Ballina Artikuj Fjalimi për Fitër Bajram

Fjalimi për Fitër Bajram

Hoxhë Vladimir Kera

Pjesë nga fjala ime për Fitër Bajram.

Të nderuar dhe të shtrenjtë besimtarë dhe besimtare.

Fjala ime modeste, nëpërmjet këtij zgjatuesi zëri po aq modest, shpalos dobësinë time dhe dashamirësinë e popullit tonë besimtar, për të reflektuar në këtë ditë lumturie e gëzimi, por edhe për të ndjerë përgjegjësinë tonë si qytetarë, përballë njerëzve dhe mbi të gjitha, përballë Zotit.

Le të kthejmë vëmendjen te familja dhe fëmijët tanë si shpresa e së nesërmes. Le të angazhohemi me përkushtim, që krahas edukimit shkencor, të mbjellim edhe edukimin fetar e kulturor. Të nxisim zhvillimin e shkencës, por pa harruar zhvillimin e moralit, edukatës dhe ndërgjegjes njerëzore.

Le të vlerësojmë gruan, jo thjesht si një gjini, por si një vlerë të përkushtuar, përmes së cilës Zoti e ka zbukuruar dhe shtuar jetën njerëzore me të.

Le të kuptojmë rolin e burrit dhe të babait, që nëpërmjet vlerave që i ka dhuruar Zoti, të ngrihet në nivelin e përgjegjësisë që i takon. Të jemi të besueshëm për familjet tona, të urtë, të ditur dhe të matur në rrugën e jetës.

Gjyshërit dhe gjyshet janë urat që lidhin brezat, vendi ku bisedat dhe koha marrin urtësinë e përvojës dhe lutjet e pakthyeshme të Zotit për të rinjtë tanë.

Të nderuar vëllezër dhe motra,

Në këto ditë të bekuara ftoj për reflektim dhe vetëdije. Kjo thirrje nuk është aq për masat e popullit, sa për elitën e vendit.

Elitat e një vendi janë katër:

1. Elita fetare – Duhet të ngrihet në nivelin e asaj që kërkon Zoti dhe Profeti i Tij, larg manipulimeve, interesave personale apo tundimeve që mund të zbehin të vërtetën dhe të shkelin të drejtat e njerëzve.

2. Elita intelektuale – Duhet të udhëheqë shoqërinë në ndarjen e së mirës nga e keqja, të së drejtës nga e gabuara. Kur mësuesit, profesorët dhe intelektualët humbasin rrugën, populli ka humbur prej kohësh. Kur mendjet ndërtojnë mbi korrupsion, e ardhmja e kombit është e errët.

3. Elita ekonomike – Duhet të kuptojë përgjegjësinë që ka para Zotit dhe popullit, duke ndihmuar në bursa studimi, zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punës, pa keqpërdorur nevojat e njerëzve.

4. Elita politike – Duhet të kuptojë amanetin e popullit. Taksa nuk është gjë tjetër veçse djersa dhe mundi i qytetarëve. Vjedhja dhe korrupsioni janë mëkate të rënda, ndërsa përdorimi i drejtë i pushtetit sjell mirësi dhe bekim.

Në përfundim, i lutem Zotit për udhëzim, falje dhe bekim.

Zoti bekoftë familjet tona! Zoti bekoftë prindin e mirë! Zoti bekoftë intelektualin e drejtë! Zoti bekoftë të pasurin fisnik! Zoti bekoftë klerikun e sinqertë! Zoti bekoftë politikanin e drejtë!

Amin!

Hoxhë Vladimir Kera

Exit mobile version