Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Forcat e sigurisë siriane lirojnë 126 të mitur nga burgu i drejtuar...

Forcat e sigurisë siriane lirojnë 126 të mitur nga burgu i drejtuar nga SDF-ja

Forcat siriane të sigurisë në provincën verilindore Raka kanë liruar 126 të burgosur nga një burg që më parë drejtohej nga grupi terrorist YPG/SDF, ndërsa të gjithë ishin nën moshën 18 vjeç, njoftoi televizioni shtetëror sirian, transmeton Anadolu.

Duke cituar një burim të paidentifikuar të sigurisë, kanali “Alikhbaria” tha: “Siguria e brendshme ka liruar 126 të burgosur nga burgu ‘Al-Aqtan’ në Raka, të gjithë nën moshën 18 vjeç”.

Ministri i Informacionit, Hamza al-Mustafa, shkroi në rrjetin social amerikan X se pamjet e publikuara nga Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA) tregojnë lirimin e të ndaluarve.

“Këta fëmijë nuk janë thjesht të ndaluar; ata janë djem e vajza, fëmijëria e të cilëve është vjedhur. Ata duhej të ishin në shkolla dhe kënde lojërash, jo pas mureve të burgut. Çdo fytyrë mes tyre mbart një histori frike, ndarjeje dhe pafajësie të humbur”, shtoi ai.

Al-Mustafa theksoi se “nuk ka asnjë slogan, justifikim apo arsye sigurie që mund të shpjegojë praninë e një fëmije në një qeli burgu”, duke thënë se gjendja e tyre plagos ndërgjegjen e njerëzimit.

Në X, zëdhënësi i presidencës Ahmed Muaffaq Zaidan e quajti ndalimin “një skandal të plotë, të kryer nga banda jashtë çdo kufiri kohe dhe vendi”.

Të premten, Ministria e Drejtësisë njoftoi se kishte marrë zyrtarisht në administrim burgun “Al-Aqtan”, pasi elementët e SDF-së u tërhoqën prej tij në kuadër të shtrirjes së autoritetit shtetëror dhe rikthimit të funksionimit të institucioneve sipas ligjit. Ministria e Brendshme gjithashtu nisi shqyrtimin e dosjeve të të ndaluarve.

Po të premten, ushtria siriane njoftoi se njësitë e saj kishin filluar transferimin e elementëve të SDF-së nga burgu “Al-Aqtan” dhe rrethinat e tij në Raka drejt qytetit Ajn al-Arab, në lindje të Halepit, duke thënë se kjo përfaqëson fazën e parë të zbatimit të marrëveshjes së 18 janarit, e cila hap rrugën që qeveria të marrë në dorëzim objektin.

Exit mobile version