Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Flakë për flakë me Trump-in

Flakë për flakë me Trump-in

Kongresmenja e Minesotës, Ilhan Omar

Kongresmenia muslimane që po sfidon hapur presidentin amerikan

Kongresmenja e Minesotës, Ilhan Omar, e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë që politikat dhe retorika e Donald Trumpit ta detyrojnë atë të tërhiqet.

Pas një sulmi të ndodhur të martën në Mineapolis, ku një person e spërkati me një lëng të panjohur gjatë një fjalimi publik, Omar u shfaq sërish përpara mbështetësve të saj në “Karmel Mall”, qendra e komunitetit somalez.

“Prania ime këtu tregon se frika dhe intimidimi nuk funksionojnë me mua!”- deklaroi ajo me vendosmëri. Përfaqësuesja demokratë, e cila është bërë shpesh tabelë qitjeje për vrerin e presidentit, theksoi se strategjia e Trumpit ka qenë gjithmonë largimi i saj nga shërbimi publik përmes frikësimit.

Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, fyerjet e presidentit kanë qenë konstante: ai e ka quajtur Omarin “mbeturinë”, i ka kërkuar të “kthehet në vendin e saj” dhe është tallur vazhdimisht me hixhabin e saj.

Gjatë fjalimit të saj, Omar denoncoi praninë e forcave federale të imigracionit (ICE) në Mineapolis, të cilat i quajti “pushtuese”, dhe kërkoi shfuqizimin e tyre pas vrasjes së dy qytetarëve amerikanë nga ky shërbim.

Ajo kujtoi se gjatë presidencës së parë të Trumpit, sulmet e tij e kthyen atë në anëtaren e Kongresit me numrin më të lartë të kërcënimeve me vdekje, duke detyruar Policinë e Kapitolit t’i siguronte mbrojtje 24-orëshe. Pas sulmit të fundit, këto kërcënime janë rritur sërish në nivele alarmante.

Nga ana tjetër, Trump ka vazhduar sulmet, duke pretenduar pa asnjë prova në një intervistë për ABC News se sulmi ndaj saj ishte “një inskenim”. Omar u përgjigj duke vënë në dyshim shëndetin mendor të presidentit, pasi ai pretendoi se “nuk mendonte për të”, ndonëse sapo kishte folur 30 minuta kundër saj në një tubim në Ajoua.

Pavarësisht tensionit të lartë dhe pranisë së 3.000 agjentëve federalë në Minesota, Omar mbetet zëri kryesor i rezistencës. Ajo theksoi se shumica dërrmuese e komunitetit somalez janë qytetarë amerikanë të mbrojtur nga Kushtetuta, dhe asnjë fushatë dëbimi apo frikësimi nuk mund ta tjetërsojë këtë fakt.

Mesazhi i saj ishte i prerë: rruga drejt drejtësisë nuk do të ndalet nga dhuna verbale apo fizike! /tesheshi

Exit mobile version