete, brengë kryesore e kishte kalimin e klasës. Asnjë vertikale njerëzore. Asfarë rezistencë. Asfarë kritike të keqes. Zero kokëçarje.

Moshë, rini, beqari. Jetëgjatësi, gjallëri, vitalitet, shëndet. Me kë janë familjarë këto mendon? Me mua e me ty? Jo për besë, të gjitha këto nocione janë më familjare me steroide se me mua e ty! Fashizëm brezi, biologjie e kutesh. Kjo s’është jehonë e jetës (life), por e kursit të jetës (lifecourse), rrjedhës së jetës pra. Së këndejmi fetish jetëgjatësisë e gjallërisë. Kërkohet që jeta të lexohet veçse si vitalitet. E vitaliteti është më shumë familjar me shëndetin përkatësisht me lëkundjet e tij, jo me jetën për-se. Pse prej kah murrlani me operacione plastike, maksillofaciale, shkrirja e përnjëhershme e stomatologjisë me ortodoncinë, dofarë balonash gastrikë, llojlloj nutricionisti dilinxhi, bashkimi i klinikave në poliklinika, mbirja përditë e barnatoreve si kërpurdhat, e sallave të fitnesit, e hipertrofimit të trupit përmes bodybilldingut, mania e tatuazheve dhe vrapimit, pastaj foljeizimi i operacioneve kritike në organizimin e njeriut, si mbiquajtja e vënjes së stendës ‘stentim’, a thua ky akt fatkeq në jetën dhe trupin e njeriut nuk qenka më shumë se sa ‘kryerje e një pune apo veprimi’ (funksioni i foljes)? Nuk qenka situim delikat në jetën e njeriut por një procesim që tingëllon si të jemi ndonjë endprodukt sallame? E di se kot pyes. Këta nuk duan t’ia dinë për jetues, por për jetikë. E kanë jetësore të jenë jetikë.

Atdheu ynë, që në 30 vite ka rënë gatise për 1 milionë banorë, është i vogël, tepër i vogël, për kaq shumë showbiz. Edhe territorialisht edhe demografikisht. Mos lejoni t’ua kontrabandojnë showbizin e karnevalëskën si kulturë, aman. Bëhet fjalë për politika të qëllimta të konvertimit kulturor të rinisë, për krijim brezash idiote politikisht, historikisht e kombëtarisht.


Shkruan: Fatlum Sadiku

/epiqendra.com

Exit mobile version